Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, foli për një sërë zhvillimesh politike që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri.

Duke folur për dekorimin e ish-presidentit të Republikës Rexhep Meidani me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”, Nazarko tha  se ishte nderim i merituar dhe i vonuar, në të cilin mori pjesë me krenari të ligjshme, pasi kishte punuar si bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Nazarko vlerësoi figurën e Meidanit, që me profilin e tij të lartë shkencor ndërkombëtar, me integritetin e tij, urtësinë politike, shërbeu si pikë referimi e bashkësisë ndërkombëtare në një luftë si ajo e Kosovës, por dhe për ekuilibrin mes pushteteve. por edhe të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Rexhep Meidani vinte në atë detyrë, pasi së bashku me profesorë të tjerë kishte ndihmuar në ngritjen e fakultetit të shkencave të natyrës në Prishtinë dhe kishte njohje të situatës, por dhe të elitës shkencore që më pas u bë elitë politike në Kosovën e re. Rexhep Meidani ishte bashkëbiseduesi i privilegjuar i burrështetasve të mëdhenj botërorë si Klinton, Shirak, Bler, Shrëder, në këtë konflikt ndërkohë që në ekzekutiv ndryshoheshin kryeministrat nga Nano tek Majko, dhe ai e asistoi me maturinë e vet, evoluimin e qëndrimeve të tyre  nga shpëtimi i popullit shqiptar të Kosovës, nga gjenocidi i Milloshevicit deri tek pavarësimi i Republikës së Kosovës. Kjo është arsyeja pse e nderonin me praninë e tyre, Presidenti Thaçi, politikanët Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti.  Meidani u angazhua shumë me praninë e vet në emisionet më të rëndësishme të mediave ndërkombëtare të kohës, diçka që kontribuoi në imazhin tonë kombëtar.

Sa i takon Kushtetutës së 1998, ai ka dhënë kontribut, nga ana logjistike,  me inkurajimin e tij, por pa marrë pozicione në lidhje me fuqinë ekzekutive, apo kompetencat e pushteteve kryesore. Meidani vinte në atë institucion pas Berishës dhe ajo kushtetutë synonte natyralisht të minimizojë rolin e Presidencës. Por ka dy pamje në punimet e atij komisioni, për të cilin mund të flas me kompetencë. Në gusht të 1998, unë i paraqita vetë Presidentit një memo për kufizimet e mëdha të kompetencave të tij, zhveshje reale nga ato, dhe vetë Presidenti zgjodhi të mos reagonte. Pas grushtit të shtetit të dështuar të 14 shtatorit 1998, drejtuesit e Komisionit, i rritën kompetencat emëruese dhe garantiste të Presidentit, në pushtetin e drejtësisë, diçka që shërbeu për të kufizuar sadopak prirjet centralizuese të kryeministrave të kohës. të parë. Me përmendjen në motivacion të këtij momenti, Presidenti Meta ka dashur që të ndërtojë konstrastin mes Kushtetutës që ishte dhe kësaj që kemi, por Kushtetutat  janë në funksion të kohës.  Meidani ja kishte dhënë Klintonit atë dekoratë, duke i pëshëritur në vesh, se ja kishte ruajtur atë vetëm atij- në një ceremoni që u zhvillua në Harlem të Njujorkut, në maj 2002, dhe sot ai e merrte me plot meritë atë, tha Nazarko.

Duke folur për mungesën e Edi Ramës në ceremoninë e nderimit të Rexhep Meidanit, Nazarko theksoi se kryeministri duhet të ishte prezent, pavarësisht se marrëdhëniet mes tij e ish-presidentit kanë njohur luhatje në kohë të ndryshme.

“Unë dua të perifrazoj Berishën që përdor në mënyrë inflacioniste shprehjen, se -x-i (Rama) shkëlqente me mungesën e tij. Dua të kujtoj se ndërsa shoqëronte në zyrën e Meidanit,  personalitete franceze si akademiku Dryon,  apo Gluksman, Rama asokohe ka thënë se është krenar që është qytetar i një republike me president zotin Meidani. Mendoj se sulmet politike mes Ramës dhe Metës kanë bërë që kryeministri të mungojë në ceremoni.

Edi Rama fitoi  zgjedhjet dhe koha në njëfarë mënyre i dha të drejtë. Jetojmë në kohën kur politika ka mediatizim dhe kryetari i partisë ka rol shumë më të madh drejtues. Ndoshta jemi në kohën kur Rama duhet të rishikojë veten nëse don të drejtojë PS-në drejt mandatit të tretë”, deklaroi Nazarko.

Mentor Nazarko foli edhe për krizën e refugjatëve në Kakavijë, duke thënë se qeveria shqiptare duhet të asistonte më mirë fluksin e njerëzve.

“Unë them se arsyet pse Meta pozicionohet në mënyrë kritike janë legjitime deri diku, në kohën që opozita është jashtë institucioneve. Kuota 750 sa vetë do dalin nga Kakavia,aq sa hyjnë sot në aeroportin e Athinës, janë dhënë më datë 10 nga pala greke dhe ky ishte faktori që ka frikësuar shqiptarët. Në gushtin e 2019, kaluan 10 mijë persona në ditë. Me gjithë ndërhyrjen e zv ministrit të Brendshëm dhe të Jashtëm, apo atij të mbrojtjes, me kontaktimin e zonjës Xhaçka, apo të kryepeshkopit, i cili duhej të luante këtë rol më parë, si qytetar i mirë i Greqisë dhe Shqipërisë që është- prej informacioneve te mia nga Greqia ka qenë, zëvendësministri i Emergjencave Civile në Greqi i cili e ka lënë në këto nivele bllokimin në Kakavije.

Presidenti ka të drejtë kur thotë se qeveria shqiptare mund të asistonte më mirë këtë krizë, me ekipe shëndetësore, për tamponin, për kushtet sanitare, etj, etj. Nuk ka asnjë lidhje mes ngjarjeve mes Greqisë e Turqisë dhe asaj që ndodhi në Kakavijë.. Shqipëria ka dështuar rregullisht në manaxhimin e fluksit të njerëzve”, u shpreh Nazarko.

Duke folur për marrëdhënien mes Ramës e Metës, Nazarko u shpreh se ky raport varet nga uljengritjet e personaliteteve të tyre të fuqishëm, në varësi të ecurisë së reformës në drejtësi dhe relatat mes PS-së dhe LSI-së”-tha ai.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb