Nga: MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Ngritja e terminaleve të autobusëve është bërë një domosdoshmëri në të gjithë qytetet kryesore në vend, ndaj Shoqata e Transportit Ndërqytetës kërkon zyrtarisht nga kandidatët për kryetar bashkie ta kenë në listën e prioriteteve këtë angazhim. Për kreun e Shoqatës Kujtim Mema, zhgënjimi nga drejtuesit paraardhës të bashkive nuk duhet të vijojë edhe me kandidatët e rinj, pasi terminalet e autobusëve janë zgjidhja për të shmangur kaosin dhe për të krijuar rregull.

“Ne si Shoqatë Transporti i jemi drejtuar kandidatëve, u kemi dhënë një mesazh që kryesorja në qytet tona është mungesa e terminaleve. Këto i përkasin bashkisë dhe krerët e bashkive deri sot nuk kanë barë asgjë në këtë drejtim. Nëqoftëse na vijnë turistë të huaj dhe kërkojnë të udhëtojnë me autobusë, nuk dinë ku të drejtohen. Kryeqyteti duhet të ketë një terminal, transportin e kanë lënë dorë e dytë. Kemi kërkesat tona dhe duhet normalizim i kësaj pune se na shërben të gjithëve”, tha Mema.

Premtimi për një reformë të thellë në transportin urban që do të niste në janar, ende nuk ka parë realizime konkrete. Por Mema deklaron se mbyllja e rrjetit të linjave që janë në proces, do të sjellë një tjetër frymëmarrje për transportin.

“Është në fazën përfundimtare mbyllja e rrjetit të linjave dhe nëse kjo mbyllet dhe firmoset nga ministri i Transporteve, çdo gjë do të marrë tjetër drejtim”, u shpreh Mema.

Mjaft qytetarë si në kryeqytet edhe në vende të tjera nuk e kanë informacionin e duhur për nisjen e linjave urbane, për mos të folur më tej për turistët, të cilët e shikojnë këtë anomali si të metë të madhe që ndikon në turizmin shqiptar.

Ngritja e terminaleve të autobusëve dhe transporti urban duhet të jenë në plan-programet e kandidatëve për kryetar bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit. Kjo kërkesë vjen nga Shoqata e Transportit Ndërqytetës, e cila kërkon që ky premtim të mos mbetet vetëm i fushatës, por të realizohet konkretisht, pasi kjo anomali e zgjatur prej vitesh duhet të marrë fund.

Bashkia: Mungesa e vizionit të Ramës mban peng terminalin

Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj shqetësimit të ngritur nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas për mungesën e terminalit. Në një deklaratë për mediat, Bashkia Tiranë sqaron se “Përmes ndërtimit të terminalit multimodal të pasagjerëve, do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare disiplinimit dhe ofrimit cilësor të shërbimit të transportit në Tiranë dhe integrimit të tyre, trenit, transportit urban dhe interurban me autobus, taksive, parkimit për automjetet private dhe shërbimeve për udhëtarët”.

Por fillimi i punimeve për ndërtimin e terminalit, pret miratimin e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak, ndërsa pritet që të ofrojë shërbim për 75% të të gjithë fluksit të mjeteve të transportit publik.

Sipas Bashkisë së Tiranës “Mungesa e vizionit të ish-kryebashkiakut për 11 vite, Edi Rama dhe xhelozia si kryeministër vazhdojnë të mbajnë peng ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve, i cili do t’u kushtojë zero lek qytetarëve të Tiranës”.

Ndërtimi i terminalit është një investim që nuk do i kushtojë asnjë lek taksapaguesve të Tiranës dhe as qeverisë shqiptare, pasi do të kryhet me formulën e koncesionit.

“Numri total i mjeteve që do t’u ofrohet shërbim në vitin 2015 është 231 dhe në 2035 llogaritet në 8524 mjete. Terminali parashikohet të ketë 340 vend-parkime; 5 platforma treni dhe 3 platforma për tramvajin. Në vitin e parë të operimit, do t’u shërbehet 60.000 pasagjerëve dhe në vitin 2035, 220 mijë udhëtarëve në ditë. Ndërtimi i terminalit do të mundësojë reduktimin e ndjeshëm të ndotjes në qytet. Afro 2500 litra nafte nuk do të digjen brenda qytetit çdo ditë, 5 – 6 tonë CO2 në ditë nuk do të emetohet në mjedis. Qyteti do të ketë 3.1 km parkim të lirë, që sot zihet nga rreth 192 autobusë të linjave interurbane dhe ndërkombëtare,

Qyteti do të ketë çdo ditë 2310 mjete më pak në qarkullim, duke sjellë një çlirim të trafikut. Vlera e ndërtimit të këtij projekti është përllogaritur në afro 41 milionë euro, norma e brendshme ekonomike e kthimit është 20.58%, ndërsa ajo financiare është 17.2%, çka konfirmojnë fizibilitetin ekonomik dhe financiar të projektit. Ndërtimi i terminalit do të realizohet në partneritet publik – privat (PPP), çka do të thotë se i gjithë investimi, kosto e funksionimit dhe mirëmbajtjes përballohet nga investitori.

Ky është një investim që nuk do i kushtojë qytetit të Tiranës, taksapaguesve të Tiranës asnjë lek. Investim që nuk do t’i kushtojë qeverisë shqiptarë asnjë qindarkë të vetme. Do të kryhet me formulën e koncesionit. Do të jetë një front i ri pune e po kështu parashikohet që në fazën e të punësohen afro 350 punonjës të kategorive të ndryshme, nga më të specializuarit deri tek punëtorët e ndërtimit, ndërkohë që faza e dytë parashikon punësimin e afro 1200 punonjësve të tjerë, ndërkohë vetë terminali kërkon një forcë punëtore prej 350 punonjësish të përhershëm për të operuar në mënyrë normale”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.


(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: