30 gushti, shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Në Shqipëri, rreth 6,000 vetë humbën jetën gjatë komunizmit, ekzekutuar me apo pa gjyq farse, vdekur në burgje apo nga kushtet çnjerëzore, por varret e tyre nuk shënoheshin dhe nuk ju tregoheshin familjareve.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka vendosur që të promovojë idenë e një memoriali në kampin famëkeq të Tepelenës, ku humbën varret e qindra personave, sidomos fëmijë.

Ky aktivitet do të organizohet me datë 30 Gusht në Tepelenë, dhe AIDSSH fton qytetarë të interesuar, të mbijetuar dhe familjarë të tyre, për të përkujtuar vite vuajtjesh, jetët e humbura, dhe varre ende te pagjetura të qindra fëmijëve, vdekur nga uria e sëmundjet.

Sipas njoftimit, aty do të prezantohet një maket i memorialit, që do të përbëhet nga “Pylli i Fëmijëve”, rindërtimi i një prej barakave sipas modelit të vizatuar nga i mbijetuari Leke Pervizi, si dhe ide të tjera plotësuese.

Maketi është projektuar nga Gjon Radovani, familjar i një prej të mbijetuarve si dhe arkitekt me eksperiencë ndërkombëtare. Grupi i punës së AIDSSH kryesohet nga Simon Mirakaj, i mbijetuar i këtij kampi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb