GJERMANI– Kancelarja gjermane Angela Merkel e pranoi se dallimet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan janë të thella, por kreut të shtetit turk sakaq, iu rezervua një pritje me nderime të plotë ushtarake nga homologu gjerman.

Kancelarja nuk u tregua aq e butë, ajo që në fillim të takimit ngriti çështjen e shumëdiskutuar të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit në Turqi.

“E konsideroj mjaft të rëndësishme këtë vizitë sepse mes nesh ka dallime të mëdha, në zgjidhjen e të cilave, një takim personal mund të luajë rol thelbësor”, u shpreh Merkel.

Kancelarja gjermane ka qenë nën një presion të fortë për ta diskutuar këtë temë me Erdoganin gjatë vizitës shtetërore të tij të rrethuar nga polemika të shumta në mesin e perceptimeve se udhëheqësi turk po e çon vendin e tij drejt autoritarizmit.

Që në fillim të konferencës për shtyp, kancelarja përmendi rastin e qytetarëve gjermane të burgosur në Turqi e tha se ka kërkuar zgjidhjen e këtyre rasteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Erdogani nga ana e tij i anashkaloi kritikat duke këmbëngulur se i një rëndësie kyçe mbetet respekti për gjyqësorin. Merkel theksoi sidoqoftë në fund rëndesinë e ruajtjes se një marrëdhënieje të mirë me Turqinë duke kujtuar se stabiliteti ekonomik i këtij vendi, është në interesin e Gjermanisë.

Marrëdhëniet dypaleshe janë përkeqësuar gradualisht pas grushtit të dështuar të shtetit dy vjet më parë kur Ankaraja reagoi me masa drastike që përfshinin burgosjen e gazetarëve, ushtarëve e punonjësve publikë, e nuk kurseu as disa shtetas gjermanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb