TIRANE- Aksioni kundër informalitetit ka bërë bashkë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme, me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi për ta bërë edhe më të frytdhënës këtë operacion. Marrëveshja synon të koordinojnë punën e institucioneve të linjës për të realizuar me sukses luftën kundër evazionit, kontrabandës, dhe çdo forme të krimit ekonomik.

Kreu i qeverisë tha se ky memorandun synon të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve për të arritur deri tek evazorët e mëdhenj, pasi sipas tij “krimi financiar në këtë nivel nuk është goditur prej 20 vitesh”.

“Reforma në drejtësi është kambanë alarmi për vendin. Dhe në këtë betejë duhet të fitojnë të gjithë ata që respektojnë ligjin, dhe nuk përfitojnë në kurriz të qytetarëve apo shoqërisë. Aksioni kundër informalitetit nuk është një luftë kundër biznesit, kundër sipërmarrësve apo më të vegjëlve. Arsyeja pse ne jemi sot në dyert e çdo aktiviteti në gjithë zonat urbane të vendit, është shumë e thjeshtë, sepse janë pikat fundore të një zinxhiri evazioni që hallkën e madhe e kanë të pikat e shpërndarjes ku fillon e gjitha kjo. Pa dyshim që ky memorandum në qëllimin e vet synon bashkëpunimin e fortë mes këtyre institucioneve për të identifikuar dhe ndaluar evazorët e mëdhenj, dhe goditjen e krimit financiar që prej 20 e kusur vitesh nuk është prekur kurrë në Shqipëri. Jemi të vendosur të përballemi me të gjithë sfidat që kjo betejë ka. Edhe pse sfida fundore mbetet përballja me gjykatësit e korruptuar. Asnjë gjykatës nuk duhet të mendojë se drejtësia vonon përgjithmonë. Drejtësia vonon, por nuk harron. Dhe drejtësia nuk do harrojë ata që me çekiçin e gjykatësit shkelin çdo ditë të drejta qytetarësh, komuniteti, apo të gjithë shoqërisë”, tha kryeministri Rama.

CANI: ESHTE RRITUR PAJISJA ME KUPON TATIMOR NGA BIZNESET
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi në fjalën e tij se operacioni i qeverisë po ecën suksesshëm dhe nëse do të vijohet me këtë ritëm, qeveria do të jetë në gjendje të realizojë objektivat e vendosura.

Sipas tij, operacioni duhet konsideruar reformë dhe jo aksion disa javësh. Duke u ndalur në shifra, Cani tha se vetëm në dy muaj janë regjistruar rreth 15 mijë biznese të reja, ndërsa deri në fund të vitit kjo shifër pritet të shkojë në 30 mijë.

“Rrritje me 50 % ka patur kuponi tatimor, edhe fatura tatimore është rritur ndjeshëm, ndërsa rritje ka patur edhe numri i punonjësve të regjistruar”, deklaroi Cani.

TAHIRI: MARRËVESHJE KUNDËR INFORMALITETIT
“Duhet një platformë bashkëpunimi të përhershëm mes institucioneve. Do të bashkëpunojmë kundër krimit ekonomik, dhe do t’i japim shtysë hetimeve në fushës e krimin financiar. Do të bashkëpunojmë të gjithë institucionet në lutën kundër evazionit, kontrabandës dhe gjithë llojeve të krimeve ekonomike”, tha ministri Tahiri.

LLALLA: QËLLIM, GODITJA E INFORMALITETIT
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për goditjen e krimit ekonomik. Do të kryejmë hetime të plota si për shkelësit e ligjit, bizneset, ashtu edhe zyrtarët e kartë publikë. Do të hetohen të gjithë si të barabartë para ligjit. Masat ndëshkuese do të merren në proporcion me pasojën e ardhur. Po kështu do të kemi në fokus edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Ftoj qytetarët që të denoncojnë çdo abuzim nga ana e zyrtarëve publike, apo të denoncojnë çdo shkelje të ligjit”, tha kryeprokurori Llalla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb