NGA FATMIRA NIKOLLI*
Merita Selimi Spahija është një prej artistëve që ekspozohen në “100 vjet vizatim shqiptar” në Galerinë Kombëtare. Punët e saj, janë ndër të fundmet e prezantuara, pasi i takojnë pas 1990-ës.
Në një intervistë për “GSH” ajo flet për punët e saj, çfarë e lidh me vizatimin dhe procesin e saj të punës. “Çdo artist ka një ndjeshmëri të caktuar apo një medium të tij, gjuha vizuale që unë përdor është ajo grafike, dhe kjo ka bërë ndoshta të shkoj drejt kësaj teknike e cila e lë subjektin më të ndjeshëm, me të vërtetë për shikuesin”, thotë Selimi, duke shtuar se “linjat dhe format e përdorura janë në funksion të veprës dhe se ideja bardh-zi më tërheq më shumë”. Kur e pyet për ndikimin që ka në punën e saj bashkëshorti Sadik Spahija, Merita përgjigjet se “Është i pranishëm gjithmonë me heshtjen e tij, të cilin unë e kuptoj kur e kam mirë apo keq një vepër. Jemi gjithnjë bashkëpunues për ide të ndryshme artistike apo projektet që na duhet të realizojmë gjithsecili në punën e tij, dhe ndihmojmë njëri-tjetrin me ‘mendime”. Mandej, ajo kujton se nuk e ka ndjerë periudhën e realizmit socialist. “Edukimi im ka qenë më liberal, nga pedagogët të cilët ishin të rinj dhe pastaj unë jam studente e viteve 90-të, ku filluan leksionet dhe bisedat kundër sistemit dhe kjo lëvizje drejtohej nga prof. Edi Rama dhe ne ishim të përfshirë në këtë lëvizje sa artistike aq dhe politike njëkohësisht”.
Paraqiteni në ekspozitën e G.K.A-së me punët tuaja. Cili është historiku i tyre?
Këto punime janë në vitet 1993-1994 kur unë sapo kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe jam pjesëmarrëse në ekspozitën kombëtare “Onufri” që organizohej nga Galeria Kombëtare e Arteve.
Në të cilën kam marrë dhe çmim të parë dhe të dytë dhe janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, janë të realizuara vetëm për këtë eveniment të rëndësishëm artistik të asaj periudhe.
Pse merreni kryesisht me vizatimin? Çfarë ju lidh kaq shumë me të? Çfarë ju tërheq më shumë, çfarë ju nxit të vizatoni?
Çdo artist ka një ndjeshmëri të caktuar apo një medium të tij, Gjuha vizuale që unë përdor është ajo grafike, dhe kjo ka bërë ndoshta të shkoj drejt kësaj teknike e cila e lë subjektin më të ndjeshëm, me të vërtetë për shikuesin. Vjen si skicë e mendimit të parë dhe i jep lirshmëri subjektit. Linjat dhe format e përdorura janë në funksion të veprës. Ideja bardh-zi më tërheq më shumë.
A i mbani mend vizatimet tuaja të para?
Vizatimet e para janë si gjithë vizatimet që bëjnë fëmijët, megjithëse ambienti im familjar ka qenë gjithnjë artistik, sepse merreshin me pikturë dhe muzikë dhe këtë rrugëtim e kam nga kjo edukatë artistike. Zgjedhja ka qenë nga djali i xhaxhait tim, Arben Selimi, i cili është piktor dhe tani jeton në Paris dhe ishte prezent në punimet që bëja dhe morëm të dy këtë rrugëtim.
Sa dhe si ka ndikuar Sadik Spahija tek puna juaj, dhe ju tek puna e tij? Keni bashkëpunuar?
Është i pranishëm gjithmonë me heshtjen e tij, të cilin unë e kuptoj kur e kam mirë apo keq një vepër. Jemi gjithnjë bashkëpunues për ide të ndryshme artistike apo projektet që na duhet të realizojmë gjithsecili në punën e tij dhe ndihmojmë njëri-tjetrin me “mendime”.
Sa ndryshojnë tematikat para 90-ës dhe pas saj?
Është periudhë e realizmit të cilën unë nuk e kam ndierë, sepse dhe edukimi im ka qenë më liberal, nga pedagogët të cilët ishin të rinj dhe pastaj unë jam studente e viteve 90-të, ku filluan leksionet dhe bisedat kundër sistemit dhe kjo lëvizje drejtohej nga prof.Edi Rama dhe ne ishim të përfshirë në këtë lëvizje sa artistike aq dhe politike njëkohësisht.
Sot ofrojnë një panoramë artistike shumëformëshe, herë me eko të qarta të së kaluarës realiste të shekullit të XX, e herë të tjera me përqasje tipike bashkëkohore, si një pasqyrë e realitetit artistik vendas dhe të huaj, lidhur fort pas mediumeve të ndryshme, si një formë krijimtarie kontemporane.
A keni ruajtur vizatime të fshehura mbase për shkak të asaj që kishit hedhur në letër?
Çfarë ju mësoni më shumë studenteve?
Duke mos ikur larg gjithmonë, kam thirrur vetveten. Unë nuk kam punuar kurrë në mënyra të tilla, kam qenë gjithnjë e sinqertë me punën time. Studentëve mundohem ti mësoj si ta duan artin. Mundohem ti mësoj atë ç’kam mësuar nga profesorët e mi dhe sidomos nga fryma artistike e Shkodrës, në të cilën jemi edukuar, të cilët flisnin me një kod të veçantë për kohën dhe ishte një fat për mua të mësoj prej tyre.
Sot mundohem t’i ofroj eksperiencat e ndryshme të artit bashkëkohor të cilën e kanë prezent dhe në arenën artistike, si dhe leximin i cili është një mangësi e theksuar e këtij brezi i cili ndikon shumë në nivelin kulturor të tyre.
A ka ndodhur të vizatoni për ironi të politikës ose si protestë ndaj saj? Në ç’rrethana? Dhe çfarë keni vizatuar, si e keni shprehur revoltën?
Në punën time ngjarjet e prishin rendin kohor dhe hapësinor ashtu siç jemi mësuar ta ndiejmë në jetën e përditshme. Kjo mundëson intensitetin e veprës dhe pikëlidhjen e saj me impulsin e jetës dhe të vetvetes. Ajo që synoj nëpërmjet veprës sime nuk është përmbysja e një mendimi, situate apo norme, përkundrazi është krijimi i një momenti për vetveten, një moment reflektimi, intimiteti i cili është krejt i yti dhe e shfrytëzoj për ta ridimensionuar atë në vepër.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb