TIRANE-Sulejman Mema nuk e priste një tjetër humbje në derbi.
Sipas ish-trajnerit, Tirana ishte inekzistente në fushë. Mbrojtja çaloi në dy golat e pësuar, ndërsa evidenton se mesfushorët duhet të merrnin më shumë përgjegjësi.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku që drejton aktualisht 17-vjeçarët e bardhebluve, i bën “skanerin” përballjes së të premtes dhe me keqardhje deklaron se ndryshe nga tifozët, skuadrës i mungon karakteri.

Tjetër humbje në derbi, çfarë po ndodh me këtë Tiranë profesor?

Mendova se ishte radha e Tiranës këtë herë, por jo. Kanë zhgënjyer, zhvilluan një lojë të shëmtuar. Pashë një Partizan shumë agresiv dhe besimplotë. Kishin aq shumë bindje që do ta fitonin atë ndeshje pa zbritur ende në fushë. Ndërsa Tirana ishte inekzistente në fushë. Patën probleme në mbrojtje, pasi i pësuan golat shumë lehtësisht. Nuk pashë mobilizim dhe organizim, ndryshe nga tifozët. Nuk kanë pasur motivimin e duhur.

Si ka mundësi që një ekip si Tirana të shpërfytyrohet ndaj rivalit historik?

Kjo më bën më shumë përshtypje. Pasi në derbi, sido që t’i kesh pozitat në renditje, grinta të lind vetiu. Prisja një Tiranë më agresive, ashtu si i shkon për shtat këtij ekipi. Mund të fitosh edhe kur je dobët. Dje (të premten), pashë Tiranën më të lehtë se çdo herë tjetër.

Tetë derbe pa fitore a janë shumë, mbani mend ndonjë krizë të tillë?

Tmerrësisht shumë. Si në këto momente, nuk e kam parë kurrë. Derbi nuk ka favorit, por 8 radhazi janë shumë. Kam përshtypjen se këtë karakter që mund të kenë tifozët, nuk e kanë futbollistët në fushë. Me sa duket, nuk e njohin mentalitetin e këtij klubi. Kjo është arsyeja kryesore që e dëmton Tiranën, pasi ata nuk e njohin mentalitetin e kësaj skuadre. Karakterin kjo skuadër duhet ta tregojë pikërisht përballë Partizanit.

Po Partizanin si e patë?

Partizani ka fituar një siguri që e mposht Tiranën në çdo kohë. Këtë bindje e kishin edhe para ndeshjes. Por kaq shpejt kam idenë që edhe ata vetë nuk e besonin.

Veç mbrojtjes, ku çaloi Tirana?

Kundërshtari ishte më i qartë dhe më agresiv në mesfushë, aty ishte çelësi i suksesit. I morën frenat e lojës në mesin e fushës. Më duket pak e çuditshme dalja jashtë e Bakajt.

E penalizoi i kuqi i Bakajt, sipas jush?

Një lojtar me karakter të fortë, në momente të tilla, edhe mund të marrë një të verdhë, por jo deri tek i kuqi, ishte e tepërt. E la skuadrën me 10 veta, çast që ndoshta edhe mund të ndryshonte diçka. Edhe Daja e futi që ai të bënte liderin në fushë, si golashënuesi më i mirë i Tiranës, por ai e la skuadrën në baltë. Dhe më vjen keq për Bakajn. Edhe pse 2-0 në disavantazh, besoj se shpresat ishin, por në inferioritet numerik gjithçka u bë edhe më e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Si e shihni të ardhmen e Tiranës?

Duhet ta marrë me qetësi dhe të mendojë seriozisht për të ardhmen. Europa është shpëtim tani, pasi nga Kupa është eliminuar. Në këtë situatë që është, vetëm vendi i tretë do ishte shpëtim. Kjo mund të ndreqë diçka.

Keni një këshillë për drejtuesit dhe stafin?

Këto fatkeqësi ndodhin në futboll. Por nuk duhet ta marrin me sportivitet këtë humbje. Por me qetësi të analizojnë gjithçka mirë dhe të gjejnë gabimet se ku çalojnë, gjithashtu të gjejnë edhe formën sesi mund të rregullohet kjo punë.

Si ka mundësi që një ekip ndryshon fytyrë në tri ndeshje radhazi?

Kjo ka ardhur edhe prej mungesave ndoshta. Kanë qenë determinante. Pikat kryesore të ekipit nuk kanë qenë. Ka pasur probleme në mbrojtje, mungonin titullarët, ka pasur në sulm, kur dihet që një “pykë” nuk e ka. Pa Bakajn dhe Muçën u bë më e vështirë. Mesfusha duhet të ishte ndryshe, lojtarët që kanë më tepër eksperiencë duhet të bënin më tepër. Duhet të jenë më të përgjegjshëm.

Kishte ndonjë lojtar që ju “ngjiti” në fushë?

Në pjesën e parë, deri diku Lika, edhe Fukui luftoi gjatë gjithë lojës, por pa pasur cilësinë e duhur për të bërë diferencën. Për të tjerët pastaj s’kam koment.

A do ndikojë psikologjikisht te Tirana kjo disfatë?

Do të ndikojë shumë. Por nëse arrin Europën, mund ta kalojë këtë siklet. Gjithsesi nuk duhet të dorëzohet, pasi Kupa i iku nga duart. E vetmja rrugë mbetet kampionati, janë edhe 12 ndeshje deri në finish, ndaj s’i mbetet gjë tjetër veçse të rikuperojë diçka.

Kërkohej me ngulm një sulmues, por s’e gjetën kurrë…

Edhe ai që erdhi nuk u bë kurrë pjesë e Tiranës. Nuk kanë goditur në merkato. Nuk gjetën të duhurin, por në fakt unë mendoj se në tre repartet ka probleme, edhe në mbrojtje e në mesfushë. Por të ishte bërë një merkato më e mirë, sot mund të flisnim ndryshe.

Si ish-lojtar dhe trajner i Tiranës, çfarë menduat apo ndiet dje (pardje)?

Jam ndier shumë keq, e them me sinqeritet këtë. Më vjen keq për Halilin, pasi po investon shumë dhe nuk po fiton gjë. Ndoshta duhet një politikë ndryshe. Do jetë e vështirë, por një skuadër e mirë duket kur i kalon edhe kriza të tilla. Nëse marrin një trepikësh me Flamurtarin, atëherë do ta rrisin pak moralin. Elementët janë po ata.

Teuta dhe Kukësi shtojnë presionin, a do t’ia rrezikojnë Europën Tiranës?

Tirana duhet ta marrë me qetësi tani, pasi lojtarët nuk ka ku t’i gjejë. Merkatoja u mbyll. Me atë grup që ka, të mbledhë forcat dhe të gjejë karakterin që i mungon, t’u injektohet karakteri që ky klub ka.

Po garën e titullit si e shihni?

Shoh një Skënderbe të fortë. Janë të kompletuar dhe prodhojnë futboll. E nxjerrin golin nga hiçi. Pastaj kanë kualitete si Lilaj, Vangjeli e Osmani, Radas e Shehi në portë që bëjnë diferencën. Gjë që nuk e kanë ekipet e tjera. Ndërsa Partizanin e shoh agresiv, që di çfarë kërkon dhe ka një trajner specialist si Agostineli, i cili e bën këtë skuadër me të vërtetë të rrezikshme.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: