Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur kreut të PD, Lulzim Basha pasi ky i fundit e akuzoi qeverinë për një menaxhim të keq të pandemisë.

Manastirliu këmbëngul se shifrat reale e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion të mirë dhe jo të keq, por ajo thtoë se bilanci bëhet në fund të luftës e jo tani.

Për më tepër ajo përmend se prej korrikut testimet janë dyfishuar, teksa Shqipëria ka sot përqindjen më të ulët të mjekëve dhe infermierëve që janë infektuar nga COVID-19.

Po ashtu Manastirliu thotë se edhe bonusi për mjekët, infermierët dhe sanitarët është realitet prej 7 muajsh dhe do zgjasë deri ditën e fundit të pandemisë.

Sot kreu i PD, Lulzim Basha në një konferencë me gazetarët theksoi se gjendja në të cilën është Shqipëria nga ana shëndetësore dhe ekonomike është e pakrahasueshme me vendet e rajonit, dhe madje propozoi për qeverinë një paketë 6-mujore që kap vlerën e 312 mln eurove për të përballuar pasojat e pandemisë.

STATUSI NGA OGERTA MANASTIRLIU

 

Ftoj Kryetarin e Partisë Demokratike, që ashtu siç e pranoi se pandemia që ka prekur mbarë botën nuk ka ardhur prej qeverisë, të reflektojë edhe mbi këto fakte të thjeshta, që hedhin dritë mbi menaxhimin që qeveria shqiptare i ka bërë pandemisë:

? Prej muajit korrik, numri i testimeve është dyfishuar dhe do të vijojë të rritet bazuar në strategjinë tonë për kufizimin e përhapjes së virusit, të hartuar nga ekspertët e Komitetit Teknik në zbatim të rekomandimeve të OBSH. Mbi këtë Strategji bazuar në nevojat reale ekipet e shëndetësisë në  terren, testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë cdo rast të dyshuar, duke berë të mundur që mbi 80% e rasteve të izolohen brenda 48 orëve.

? Ka një arsye përse Shqipëria ka sot përqindjen më të ulët të mjekëve dhe infermierëve, që janë infektuar, për shkak të Covid19. Nëse do të pyesë stafet mjekësore që shërbimin ua ofrojnë qytetarëve tek koka e krevatit, dhe jo nëpërmjet dritares së Facebook-ut, me siguri do të mësonte se Shqipëria është ndër të paktët vende të rajonit ku mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar për as edhe një sekondë, që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit në Shqipëri.

? Shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi si veprimet e thjeshta aritmetikore. Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë – aspak më të keq – se sa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund.

? Bonusi prej 1000 Euro për mjekët, infermierët, epidemiologët dhe 500 Euro për sanitarët, shoferët e autoambulancave, është realitet prej shtatë muajsh dhe do të zgjasë deri ditën e fundit të kësaj pandemie.

? E fundit, sa për pagat e mjekëve, ata janë shumë të kthjellët për të bërë dallimin mes një rritjeje prej 40% që po bëhet realitet, dhe premtimeve, të cilave po t’u besosh sot, është njësoj si të shohësh shinat e hekurta të tramvajit nëpër rrugët e Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb