TIRANË

Analisti Mentor Nazarko e cilëson lojë dhe manovër politike qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Nazarko tha se synimi i tij është të optimizojë pozitën e PS në zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk besoj se jemi në krizë të fortë. Rama është një lojtar i vjetër politik, njësoj si Berisha. Është mësuar që në presionin ndërkombëtar të luajë deri në pikën e fundit të humnerës dhe më pas të marrë diçka në këmbim. Manovra politike synon të optimizojë pozitën e PS në zgjedhjet e ardhshme, duke synuar të të mbetet partia më e madhe dhe subjekti më i madh në zgjedhje. Të zvogëlojë avantazhin e një koalicioni PD-LSI në kufijtë e legales.
Nuk kam pare ndonjë pozicionim të qartë kundër të faktorit ndërkombëtar kundër kësaj loje. Do prisja ndonjë pozicionim tjetër më të fortë, madje dhe jo publik që ta detyrojë Ramën të rishikojë pozicionin e vet.
PS nëpërmjet Ramës po përpiqet ta optimizojë maksimalisht pozicionin e vet në zgjedhjet e ardhshme, duke patur parasysh konsumin e madh moral, politik, pas dy mandateve qeverisje. Ky është interpretimi taktik. Ka dhe një interpretim tekstual. Zoti Bardhi kishte plotësisht të drejtë se termi koalicione ekzistonte në marrëveshjen e dakorduar midis PS dhe PD me ndihmën ndërkombëtare.
Unë mendoj që ka ende hapësirë për marrëveshje”, deklaroi Nazarko.

Sa i përket qëndrimeve të ndërkombëtarëve ai tha se për ta është e vështirë të zhyten në truket ballkanike për koalicionet apo listat e hapura si këto që po flitet në Tiranë.
“E shoh të vështirë që ndërkombëtarët të zhyten në këto hollësi siç zhytet LSI apo PD. Rama përfiton nga kjo, ashtu si përfiton nga vullneti i qartë i presidencës gjermane që me Shqipërinë dhe Maqedoninë të çelen negociatat brenda dhjetorit”, tha ai.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese nga maxhoranca ai tha se “e gjykoj që nuk është mirë nga pikëpamja morale dhe politike për ndryshimet kushtetuese që të miratohen tani, ngutshëm, në këtë pjesë të mandatit, por nuk ka asgjë antikushtetuese”.

Për deputetët e rinj të Kuvendit, Nazarko tha se “ajo që quhet sot opozita parlamentare ka ditur brenda kësaj periudhe të bëjë pazaret e nevojshme, majtas dhe djathtas, por edhe të përpiqen të bëhen bartës dhe të disa ndjeshmërive që ekzistojnë në opinionin publik kundër partive tradicionale”.

“Hapja e listave është një përparim relativ përpara. Ata që janë në parlament sot janë përpjekur të jenë përfaqësues të këëtyre ndjeshmërive, si përshembull Lëvizja Nisma dhe Thurrje, etj.
Rama ndërkohë, i konsumuar, PS e tij, e konsumuar nga 2 mandate po tenton ta zmadhojë ombrellën e përfaqësimit të tij politik, duke thënë se unë do t’i marr përsipër nën këtë ombrellë, a jorgan dhe ndjeshmëri të tjera sociale apo të atyre lëvizjeve që ekzistojnë apo synojnë të krijohen. Kjo është lojë që synon të dobësojë opozitën. Ata që janë në parlament kanë de jure mandate të vlefshme që vlejnë për çdo marrëveshje: atë të 5 qershorit, apo marrëveshje të reja. Për mendimin tim do të ishte mirë të kishte një reformë kushtetuese konsensuale., Unë e shoh një manovër politike të Ramës.
Ka kënde shikimi të kësaj që po ndodh, e që e shikojnë si një grusht shteti i butë, në një kënd tjetër, PS po mundohet ta rishpikë veten pragmatikisht”, deklaroi analisti.

Ai tha se me tekstin e projektligjit që u miratua sot nuk përjashtohen totalisht koalicionet, ndërsa sa i përket opozitës Nazarko sugjeroi më shumë vendosmëri për fitoren.
“Opozita duhet të tregojë vendosmëri, besim në fitore. Në qoftë se e sheh si të vetmen rrugë që të fitojë këtë truk që po përdor Rama, kjo do të ishte është dobësi. Opozita duhet të demonstrojë vendosmëri në fitore.
Basha mendoj që po luan në pikëpamje taktike, po i çon mesazhe të koduara Ramës, demonstron një farë paniku, ndonëse nis çdo ligjërim duke thënë se kjo që po bën Rama tregon panik. Opozita ndihmon Ramën duke e mbajtur ligjërimin politik vetëm në këtë temë. Prisja që të ruhej konstruktiviteti në komunikim dhe të vijonte të merrej me tema ekonomike, të rindërtimit, etj. Pse përshembull, nuk po respektohen afatet e premtuara të rindërtimit të tërmetit, nga Rama në javët e para kur vizitonte familjet e prekura? Pres që opozita ta demonstrojë besimin në fitore këtë në mënyrë bindëse. Ka një të vërtetë në atë që thotë Rama se opozita nuk po frymëzon. Nëse ai do ndjente që opozita po frymëzon,- si do dukej përshembull në sondazhe dhe frymë, apo masë kritike, do tregonte më shumë panik sesa kaq”, deklaroi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb