Ardian Mema kërkon tre pikët nesër në përballjen që bardheblutë do të kenë me Kukësin në “Selman Stërmasi”. Ndonëse pa Majkëll Ngo’o të skualifikuar dhe me stadiumin bosh për shkak të ndëshkimit të tifozëve, trajneri i Tiranës do të kërkojë pikët në këtë sfidë delikate. Gjithashtu, ai shprehet se pavarësisht se Tiranës i intereson, nuk do të bëjë tifo për Partizanin në përballjen që të kuqtë kanë me Kastriotin.

Përballja ndaj Kukësit
“E thashë në fillim, duhet të jemi të përqendruar. Na duhen pikët, jo për gjëra të tjera. Mund të luajmë keq dhe të fitojmë. Nuk flas dot për avantazh, Kukësi ka lojtarë shumë cilësorë. Fusha do e tregojë se kush do jetë ekipi me më shumë ekuilibër dhe më i përqendruar. Duhet kujdes, nuk kemi asnjë avantazh. Me tifozët po. Pa ta është si një ndeshje e vdekur. Pikët janë ato që na bëjnë mirë dhe do i kërkojmë me insistim”.

Mungesa e tifozëve dhe e Ngo’o
“Keqardhje e madhe që nuk do të jenë tifozët, pasi ata i kemi si lojtari i 12-të. Ata mund të jenë edhe lojtari i parë. Na duhen me çdo kusht tani, janë përkrahje e madhe për ne. Në Durrës na dhanë ndihmë të jashtëzakonshme. Do isha i kënaqur me rikthimin e tifozëve dhe Ngo’o. E thashë, tifozët janë shumë të rëndësishëm. Majkëlli është gjithashtu i rëndësishëm, ekipi ka besim kur e ka atë në formacion. Edhe ndeshjen e fundit, ata që ishin të gatshëm bënë mirë. Edhe stoli na intereson, të gjithë janë të rëndësishëm, nga Ngo’o e deri te lojtari më i ri. Duhet të jemi bashkë, të motivojmë njëri-tjetrit. Rikthimi i tij është pozitiv”.

Tifo për Partizanin?
“E kam thënë edhe njëherë, pasi kemi fituar me Kukësin fazën e tretë, dhe një nga pyetje që m’u bë ishte se po nxirrni Partizanin kampion. Thashë një nga gjërat që nuk dua ta bëj kurrë është ta nxjerr kampion Partizanin. Kampionati i tillë është me pikë. Ndonjëherë ju bën nder, ndonjëherë jo. Ata i kanë pikët me meritë. Kukësi ka lënë pikë në momente të caktuara. Kampionati kështu është, gabimet duhet të jetë të pakta. Unë jam për lojë korrekte dhe të ndershme. Nuk më ka pëlqyer as kur isha futbollist. Ne si ekip pranojmë çdo rezultat të ndershëm. Nuk më intereson të më falë dikush, pasi ndryshe nuk do isha vetja”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb