Rey Manaj ka qenë protagonist me të dyja anë dyja anët e medaljes këtë të martë. Një postim i papërshtatshëm kundër De Biasit në vendin ideal për t’u futur në telashe për një futbollist, rrjetet sociale, dhe pastaj një gol me shpresat kundër Hungarisë.

Ka krijuar jo pak pështjellim një reagim i futbollistit të Përfaqësueses U-21 dhe Interit, Rey Manaj në profilin e tij në Facebook ku 18 vjeçari reagonte ashpër ndaj trajnerit De Biasi duke deklaruar se trajneri ka gënjyer kur është shprehur se ai i dërgon sms cdo javë për ta grumbulluar duke e ftuar trajnerin të publikojë mesazhet.

Por ai që sqaron gjithçka në këtë mes duket se është menaxheri i Manajt , Alberto “Jimmy” Fontana, ish portieri i mirënjohur italian që ka punuar për 4 vjet me De Biasin te Torino.

Ai shprehet se “Rey që është i grumbulluar me kombëtaren U-21 sot ju përcollën nga disa miq të tij disa deklarata ku i thanë që Misteri De Biasi paska folur dje duke i thënë që Rey i ka dërguar mesazhe për tu grumbulluar në kombëtare, dhe Rey që e ka kuptuar se ka gabuar, është rrëmbyer, ka dërguar këtë përgjigje në Facebook, por ka qenë komplet një keqkuptim. Kjo në kuptimin që Rey e ka shumë për zemër kombëtaren, është e vërtetë që i ka dërguar një sms Zotit De Biasi pas ndeshjes me Serbinë duke i thënë se ishte në dispozicion për tu grumbulluar për ndeshjen me Armeninë, por thënë gjithë këto Rey ka gabuar, pasi para së të shkruash duhet të dish saktësisht atë që është thënë.” ka deklaruar Fontana.

Menaxheri i Manajt shprehet se gjithçka ka ardhur pasi Manajt i janë përcjellë të keqinterpretuara apo shtrembëruara fjalët e De Biasit i cili ka thënë diçka të drejtë, që nuk mund të grumbullojë një futbollist vetëm se i çon një sms. Ndërsa talenti 18 vjeçar është nxituar, duke gabuar paksa, nga dashuria e madhe që ka për fanellën e Shqipërisë.

Ky problem lindi për asgjë është shprehur Fontana. ”Duhet kuptuar dhe që Rey është vetëm 18 vjeç dhe ndoshta u nxitua nga dëshira që ka për fanellën e kombëtares dhe dha këtë përgjigje duke treguar mungesë respekti ndaj një njeriu korrekt dhe të ndershëm si De Biasi. Djaloshi është i hidhëruar për atë që ka ndodhur dhe besoj se në orët e ardhshme do të kontaktojë me De Biasin për t’i kërkuar falje për atë që ka ndodhur”. theksoi ai .

Këto keqkuptime duhen mbyllur pa lindur ende mirë, por për ta thënë diçka të tillë duhet pritur edhe fjala e trajenrit De Biasi.

“Kam mundur të vlerësoj cilësitë morale dhe teknike të De Biasit, që edhe në momentet më të vështira sillet gjithmonë mirë, dhe unë shpresoj që ai ta falë, siç bën babai i familjes më një bir, një djalosh që është 18 vjeç dhe ka gabuar”

Topi kalon në anën e De Biasit. Rey ka gabuar por dhe ka kuptuar. Fakt është që Shqipëria ka nevojë edhe për djemtë si ai, që dëshirojnë me çdo kusht fanellën kuqezi dhe nuk ju ngrihet mendja për të parë diku gjetkë kur arrijnë në një ekip të madh si Interi apo Juventusi.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb