Nga: BESIM NDREGJONI*
Nji popull që nderon burrat e vet, nji popull që pavdekson kujtimin e tyne, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem simbas shembullit të të Mëdhajve të vet.” (Luigj Gurakuqi) Kjo thënie e shqiptarit të madh Gurakuqi na shoqëronte në këtë ditë prilli ne dibranët që përuruam monumentin që tregon pavdekësinë dhe kujtimin e dibranëve antikomunistë që u vranë dhe u burgosën për liri, ndaj diktaturës komuniste, liri të cilën po e gëzojmë sot. Për ne dibranët, Dibra është një fushë e gjerë magnetike, që sa ma shumë ta shohësh, prekësh dhe ta përmendësh, aq më e dashur bëhet, aq më shumë ngrihet e lartësohet si një mal i lartë.
Ky memorial kujton historinë tragjike të Dibrës, e cila përjetoi për 45 vite komunizëm, një histori, qëndrese, vuajtjesh, lotësh nënash, na mallëngjen e na kujton kohën kur u flijuan burra e gra dibrane, na kujton pushkët e para antikomuniste të Halili Alisë e të Sef e Dan Kaloshit të Beqir Sines, të plakut patriot e antiserbit 70-vjeçar Llan Destan Ndregjonit, të Hakik Menës me vëllezërit e tij, të Lurës kreshnike, të çetave të Fiqiri Dines e të Hysni Demës… Një luftë civile ndaj banditëve terroristë që mbanin mbi kokat e tyre shenjat antishqiptare të sllavo-komunizmit dhe donin me i treguar Dibrës se hasmi shekullor serbët na ishin ba vllaznit e idealit komunist, të idealit internacional dhe çdo kundërshtim ndaj sllavëve ishte tradhti. Komunistët shqiptarë me ideologjinë e kriminalizuar e të neveritshme, kishin marrë hunët e zjarmit në dorë dhe digjnin kullat dibrane; ato kulla që i kishte djegur serbi, i digjnin komunistët. Memoriali i krimeve të komunizmit tregon plumbat që vranë dibranët e mirë e të mençur, Kaloshët e Ndret Sopotët e Capët e Maqellarës, Gjilagët e Oxhakut, e Pirajt, trima të paepur. Na sjell në vëmendje qëndresën e intelektualit dibran Edip Tërshana, që në vitet e para të ashtuquajtura “çlirim”, i drejtohej diktatorit se “ju jeni tradhtar i kombit dhe jeni shërbyes i sllavizmit”. Vrasjen e pafajshme të Hasan Dines së Maqellarës. Memoriali na apelon që kryeministri Fiqir Dinia i madh e Hysni Dema i Homeshit, e të gjithë dibranët antikomunistë kockat e të cilëve ndodhen në vendet e huaja, të kthehen në tokën dibrane, se për Dibrën dhanë gjithçka. Ky memorial është historia e burgut 25-vjeçar të Ali Maliqit të mençur që e vrau në burg Sigurimi i Shtetit 10 ditë para lirimit, të trimit Dine Dema që theu muret e hetuesisë e nuk pyeti për plumbat e banditëve komunistë. Dibra në luftë me serbët një shekull e nuk ishte dorëzuar, por do të binte pre e pabesisë së banditëve komunistë vetëm se këta ishin shqiptarë. Dibra e nëntë maleve, e 7 teqeve e tri oxhaqeve do të mbushej me kufoma fisnikësh nga shqiptarët aziatikë që vinin me terror e pabesi mbi popullin e pafajshëm e të mençur dibran. E, cila shpi e mirë në Dibër do t’i shpëtonte pushkatimit e burgimit?! Memoriali i krimeve komuniste nuk mund t’i xan të gjithë dibranët që u vranë me komunizmin, por është kujtesë, sfidë për mos me harruar plumbat e komunizmit e burgun e me sjell ndër mend punën e përbashkët e të detyrueshme që banë antikomunistët dibranë të burgosur në moçalet e Bedenit, Vloçishtit, Myzeqesë, e në aerodromet e Urës-Vajgurore dhe Rinasit, kampet shfarosëse të Burrelit, Gjirokastrës, Spaçit e Qaf-Barit dhe do të provonin së bashku me shqiptarët e tjerë, vuejtjet e përbashkëta, urinë, të ftohtit, dhimbjen e drunit të policit të kuq në kurrizet e tyre të krrusun nga pesha e randë e baltës ngjitëse dhe e çimentos në supe, e bisedave kokë më kokë me të burgosurit e tjerë, mbi fatin e vendit tonë, e sidomos mbi perspektivat e së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët! Maqellara e Dine Begut, Fushaliaj e Bllicja e Sale Demirit, Reçi e Dardha, Muhurri i mentarit Dine Hoxhës, Peshkopia e Sul Shehit, Brezhdani i Karahasanëve, e Kazideteve, Kastrioti i Xhilagëve, e Dohoshishti i Hysenagolleleve e Kadrieve, Sllova e Elez isufit, e Luznia e Murreve e Manukeve, Katergrykët e Murrës të persekutimit për CD katun, Lura e bajrakut, e çidhna e Nokajve e me Gjorica e Camajve, Bulqiza e Zerqani i sheheve patriotë e të pamposhtur, e radha nuk ka fund. Të gjitha katundet e Dibrës kanë pasur persekutimin e tyre 50-vjeçar, përbuzjen e diktaturës, eliminimin dhe zhdukjen me çdo kusht të mençurisë dibrane. Sot, ne që mbijetuem, kemi privilegjin me kujtue dhe me fillue nji jetë të re. O Dibra heroike e ditëve të vështira kombëtare! Ti meriton të jeshë krenare! Historia do të njohë përherë vlerën e aktit tand heroik. Historia yte do të frymëzojë brezëni të tana me mësimet që dhanë për të ardhmen herojt tuej, shumica heroj të heshtun. Mos u shkurajo nga heshtja që të rrethon sot, mos e humb shpresën se ditë ma të mira do të vijnë për ty – e për të gjithë ne – sepse heroizmi i vërtetë nuk konsumohet as nga koha, as nga hapësina. Katrahura politike që ngriti kokën mbas shembjes së turpshme të komunizmit ashtë nji plagë e randë por kalimtare. Dibra e Shqipëria meriton nji shtet e nji shoqëni të lirë, të lirë nga frika, sidomos frika qeveritare, dhe të lirë nga uria, papunësia dhe varfëria…. Dibra dhe Shqipëria meriton nji sistem politik të hapët, transparent, dhe plot respekt për çdo qytetar të lirë. Dibra dhe Shqipëria meriton nji emën që të respektohet nga bota e jashtëme. Dibra e Shqipëria meriton këtë respekt sepse e ka pague randë detyrën që vuni mbi shpatullat e saj nji histori e egër e të imponueme mbi shqiptarët pa pëlqimin e tyne. Dibra dhe Shqipëria meriton nji të ardhme të lumtun e premtuese sepse ka derdhë gjakun si lum për nji ditë të atillë. E në këtë përpjekje vigane për drejtësi të mohuese, Dibra e juej, Dibra ime, Dibra e të gjithë shqiptarëve zen nji vend nderi! Me lejue kriminelët komunistë të jetojnë pa dhanë llogari të krimeve monstruoze që kanë krye në kurriz të Dibrës e popullit tonë, don të thotë me mohue ekzistencën e këtyre krimeve, don të thotë se nuk ka pasë rezistencë antikomuniste, nuk ka pasë të arrestuem, të torturuem, të dënuem, të internuem, nuk ka pasë me mijëra të pushkatuem, don të thotë me mohue vuejtjet e familjeve tona dhe të të gjithë popullsisë së vendit tonë të shtypun pa mëshirë. Kjo don të thotë me mohue sakrificat e nanave, motrave, bijave, bashkëshorteve tona – të femnës dibrane e shqiptare që i dha dimensionin ma fisnik rezistencës sonë antikomuniste, – don të thotë të zhytesh në botën e krimit, ku gjithçka lejohet dhe askush nuk përgjigjet. Kjo, nuk ashtë Shqipëria për të cilën kemi luftue. Kjo nuk ashte Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarit të lirë për të cilën ne kemi andrrue si antikomunistë. Ne dibranët i thamë “jo” hakmarrjes, se kështu është morali ynë! Por drejtësi ne duam që të dënohen krimet makabre që iu bënë dibranëve e shqiptarëve. Në emën të të gjitha viktimave të komunizmit, dhe në emën të breznive të ardhme që nuk duhet të rijetojnë komunizmin, le të ngrejë zanin tonë sa ma nalt që mundemi, le të punojmë sa ma shumë e me sistem, le të mobilizohemi me gojë, me shkrim, me manifestime publike, e sidomos me forcën e votës së lirë që të ringjallim interesimin kombëtar e ndërkombëtar për padrejtësinë që jetojmë sot, dhe të zgjedhim si përfaqsues të së drejtës dhe të drejtësisë kolegët tonë që kan jetue vitet e shtypjes së militantizmit të çmendun komunist, ne vetë e familjet tona, le të nxjerrim në dritë dokumentacionin e duhun akuzues, dhe ta bajmë atë publik, material pedagogjik për edukimin e të rinjve me frymën e demokracisë që siguron lirinë e dinjitetin e çdo qytetari, pavarësisht nga ndryshimet e bindjeve politike që kemi. Memoriali apelon dhe ju kujton: “Mos harroni, sepse harresa ashtë vdekja e jonë e dytë. Memoriali i Dibrës i drejtohet shtetit shqiptar: “Mos na mohoni drejtësinë.” E Presidenti Nishani, i emocionuar përpara memorialit do të shprehej: “Nacionalizmi dibran nuk mund të ishte tjetër, e të bante heshtjen, por do të ishte antikomunist në mbrojtje të vlerave të kombit ndaj asaj diktature çfarosëse. Prandaj meriton mirnjohjen e shtetit e të shoqërisë.” E dibranët me një zë do t’i përgjigjeshin: Ne nuk do të harrojmë!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: