Ardian Mema parashikon një sfidë shumë të vështirë nesër në “Niko Dovana” të Durrësit, ku Tirana e tij do të përballet me Teutën vendëse. Trajneri i bardhebluve deklaron se pavarësisht sfidës delikate, Tirana do të futet në fushë vetëm për fitore. Gjithashtu, gjatë konferencës tradicionale në vigjilje të ndeshjes, Mema nuk harron të thumbojë edhe kundërshtarët e përfshirë në luftën për mbijetesë.

Si e parashikoni ndeshjen kundër Teutës_

Çdo ndeshje ka rëndësi të madhe, skuadra e di që fitorja na ngjit shumë lart. Është një moment ku duhet shumë kujdes, nuk duhet të bëjmë gabimet e ndeshjeve të fundit, si ndaj Laçit dhe në Vlorë. Shanset për të fituar i kemi pasur, kjo më vjen keq.

Si do të luajë Tirana nesër?

Nuk është se bëj eksperimente, por natyrisht dua ta mbaj të fshehtë formacionin sa më gjatë. Gjithsesi, edhe Doka, edhe Muçi, do luajnë.

Tashmë Tirana ndodhet në zonën e ftohtë…

Ishim 9 pikë para Kastriotit, por në këtë kampionat gjërat ndryshojnë shpejt në renditje. Shihni Flamurtarin, edhe ata kishin frikën e renditjes para nesh, tani janë të tretët. Gjithsesi, ekipi nuk duhet të vihet nën presion, edhe pse gjërat duhen thënë siç janë dhe renditja është e ndërlikuar. Teuta është ekip cilësor dhe barazimi do ishte pozitiv për këtë moment.

Por Tirana ka dështuar të marrë pikë.

Përveç ndeshjen e kupës në Laç, ndeshjet tona kanë qenë të mira. Në Vlorë na mungoi goli, por luajtëm mirë. U zhgënjyem shumë nga ajo ndeshje, e kemi diskutuar faktin që humbasim shumë raste, nuk mundet të gabojmë aq shumë para porte.

Çfarë keni dashur të thoni me “provincialët”?

Do flas në një moment tjetër për atë deklaratë, nuk është momenti.

Kundërshtarët tuaj kanë fituar më shumë pikë.

Në disa ndeshje kundërshtarët i kanë fituar më lehtë sesa ne, edhe në ndeshje shumë të forta në letër. Është e çuditshme po të shohësh disa ndeshje, golat shënohen në mënyrë të çuditshme, por nuk dua që t’i jap alibi skuadrës. Në duhet të sillemi shumë mirë në fushë, të bëjmë detyrën vetë, pastaj të shohim ndeshjet e tjera.

Si e shpjegoni nervozizmin tuaj?

Ndoshta kam qenë edhe unë nervoz, duke parë situatën. Edhe lojtarët ndoshta e kanë kuptuar situatën dhe stërvitja ka qenë shumë e fortë.

Tirana nuk ka arritur të shënojë asnjë penallti.

Penalltia është edhe fat, edhe problem psikologjik. Ne i kemi vendosur goditësit e penalltive, por natyrisht kemi bërë gabime. Imami deshi ta gjuante atë penallti në Vlorë, ndihej i sigurt, por nuk ia doli, si të tjerë para tij. Edhe unë pas penalltisë dytë të humbur në karrierë vendosa të mos gjuaj më.

Jeni i kënaqur me një barazim ndaj Teutës?

Unë synoj gjithnjë fitore, si karakter. Fitorja më është injektuar në gjak.

Në sfidën e parë ndaj Teutës, jemi mposhtur në Shijak me përmbysje…

E kujtoj shpesh, edhe ma kujtojnë. Ishim në një moment që mund ta fitonim, humbëm shumë raste për gol dhe i mbaj ende mend, humbje e dhimbshme ishte.

Edhe Teuta ka shfaqur krizë në ndeshjet e fundit.

Rezultatet i ka kundër, por ka luajtur shumë mirë. Ndoshta edhe fatin e ka pasur kundër, por ekipin e ka shumë të fortë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb