Bota e futbollit ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve, po shpenzohet gjithnjë e më shumë në merkato, me klubet që nuk kanë shumë durim të rrisin lojtarë nga akademitë, por preferojnë të marrin lojtarë të gatshëm. Vitet e fundit një rol shumë të rëndësishëm kanë marrë edhe agjentët e lojtarëve, me këta të fundit që po fitojnë miliona nga komisionet.

Corriere dello Sport shkruan se vetëm në vitin 2022, klubet e Serie A kanë shpenzuar afro 205,7 milionë euro për agjentët, një shifër rekord.

Klubi që ka shpenzuar më shumë për komisione këtë vit ka qenë Juventus me 51,3 milionë euro. Në vendin e dytë renditet Roma me 21,1 milionë euro, ndërsa podiumin e mbyll Inter me 20,5 milionë euro.

Në këtë klasifikim bie në sy fakti që Lazio, merkato e të cilës menaxhohet nga Igli Tare, ka shpenzuar vetëm 6,3 milionë euro për komisione.
(BalkanWeb)