NGA JETON SELIMI

Dy humbje të pamerituara në finalet e Kampionatit Europian. Mesfushori Ledian Memushaj beson se Shqipëria meritonte më tepër nga sfidat me Zvicrën dhe Francën, megjithatë u bën thirrje shokëve të skuadrës që të përqendrohen te dueli i fundit në grup me Rumaninë.

“Normalisht që jemi të mërzitur, por tani duhet ta harrojmë edhe të mendojmë për ndeshjen me Rumaninë, pasi nuk kemi shumë kohë. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por ai goli i pësuar në minutën e 90-të na preu këmbët. Besoj që një pikë duhet të kishim marrë. Me këto dy ndeshje meritonim më tepër nga sa kemi arritur. Meritonim një pikë me Zvicrën dhe një ndaj Francës. Por, të gjitha këto duhet t’i hedhim pas shpine”.

Memushaj e ka të qartë se për të shpresuar te qëndrimi më i gjatë në Francë, Kombëtares i nevojitet me patjetër fitore, ndërsa pret që dueli i së dielës të jetë mjaft i bukur.

“Nuk e kemi bërë ende analizën për ndeshjen me Francën. Ajo ndeshje duhet harruar. Kemi tri ditë për të përgatitur ndeshjen me Rumaninë, që duhet ta fitojmë me patjetër. Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Rumaninë. Ata kanë vetëm një rezultat, sepse duan të fitojnë, ashtu si edhe ne. Pres një ndeshje të bukur me hapësira”.

Ndeshja në Lion do të fitohet nga taktika dhe grinta, por edhe nga skuadra që do të jetë më e freskët fizikisht. Për Memushajn, e rëndësishme është që skuadra të rikuperojë forcat përpara sfidës me Rumaninë.

“Tani mendoj vetëm të rikuperoj sa më mirë, sepse dje jemi lodhur shumë. Skuadra vrapoi shumë me Francën. Duhet të pushojmë edhe më pas të shohim se cili do të jetë më mirë fizikisht. Këto i vendos trajneri. Edhe Rumania ka luajtur dy ndeshje të vështira dhe fizikisht ka shpenzuar shumë, ashtu si ne kundër Zvicrës dhe Francës”.

Kukeli
Në konferencën për shtyp ishte edhe Kukeli që deklaroi: “Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira dhe nuk i kemi merituar humbjet. Me Zvicrën luajtëm shumë mirë dhe mund të kishim marrë një pikë, me Francën të gjithë e dinë atë që ndodhi. Rumania nuk është një kundërshtar i lehtë, janë paraqitur mirë me Francën dhe Zvicrën.

Tashmë duhet të tregojmë vlerat tona për të arritur një fitore”. Për Kukelin, një gol si ai i pari me Francën nuk duhej pësuar: “Nuk duhet ta kishim pësuar atë gol ashtu, me disa lojtarë kundërshtarë në zonë. Secili mbrojtës duhet të kishte markuar lojtarin e tij dhe Franca është një ekip i madh që nuk të fal. Kemi bërë disa gabime, deri në momentin e golit”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: