Kancelarja gjermane Angela Merkel dje deklaroi se marrëveshja me SHBA-në mbi tubacionin e diskutueshëm të gazit “Rrjedha Veriore 2” është një “hap i mirë” por pranoi se nuk janë kapërcyer të gjitha dallimet.

Duke folur në konferencën e saj vjetore për media në Berlin, Merkel tha se “Ende ka mospajtime, këtë e pamë edhe nga reagimet”.

“Kjo është një përpjekje për të vendosur kushte të caktuara midis SHBA-së dhe Gjermanisë që gjithashtu duhet të zbatohen”, tha Merkel duke shtuar se është shumë e rëndësishme që Ukraina të mbetet vend transit i gazit dhe se energjia nuk mund të përdoret për ta vendosur Ukrainën në një situatë të vështirë.

Udhëheqësja gjermane tha se Rusia ia kishte bërë të qartë asaj se energjia nuk do të përdorej si një “armë”.

“Ne i besojmë fjalës së Rusisë dhe nuk jemi plotësisht të pambrojtur”, tha Merkel, duke iu referuar mundësisë së sanksioneve.

Në deklaratën e përbashkët SHBA-Gjermani të lëshuar të mërkurën, të dy vendet paralajmëruan Moskën kundër përdorimit të tubacionit të gazit “Rrjedha Veriore 2” si mjet kundër Kievit.

“Nëse Rusia përpiqet të përdorë energjinë si armë ose të kryejë veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës, Gjermania do të ndërmarrë veprime në nivelin kombëtar dhe do të kërkojë masa efektive në nivelin evropian, përfshirë sanksionet, për të kufizuar aftësitë e eksportit rus në Evropë në sektorin e energjisë, përfshirë gazin dhe në sektorë të tjerë ekonomikisht të rëndësishëm”, tha ajo.

“Ky zotim u bë për të siguruar se Rusia nuk do të keqpërdorë asnjë tubacion, përfshirë ‘Rrjedhën Veriore 2’, për të arritur qëllime agresive politike duke përdorur energjinë si armë”, thuhet në deklaratë.

Duke reaguar ndaj marrëveshjes “Rrjedha Veriore 2”, Ukraina dhe Polonia kundërshtuan hapin SHBA-Gjermani, duke thënë në një deklaratë të përbashkët se “Vendimi ka krijuar kërcënime politike, ushtarake dhe energjetike për Ukrainën dhe Evropën Qendrore”.

Varshava dhe Kievi u zotuan të vazhdojnë të luftojnë projektin e gazit derisa të plotësohen interesat e tyre të sigurisë.

“Ukraina dhe Polonia do të punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre për të kundërshtuar ‘Rrjedhën Veriore 2’ derisa të gjenden zgjidhje për të adresuar krizën e sigurisë të krijuar nga ‘Rrjedha Veriore 2’ që të sigurohet mbështetje për vendet që aspirojnë anëtarësimin në institucionet demokratike perëndimore dhe për të zvogëluar kërcënimet për paqen dhe sigurinë e energjisë”, theksohet në deklaratë.

Marrëveshja u njoftua vetëm disa ditë pasi Merkel vizitoi Washingtonin për bisedime me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

SHBA-ja edhe gjatë administratës së presidentëve të mëparshëm ka paralajmëruar se tubacioni është një marrëveshje e keqe për Gjermaninë dhe rrezikon sigurinë e energjisë evropiane si dhe paraqet rrezik që Rusia të ndërpresë furnizimet e gazit që aktualisht kalojnë përmes Ukrainës.

Sipas paktit, Berlini ra dakord të caktojë një të dërguar të posaçëm për të ndihmuar në zgjatjen e kontratës ekzistuese të gazit që ka me Rusinë “përtej” skadimit të saj aktual në vitin 2024.

Gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2” do të transportojë gaz nga Rusia në Gjermani, i cili më pas do të shpërndahet në të gjithë Bashkimin Evropian.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb