Arkeologu dhe historiani Neritan Ceka, anëtar i Akademisë së Shkencave ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ku ka folur për çështjen e Butrintit.
Ceka u shpreh pro formës së organizimit, por shprehu rezerva për përmbajtjen.

“Historia arkeologjike që para 4 vjetësh, në 2018, u ndryshuan 2 nene të ligjit mbi trashëgiminë kulturore dhe u fut koncepti i administrimit të parqeve arkeologjike nëpërmjet fondacioneve ose aktorëve privatë. Është një praktikë që ka filluar përpara.
Kemi 3 asete të Ministrisë së Kulturës që administrohen nga privati, Petrela, Kalaja e Lëkurësit dhe diçka tjetër. Ka pasur një praktikë për t’ia kaluar privatit administrimin e asetit.
Më 2018 u mendua për të kaluar në përmasa më të mëdha dhe natyrisht objektivi ka qenë Butrinti që në fillim, ne arkeologët e dinim këtë punë. Iu dha një studioje nëpërmjet fondacionit amerikano-shqiptar, këta e sponsorizuan dhe ia dhanë një studioje angleze që paraqiti një plan menaxhimi të Butrintit para 3 vjetësh. Që në atë kohë Ministria e Kulturës ka përgatitur një ligj i cili kalon direkt në Parlament. Problemi është që nuk ka pasur me të vërtetë një diskutim për mënyrën si do zbatohet ligji. Faktorët shqiptarë janë përjashtuar që në fillim nga kjo procedurë që kur u bë përpunimi i ligjit, që kur u bë edhe përpunimi i materialit mbi administrimin e Butrintit, ai që quhet plani i menaxhimit të integruar të parkut arkeologjik nuk pati asnjë arkeolog shqiptar, asnjë nga arkeologët që punon në Butrint. Gjithcka u bë me arkeologë të huaj. Siç e kanë këta, pinë verë të huaj dhe ujin e kanë të huaj. Në këtë logjikë që kanë një alergji për intelektualin shqiptar paraqitën një plan menaxhimi i cili ishte për të qarë hallin. Unë kam thënë që është një dokument i megalomanisë anglosaksone, Butrintin e kishin zbuluar anglezët, Butrinti ishte greko-romak, s’kishte asgjë, as shqiptare, as ilire, as epirote asnjë gjë”, tha ai.

Sipas Cekës, ky është një fondacion që ka një rekurs pozitiv në Shqipëri.
“Më në fund fondacioni që ka përgatitur këtë bëri një bashkëpunim me faktorët shqiptarë dhe ka paraqitur nëpërmjet ministrisë së Kulturës një plan se si do administrohet Butrinti sipas ligjit. Ky fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim krijoi një fondacion më të vogël për Butrintit. Fondacioni quhet privat, por është me kapital shtetëror amerikan, nuk kemi të bëjmë më një privat të vetëm, kemi të bëjmë me një bord sipas modelit amerikan që vepron. Ky është një fondacion që ka një rekurs pozitiv në Shqipëri, qoftë për shpenzimet e mëdha që ka bërë për muzeun e ikonave në Korçë që është muze modern, muzeun Marubi në Shkodër, të pazarit të ri dhe investimeve pa interes fitimi në shumë sektorë.
Defekti është se është një material që nuk është diskutuar nga specialistët. Unë që jam një specialist dhe nuk jam një privat, jam pjesë e Akademisë së Shkencave, siç është Apollon Baçe që është kompetent dhe as faktorë si Auron Tare që ka qenë, ka dhënë kontributin në krijimin e parkut arkeologjik të Butrintit që është anëtar i Këshillit të UNESCO-s. Ministria e Kulturës në Shqipëri është UFO. Ka një alergji të jashtëzakonshme për çdo gjë që është shqiptare, çdo intelektual shqiptar dhe i shumëzon me zero dhe ka çuar një material për të qarë hallin. Materiali që ka shkuar në ministri ngre probleme të mëdha. Është një akt shumë pozitiv që kjo formë organizmi paraqitet në Parlament, por me defekte të mëdha që duhet të ishin korrigjuar. Defekti kryesor është në përmbajtjen e tij. Nuk mund ta marrë një fondacion vetëm me të huaj dhe burokratë. Asnjë aty nuk përfaqëson shkencën shqiptare. Butrinti ka dy asete, ka aspektin material dhe faktori tjetër është faktori intelektual, i pasurisë së mirëfilltë dhe i gërmimeve që bëhen nga Instituti i Arkeologjisë. Në këtë dokument jo që s’janë fare ata që krijuan Butrintin, por nuk janë as ata që e interpretojnë Butrintit. Që në fillim të dokumentit del që Butrinti është greko-romak, në fakt është epiriot, kaon dhe prej asaj ka tre ndajshtime dhe asnjë nga këto ndajshtime nuk është grek për antikitetin. Jam dakord në formë, por kam rezerva në përmbajtje, siç kanë dhe kolegët e mi”, deklaroi Ceka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb