Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se shpallja non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha parandaloi nervin më radikal të opozitës shqiptare, duke mos nxitur protesta të fuqishme në rrugë apo deri destabilizim për vendin.

“Kjo që po ndodh brenda PD-së është një skenar që e kemi parë, e kemi parë në zgjedhjet e 2001, kur si pasojë e një keqbërje apo manipulimi apo deformimi të procesit zgjedhor nëpërmjet skemës së Dushkut, u vendos që palët të bëjnë edhe zgjedhje konsensuale, si për presidentin, për kreun e KLSH-së etj. U parashikua që të modifikohet në atë kohë edhe Kodi Zgjedhor. Shqipëria është përballë një emergjence kombëtare, si hapja e mundshme e negociatave. Opozita është në pozicionin gjithmonë ankimues. Gjithçka që po ndodh nuk është diçka e re. Edhe Rama nuk dha dorëheqjen më 2009, është skenar i bërë edhe më herët. Sigurisht ka një ndryshim prsh Berisha non grata, por është i vogël. Shpallja non grata e Berishës parandaloi nervin e opozitës, sepse rrezikonte që të destabilizonte vendin në një moment si ky, kur priten të hapen negociatat”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko vlerësoi se Rama dëshiron që të krijojë në mandatin e tretë, imazhin e një njeriu të palodhur, që ka ende energji për të punuar.

“Rama ka parë se Berisha e Nano komunikonin dikur me mesazhe dhe ka parë sesi zhvillohet politika në këtë vend. Rama përjeton shumë dimensionin e vet në arenën ndërkombëtare. Rama do që të heqë imazhin njollosës së opozitës. Berisha thotë se shpallja non grata është për shkak të lobimit, pavarësisht se situata është më e komplikuar. Rama nuk do që të jetë nën presion e do të donte që të bënte një kompromis të madh historik, kjo do i interesonte. Rama do të krijojë idenë se është akoma i ri dhe me energji”, u shpreh Nazarko.

Në fund, Nazarko foli edhe për dialogun mes Kosovës dher Serbisë, duke deklaruar se Kosova duhet të japë diçka që të përfitojë njohjen nga Beogradi.

“Grenell e ngriti nivelin, sepse çështja e Kosovës shkoi në Shtëpinë e Bardhë. Këtë herë kemi lëvizje dyshe, për çështjen e Kosovës. Kosova kërkon njohjen reciproke, atëherë duhet të japë diçka të rëndësishme dhe sa janë për zgjidhje deri tani, ka pak zgjidhje. Kurti ka kënd shumë të ngushtë veprimi, duhet të tregojë një vizion të ri, që nuk e ka treguar. Kurti thotë se do të sjellë vizion të ri, duke pasur njerëz që janë ata të vjetrit. Nuk mund të ketë produkt të ri, kur rrethanat janë të vjetra”, përmbylli Nazarko.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb