Një memorandum mirëkuptimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për projektin e dixhitalizimit të muzeve Onufri – Berat dhe Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë u nënshkrua sot në mjediset e kësaj ministrie.

Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe co-Drejtorët Ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Projekti: “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë” merr në konsideratë vlerësim digjitalizimin e koleksioneve dhe zbatimin e teknologjisë ndërvepruese në hapësirat e dy muzeve kombëtar të dedikuar artit mesjetar dhe ikonografisë.

Muzeu kombëtar i ikonografisë ONUFRI dhe Muzeu kombëtar i Artit Mesjetar, ruajnë koleksione shumë të pasura dhe disa nga objektet unikale të artit ikonografik në Shqipëri dhe rajon.

Projekti ka për qëllim të ruajë dhe promovojë vlerën unike të këtyre fondeve muzeore duke bashkuar trashëgiminë kulturore dhe teknologjinë, si dy elementë premtues në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të muzeve te konsideruar gurë themeli për industrinë e turizmit kulturor.

Ky memorandum ka për qëllim të ruajë dhe promovojë më tej vlerat unike të këtyre muzeve; të pasurojë eksperiencën e vizitorëve në muze përpara , gjatë edhe pas vizitës së tyre; të nxjerrë e përpunojë të dhëna të rëndësishme për stafet e muzeve; të ndihmojë stafet e muzeve për të hartuar strategji bashkëkohore për nxitjen e zhvillimin e interesit të vizitorëve dhe të prodhojë materiale informuese në ndihmë të kërkimit shkencor dhe edukimit në muze.

Ky bashkëpunim, që ka për qëllim të zhvillojë e përmirësojë më tej nëpërmjet teknologjisë Muzeun Kombëtar të Ikonografisë ONUFRI në Berat dhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, është vetëm fillimi i një projekti të madh që do të vazhdojë edhe në muze të tjerë kombëtarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: