Profesor Mentor Petrela, Shefi i Neurokirurgjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka pranuar të bëhet pjesë e listës së personaliteteve shqiptare, që bota.al po interviston në kuadër të serisë “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë, çfarë shkoi keq”.

Neurokirurgu të cilin “World Academy of Neurological Surgery” e ka përzgjedhur si një ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë dhe ka qenë për vite me radhë pjesë e strukturave botërore akademike, flet në këtë intervistë në lidhje me ndikimin që pati në Shqipëri rënia e Murit të Berlinit dhe ngjarjet transformuese të fundviteve tetëdhjetë, si dhe rrugëtimin e Shqipërisë përgjatë tranzicionit të vështirë.

Z. Petrela, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Rënien e Murit të Berlinit, që filloi në kufirin Austro-Hungarez e kam ndjekur nëpërmjet radiove BBC, RFI në shtëpi. Më kujtohet që të kem qenë tejet i emocionuar ato ditë, por gjithmonë shumë i kujdesshëm që të mos e manifestoja së jashtmi emocionin që kishte mbërthyer jo vetëm mua, por edhe shumë shqiptarë të tjerë.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Absolutisht që ka patur një ndikim në ngjarjet në të gjithë Evropën lindore, por padyshim që edhe në Shqipërinë tonë është ndjerë “dallga” e asaj ngjarjeje madhore për fatet e Evropës. Përndryshe, asgjë nuk do të kish ndodhur në Shqipëri, edhe sot e kësaj dite që bisedojmë së bashku.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Kritikat mendoj se duhet të jenë pafund, përderisa kaluam në një regjim tjetër. Secili prej vendeve të Lindjes së Evropës ka ndjekur një rrugëtim, i cili ka patur karakteristikat që lidhen me historinë kulturore të atij vendi. Unë mendoj se Shqipëria me vetëizolimin, varfërinë që kishte pllakosur dhe që e shihje ngado, krijoi kushtet që shkonin kundër shijes së jetës. Më kujtohet se në atë periudhë, përveç entuziazmit që na kaploi ne që kërkonim ndryshimin e atij sistemi, çdo gjë tjetër ngjante me një enigmë brenda rebusit. Komunizmi sundoi për një periudhë sa dyfishi i kohës së fashizmit, pothuajse trefishi i nazizmit. Duke parë në retrospektivë, zhvillimi i derisotëm është pozitiv e i padiskutueshëm, por unë mendoj se do të duhet edhe një gjeneratë, që botëkuptimi totalitar të transformohet në subkulturën e shqiptarëve.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Më kujtohet që në atë kohë kam menduar se shpëtuam nga diktatura, dhe ky ishte lajmi më i mirë. “Utopia” e perëndimit ishte diçka që e shihnim qartë në ekranet e televizioneve dhe e dëgjonim në radiot perëndimore. Përderisa perëndimorët, si të thuash “na morën në ngarkim”, unë kisha krijuar një besim se do të ndiqnim rrugën e duhur drejt një të ardhmeje më të mirë. Gjithësesi, entuziasmin tim e mbante nën kontroll edhe një lloj skepticizmi, i cili mu krijua sidomos pasi dëgjova një intervistë të Valery Giscard D’Estaing (ish politikan francez, President i Francës nga 1974 deri në 1981, i njohur gjithashtu si një prej ‘etërve’ të Bashkimit Evropian siç e njohim sot). D’Estaing thoshte në atë intervistë se “një mur ra, por tani na duhet të ndërtojmë një mur rregullash…”.

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Pjesa më e madhe shqiptarëve nuk e dinin se ç’ishte liria: atë instiktivisht e kishin “depozituar” te lideri. Demokracia, që është koncept sipas kulturave të popujve, natyrisht që u zhvillua si derivat i “kishës së kuqe”, pra Komitetit Qendror, në qoftë se do të citoj Gombrowitzin. Shkoi deri diku mirë decentralizimi, nga një ekonomi e përqëndruar tek ekonomia e tregut, edhe pse duke shfaqur një mungesë të respektit për pronën, me të gjitha paradokset që krijon vetë ky sistem, në krye të herës i pakuptueshëm, por i qartësuar më pas sidomos pas marrëveshjeve të Maltës. Në edukim dhe arsim, inflacioni i notës, që duhet thënë se kishte nisur që më herët, mos ngritja e institucionit të besimit – jo në kuptimin fetar si shoqëri post-ateiste – të qënit të varfër në mes të Evropës së pasur, të gjitha këto krijuan arkitipin shqiptar, mbas atij të njeriut të ri të komunizmit. Pasojat e luftës së klasave, megjithëse të kamufluara, ngjajnë me disa vende përreth nesh, por edhe disa vende të largëta, kryesisht provincave të ish Bashkimit Sovjetik. Miklimi me shoqërinë e hapur të Karl Popperit ndikon edhe më shumë në formimin e hibridit aktual, i cili i shtohet arkitipit që fola më lart. Ikja nga sistemi shkoi mirë në tranzicion, pasi njohëm realitetin e perëndimit, kapitalizmin. Nuk mund të pretendohet që çrrënjosjen e komunizmit ta kryenin vete komunistët, kështu që ajo do të duhet të zvjerdhet me disa gjenerata, pamvarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për integrimin në Bashkimin Evropian.

Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Komunizmi në Shqipëri ishte bazuar tek klasa e ulët, fshatarësia, me elitat që u masakruan. Ky fenomen nuk ndodhi në Çekosllovaki, Hungari apo vende të tjera lindore, ku ishte i fortë dominimi rus dhe ku klasa e mesme dhe ajo e sipërme ndërruan xhaketat e u bënë sekretarë partia. Ndaj unë mendoj se ka një diferencë të madhe tesuti social, për të pretenduar zhvillime paralele, apo për të patur një bazë krahasimore me këto vende.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Shqiptarët janë më proevropianë sepse janë populli më i varfër dhe më i vuajtur, dhe ata kanë fituar një liri të cilën janë të gatshëm ta “shesin” tek cilido “i fortë” që u qaset atyre, qoftë kjo Evropa apo SHBA. Gjithashtu, mendoj se kur liria individuale është në këto nivele, sipas shkallës evropiane të edukimit, mendoj që është më se e shpjegueshme. Por duhet të bëjmë kujdes sepse këto janë terrene pjellore ku mund të lulëzojnë kollaj populizmat apo fashizmat, dhe 93-përqindëshi proevropian, mund të konvertohet kollaj në “izma”-t e radhës.

Vonesa e derisotme mund të jetë e shpjegueshme nëse shihet si pasojë e zhvillimit, si dhe e komunizmit që në Shqipëri u bazua tek fshatarësia, gjë e cila “polli” klasën punëtore, me kryefjalë sakrificën dhe varfërinë. Shqiptarët e rifituan të drejtën që të jetojnë, ose më mirë të them, ta shijojnë jetën dhe të pasurohen, por duket se nuk kemi mbërritur ende në nivelin e integrimit. Unë mendoj se do t’ia dalim, pasi tashmë rrugën e kemi kuptuar, dhe ne jemi të gatshëm ta ndjekim atë. Mendoj se arsyet e vetme që do të sillnin ndryshimin e kësaj rruge do të ishin të tilla që nuk do të vareshin nga ne, fjala vjen, gjeostrategja apo ndryshimet klimatike etj.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Unë mendoj se klasa politike shqiptare është në standartin e shoqërisë postkomuniste dhe ajo i përgjigjet pikërisht këtij zhvillimi, pavarësisht makiazheve. Sidoqoftë, unë mendoj se ajo i ka marrë tashmë përgjegjësitë e veta dhe do të ndjekë orientimin euroatlantik, si një detyrim që e kërkojnë shqiptarët.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Mendoj se sistemi ynë ligjor ka patur një zhvillim, nëse do të kujtojmë se u nisëm nga një sistem pa mbrojtje, vetëm me prokurorë dhe gjykatësa. Po me të njëjtët u krye edhe kalimi në sistemin e ri dhe tani do të na duhet të presim integrimin në sistemin tonë të të shkolluarve në perëndim. Mendoj që reforma në drejtësi është diçka e mirë dhe e nevojshme, por nga ana tjetër kam pikëpyetjet e mia mbi faktin përse po eksperimentohet në Shqipëri – sipas asaj që thonë vetë ndërkombëtarët. Ndonjëherë më kujton Kinën, që provoi me ne autarkinë ekonomike, dhe më pas Ten Hsiao Pini ndërmori drejtimin e kundërt.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Shpresa e vetme për një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, sipas mendimit tim, mbetet integrimi në Bashkimin Evropian.

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Uroj anëtare me të drejta të plota e BE-së, gjithmonë nëse nacionalizmat nuk do ta shpërbëjnë atë. Ju faleminderit. / bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb