Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

MBLEDHJA E BYROSË POLITIKE

17 dhjetor 1981

Mbledhja e lajmëruar më parë për qëndrimin përfundimtar ndaj Mehmet Shehut. Mbledhja është zhvilluar në dy seanca. Mbledhja paradite kishte si temë fjalën e Mehmet Shehut. Ai ka bërë autokritikë për fejesën e djalit të tij. Autokritika e Mehmet Shehut është kundërshtuar me militantizëm, me diskutime e brohoritje në formë kori nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Mbledhjen e pasdites e hapi Enver Hoxha, i cili i ftonte anëtarët e Byrosë Politike t‘i thoshin fjalët e tyre hapur, të gjykonin veprimet e gabimet e Mehmet Shehut për fejesën e djalit të tij me një vajzë me prejardhje reaksionare dhe gabime të tjera.

Të gjithë anëtarët e Byrosë ishin shprehur se nuk ishin dakord me autokritikën e tij dhe se kërkonin që të thellohej, duke e quajtur gabimin e tij një gabim të rëndë politik, gabim të madh dhe se e kishte lejuar me ndërgjegje fejesën e djalit me një vajzë me prejardhje reaksionare, se kjo ishte në kundërshtim me vijën e partisë dhe luftën e klasave dhe rrezikonte vetë PPSH-në. Të gjithë anëtarët e Byrosë iu kundërvunë Mehmetit. E akuzuan atë edhe për qëndrime liberale ndaj fëmijëve të tij e të tjera.

Simon Stefani: “Mehmeti mundohet t‘i rrumbullakosë gjërat. Qëndrimi i Mehmetit është njëlloj si qëndrimi i Fiqiretit. Kam qenë në mbledhjen e organizatës bazë, ku bënte pjesë ajo dhe në autokritikën e saj ishte i njëjti qëndrim. Nuk doni t‘i nxirrni rrënjët ideologjike, mundoheni ta kaloni me fjalë të përgjithshme. Shkaqet ideologjike nuk doni t‘i zbërtheni. Nuk doni ta thoni, shoku Mehmet, atë që këtë gabim e keni bërë me ndërgjegje për t‘iu kundërvënë vijës së partisë“. Në fund ai ka propozuar që Mehmetit t›i jepej një vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit.

Lenka Çuko: “Kur jemi pranuar në parti, kemi thënë që të jemi besnikë të PPSH-së dhe të sinqertë“. Ajo e kritikonte Mehmetin për sjelljet e veprimet e tij. i cilësonte ato në kundërshtim me vijën e partisë. “Bën pazarllëqe me armiqtë, imperialistët, zbut luftën e klasave etj., etj.“ Ajo u shpreh se ishte dakord me masën kundër Mehmetit që propozoi Simon Stefani.

Manush Myftiu: Në diskutimin e tij kritikonte ashpër veprimet e Mehmetit për fejesën e djalit. E cilësonte autokritikën e Mehmetit jo të mirë, jo të thellë e të sinqertë. Se nuk e linte sedra e sëmurë të gjykonte drejt si komunist, t‘i thoshte gjërat hapur etj. Ai tha se për masën do ta jepte mendimin e tij pasi të dëgjonte edhe një herë autokritikën e Mehmetit. i ka bërë thirrje Mehmetit që të thellohej në autokritikën e tij.

Qemal Lame
Qemal Lame

Rita Marko: Thekson se Mehmeti nuk ka qenë i bindur për prishjen e fejesës me kritikat që i bëri Enveri. “Keni pranuar ta bëni këtë ndarje nga autoriteti i udhëheqjes së partisë. Po të ishit i bindur, do ta analizonit mirë, nuk do ta paraqitnit këtë në autokritikë si një rastësi. Nuk keni bërë luftë klasash me nusen dhe djalin. Ata nuk janë aspak normalë, vishen në mënyrë që habitin të tjerët dhe thua se keni bërë luftë klasash“. Jam dakord me masën e propozuar për vërejtje në kartën e regjistrimit.

Adil Çarçani: “Me këtë gabim të rëndë të tij ka dëmtuar rëndë interesat e partisë në zhvillimin e luftës së klasave. Ka dhënë një shembull shumë të keq në këtë luftë klase. Dhe një komunist i thjeshtë nuk e bën këtë gabim“, u shpreh Adil Çarçani, i cili e kritikonte Mehmetin për veprime jo të mira si kryeministër, për mendjemadhësi, arrogancë e tendencë kulti. Jam dakord me masën e propozuar nga Simon Stefani.

Pali Miska: “Gabimi i tij është gabim politik e ideologjik, zgjodhi rrugën që ishte në kundërshtim me vijën e partisë. Në autokritikën e tij Mehmeti merr në mbrojtje Fiqiretin e djalin, duke thënë se ata nuk kanë faj. Fiqireti ka qenë nxitëse për këtë fejesë. Ti, Mehmet, duke i mbajtur në mbrojtje, nuk e ndihmon partinë. Fiqireti ka faj të madh si anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së“. Jam dakord me propozimin e Simon Stefanit.

Kadri Hazbiu: Në diskutimin e tij dukej i tensionuar, jo i qetë. E kritikonte ashpër Mehmetin për fejesën e djalit, e cilësonte këtë veprim në kundërshtim me vijën e partisë, se e kishte dëmtuar këtë vijë. i drejtohet Mehmetit duke i thënë: “Ti ke vepruar pa pyetur partinë, të ka pëlqyer vetja. i keni dhënë preferencë vetes në punën tuaj. Ke vënë veten mbi normat e partisë, te ju ka ekzistuar mendimi që në… parti për ju ka dy disiplina dhe dy rregulla. Ti duhet të shkundesh në ndërgjegjen tënde, ndryshe do të bësh gabim më të madh e me shumë pasoja për partinë. Ti ke dyshuar dhe nuk ke pasur besim te partia. Më ke thënë mua se të kontrollohen telefonat. Të kam thënë se fëmijët e tu nuk janë në rregull, se frekuentojnë tavernat ku janë të huajt. Vishen jo mirë, por ti nuk i ke pritur mirë këto. Ke pasur tendencë për t’u dukur, të rritësh kultin tënd. Nëpër stenda në ushtri, krahas fotografive të shokut Enver Hoxha, janë vënë edhe fotografitë e tua. Përgjegjësia e Mehmetit është e rëndë dhe duhet të reflektojë. Kjo ndihmë e Byrosë Politike duhet t‘i vlejë Mehmet Shehut për të bërë kthesë në jetë dhe në veprimtarinë e tij. Jam dakord me masën që Mehmeti të ndëshkohet me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit“.

Hekuran Isai: Hekuran Isai nuk ishte i pranishëm në atë mbledhje të Byrosë Politike për arsye se i kishte vdekur e ëma. Në këtë mbledhje është lexuar diskutimi i gjatë që ai kishte përgatitur më parë. “Në çdo vend flitet partia dhe qeveria, vendosen së bashku fotografitë e Sekretarit të Parë të Komiteti Qendror të Partisë me atë të kryeministrit, vendosen nëpër mure dhe citatet e shokut Mehmet, si për disiplinën, për artin ushtarak etj. Kjo nuk është e drejtë dhe shoku Mehmet duhet t’i kuptojë drejt këto. Në qoftë se nuk kuptohen drejt, atëherë marrin kuptim tjetër. Në qeveri dëgjohet vetëm kryeministri. Dominon vetëm një person, shoku Mehmet, që kujtdo ia pret fjalën, që këmbëngul t‘i shkojë e tija. Shfaqje të dualizmit ka pasur kudo, si rrjedhojë e dualizmit nga lart, këto cenojnë parimin e centralizmit demokratik. Mehmeti ka mendjemadhësi. Ai ka nënvlerësuar armikun e klasës, rrezikun e djathtë. Ka humbur vigjilencën“, thuhej në fjalimin e Hekuran Isait, që nuk mund të linte pa kritikuar Mehmetin për fejesën e djalit.

“Mehmeti e ka mbivlerësuar vetveten, është shprehje e mendjemadhësisë, nënvlerësim i mendjeve të të tjerëve, duke i quajtur ato të vogla. Fejesa e djalit është pika më kulminante e mendjemadhësisë suaj. Në këtë rast e vutë veten në një pozitë të privilegjuar, prandaj nuk pyetët as shokët. Ti ke unin tënd, do të nxjerrësh meritat e tua vend e pa vend, meritat e Brigadës së Parë për çlirimin e Tiranës dhe jo ato të Shtabit të Përgjithshëm etj.

Ramiz Alia: “Ky veprim është një gabim shumë i rëndë politik dhe ideologjik. Duke pranuar të lidhë krushqi me një familje të tillë, Mehmeti injoroi dhe shkeli çështjen themelore të vijës së partisë, parimin e luftës së klasave, zhduku vijën e demarkacionit që ndan komunistët nga armiqtë e klasës. Ky veprim nuk është një rastësi, por ka të bëjë me botëkuptimin e tij në kundërshtim me vijën e partisë. Veprimi që i lejoi vetes Mehmet Shehu përbën një goditje të rëndë për partinë dhe vijën e saj. Ai e dëmtoi rëndë PPSH-në dhe këtë ngjarje e shfrytëzuan armiqtë dhe oportunistët për të marrë nëpër gojë udhëheqjen e partisë dhe për të vënë në dyshim vijën e saj mbi luftën e klasave etj. Dëmet do të ishin më të mëdha po të mos kishte ndërhyrë shoku Enver. Në PPSH do të krijohej një konfuzion i madh ideologjik mbi luftën e klasave. Kjo do ta çante partinë dhe do të krijonte një luftë në parti. Do të nxiste dy vija, do të kishte një çarje komplet të partisë, që nga poshtë deri lart, deri te ne. Kjo është fatale për partinë, për tërë jetën tonë. Mehmeti po bashkohej me armikun e klasës.“ …

“Mehmeti dhe familja e dinin mirë se kush ishte kjo familje që bënë fejesën, ata ishin të ndërgjegjshëm se duke pranuar këtë fejesë vepronin në kundërshtim me vijën dhe normat e partisë. Kjo është e vërteta. Mehmeti ra në këto gabime nga mendjemadhësia, mbivlerësimi i vetes, kuptimi i shtrembër i vijës së partisë për luftën e klasave, është kufizuar te „familja e ngushtë“, që është injorim i mësimeve dhe normave të partisë se kush përfshihet në rrethin familjar. i çuditshëm është arsyetimi i Mehmetit se ne do të influenconim për më mirë te kjo vajzë. Kjo është thellësisht e gabuar, interpretim i luftës së klasave, është shprehje e oportunizmit të djathtë.“

Ramizi e kritikoi Mehmetin edhe për shkeljet e fëmijëve, sidomos për qëndrim liberal ndaj tyre. Për sjellje të pahijshme të tyre, që bëjnë skandale, që vishen ekstravagantë, që kanë qenë përçues të modës së huaj. Sipas tij, të gjitha këto janë të lidhura me konceptin e Mehmetit mbi luftën e klasave. E kritikon Mehmetin për arrogancë, i përmend gabimet e tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, metodën jo të mirë të drejtimit, mendjemadhësinë, unin, kultin e tij etj. Në fund ka shprehur mendimin për ndëshkimin e Mehmetit me “vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb