Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për koronavirusin, tha se në Shqipëri, pandemia ka përmasa normale nëse krahasohet me trendet europiane.

“Koronavirusi është bërë më agresiv si shpërndarje- thonë ekspertët, por më pak vdekjeprurës. Por është realitet se jemi duke e prekur më shumë psikologjikisht, sepse po ndërrojnë jetë edhe persona publikë. Jo se të tjerët nuk kanë rëndësi, se edhe ata jetë njerëzish janë, por mediatizimi, shtimi i testeve, mbushja e spitaleve ad hoc ka rritur frikën. Por Shqipëria – i besoj një të dhëne si numri i vdekjeve për një milion banorë, se ka një numër normal. Maqedonia për shembull ka shënuar rekorde të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19”, tha Nazarko.

I pyetur në lidhje me faktin nëse Sali Berisha duhet të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në PD, Nazarko u shpreh se kjo gjë nuk duhet të ndodhë.

Sipas tij, Berisha nuk duhet të jetë në listë për kandidat për deputet, pasi në fund të fundit ka humbur zgjedhjet e 2013 dhe se Basha duhet ta kapërcejë modelin e paraardhësit dhe në retorikë. E kuptoj dhimbjen e dikujt që jeton dhe ushqehet me politikë, mirpo ai ka një dimension të fuqishëm retorik që do mbetej steka e gjuhës së partisë së vet.

“Nuk e ndjej hapjen e PD. Nuk e ndjej, sepse edhe ndonëse ata thonë se kanë ftuar ekspertët më të mirë europianë apo amerikanë si konsulentë, sërish kemi ngrirje.  Zoti Mustafaj tha se 50 përqind e propozimeve janë figura të reja. I mbetem pikëpamjes se ajo që solli PD me KOP më 2004 ishte dicka e re, ndërsa sot duket pak e vështirë. Sa i takon zotit Berisha, unë besoj se nuk duhet që të jetë deputet. Sali Berisha e vendos vetë nëse do jetë, pse ai ka ende fuqi, ama Basha duhet të kapërcejë modelin e paraardhësit të tij dhe stekën e komunikimit të tij.  Berisha mund të jetë një këshilltar i mirë por vetëm kaq”, u shpreh Nazarko.

Më tej, Mentor Nazarko foli për situatën politike në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Ai tha se në Kosova ka një kaos të madh, kurse foli edhe për situatën politike në Shkup.

“Unë e shikoj se Kosova është një kaos që do rritet edhe më shumë me veprimin e Gjykatës speciale dhe fundin e mandatit të Presidentit Thaçi. LVV bëri një test të kompaktësisë së shumicës me mocionin e mosbesimit. Kemi probleme të brendshme të qeverisë së zotit Hoti, edhe për shkak të stilit të tij të aksionit që nuk është stil i reklamës, kemi mungesë të unitetit minimal përballë pandemisë, por dhe dialogut me Serbinë dhe gjithçka duket si lëvizje e crregullt. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, mendoj se megjithë meritat historike të  BDI, duhet t’ i japim kredit një figure si Zaev. Ka rilaksuar marrëdhëniet ndëretnike;  ka pasur përplasje edhe me shërbimet sekrete për procesin “Monstra”, etj,  mënyra si veproi duke përfshirë shqiptarë në lista ishte e jashtëzakonshme; ka paqësuar marrëdhëniet me Bullgarinë, dhe Greqinë duke zgjidhur probleme historike. Mirpo ka ardhur koha e një Marrëveshje të madhe historike kombëtare me Maqedoninë, dy traktate miqësie të saj me Shqipërinë dhe Kosovën

Zoran Zaev ka bërë më shumë se cdo lider maqedonas në këtë mandat dhe pritej të bënte dhe tani.

Mirpo  ku jemi sot? BDI që e ka kompaktsuar shqiptarinë me kërkesën për kryeministër shqiptar, praktikisht po insiston në një ves politik të vjetër kur ministrat shqiptarë janë personalitete teknike. Shumë simbolikë e bukur një kandidat kryeministror nga një familje mikste, por  mund të kemi edhe riskun e madh që të kemi qeveri totalisht maqedonase. Unë mendoj se Shqipëria duhet të angazhohet tani që zgjidhë krizën maqedonase. Ky traktat miqësie me Maqedoninë e veriut duhet të potencojë

rolin strategjik maqedonas si pikë kryqësimi e dy korridoreve dhe kontrollin edhe shqiptar mbi to: Po, ne angazhohemi për stabilitetin e Maqedonisë, dhe shqiptarët duhet të avancojnë statusin e tyre. Traktati duhet të parashikojë dhe bashkëpunimin infrastrukturor,  Prsh edhe Portin e Vlorës mund ta ndërtojmë me Maqedoninë e Veriut,  projekt që mund të vetfinancohet dhe pastaj ai të mbështesë përfundimin e Korridorit tetë”, saktësoi Nazarko.

(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb