Tre persona kanë qëlluar për vdekje sot gazetarin Roberto Toledo në Meksikë, i cili sapo kishte dalë nga studioja e portalit informativ Monitor Michoacán.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Sigurisë Publike meksikane. Drejtori i portalit, Armando Linares López, tha se Toledo, 55 vjeç, ishte bashkëpunëtori i tij prej tre vitesh dhe se u përball me vrasësit teksa ishte duke folur me disa kolegë.

Në një video të postuar në Facebook, Linares konfirmoi gjithashtu se Toledo kishte marrë disa kërcënime, siç ndodhi me gazetarët e tjerë të angazhuar në punën e denoncimit të korrupsionit të zyrtarëve bashkiakë.

“Ata u qëlluan në mënyrë frikacake sepse ne nuk mbajmë armë. Mbrojtja jonë e vetme është një stilolaps dhe një fletore. Por ne kemi emrat dhe e dimë se kush qëndron pas gjithë kësaj”, shtoi ai.

Roberto Toledo është gazetari i katërt i vrarë deri më tani këtë vit në vend. Lourdes Maldonado dhe Margarito Esquivel u vranë në Tijuana Baja California dhe José Luis Gamboa në Veracruz.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb