Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërriti sot në Bejrut në kuadër të një turi në Lindjen e Mesme, në sfondin e polemikave në Gjermani për politikën e saj migratore.

Merkel u takua me kryeministrin libanez, Saad Hariri i cili e priti kancelaren në aeroport. Dy zyrtarët e lartë më pas u drejtuan për në godinën e qeverisë në kryeqytetin libanez.

Sipas zyrës së shtypit të Haririt, diskutimet kanë në fokus zhvillimet më të fundit në Liban dhe në rajon.

Kancelarja gjermane pritet të takohet të premten me presidentin Michel Aoun dhe do të mbajë një konferencë shtypi përpara se të kthehet në Gjermani, ku po përballet me një presion në rritje për frenimin e fluksit të migrantëve, shkruan atsh.

Përpara Libanit, Merkel zhvilloi një vizitë në Jordani, ku u takua me mbretin Abdullah II. Dy shtetet e Lindjes së Mesme presin numrin më të madh të refugjatëve për frymë në botë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: