Milano, pjesa kuqezi, ka nisur të ëndërrojnë për gjëra të mëdha, pasi Ibra dhe pjesa tjetër e stafit drejtues zhvilluan një merkato me “5 yje”, transferime “top” që ngjallin shpresë. Të martën zbarkoi edhe blerja e tyre e fundit, Joao Felix, por Ibrahimovic u ndal duke prezantuar investimin më të rëndësishëm në këtë sesion të merkato, Santiago Gimenez, me sulmuesin meksikan që i kushtoi klubit 32 milionë euro, plus 3 të tjera në formë bonuesh. Gimenez firmosi një kontratë deri më 30 qershor 2029, nga ku do të përfitojë 2 milionë euro në sezon:
“Ëndrra ime ka qenë të luajë në Evropë, dhe po e jetoj. Dua të lë gjurmën time në këtë skuadër të rëndësishme. Kam pasur një shqetësim të vogël, por tani jam gati”, u shpreh Gimenez gjatë prezantimit.
Në krah të Gimenez ishte dhe Ibrahimovic, me drejtorin e Milian që tani i kalon topin trajnerit Conceiçao-s: “E kemi ndjekur Gimenez që në verë, por e rëndësishme është që tani ndodhet këtu. Është një lojtar që ka cilësi. Dita e undit e merkatos ishte një ditë e ngarkuar, me shumë punë, por në fund arritëm atë që dëshironim. Kemi bërë 5 blerje dhe 5 shitje, tani kjo skuadër duhet të ndryshojë situatën. Nuk jemi të kënaqur me klasifikimin”, u shpreh Ibrahimovic.
Me 35 pikë në 22 javë, Milan renditet në vendin e 8-të në Serie A, 7 pikë larg zonës Champions.
(BalkanWeb)