Muhamet Rrumbullaku është prezantuar mëngjesin e sotëm në postin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit një ditë pas marrjes së emërimit me vendim qeverie.

“E shoh si një sfidë institucionale. Ju falënderoj për besimin që më dhatë. Çdo përpjekje e imja do të shërbejë për përmbushjen e objektivave. Ju uroj të gjithëve punë të mbarë”-u shpreh ai.

Rrumbullaku prezantoi objektivat e detyrës së tij të re duke listuar mes tyre edhe porosinë e një dite më parë të kryeministrit Edi Rama për të hequr policët nga kontrollet e automjeteve për shpejtësinë në rrugë. Ai nënvizoi se një tjetër pikë është prezenca e policëve pa uniformë në rrugë për të rritur evidentimin e elementëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve.

“Shpresoj që karriera e gjatë drejtuese në strukturat e policisë të më shërbejë për të dhënë kontributin tim në luftën pa kompromis ndaj korrupsionit brenda dhe jashtë radhëve të policisë. Policia ka nevojë për një frymë të re që e sjell vetëm gjenerata e re e Policisë së Shtetit me përvojën e policëve të karrierës që janë shembull e model. Policia e shtetit mbart të gjitha kapacitetet e nevojshme. Çdo punonjës policie duhet të jetë komod brenda në organizatë.

Do garantoj disiplinë. Nuk ka vend për punonjës policie pa integritet moral, profesional, por për zyrtarë që e shohin punën si kontribut për komunitetin. Kjo do të arrihet me edukim dhe trajnim. Uniforma e çdo polici nuk është vetëm veshje por simbol i luftës së përhershme me krimin. Objektiva do të jenë reformë e thellë ligjore dhe arsimore në të gjitha nivelet e organizimit të Policisë. Rialokim i burimeve njerëzore, riorganizime lokale dhe qendrore.
Analizë për të gjitha mosrealizimet në luftën kundër krimit të organizuar, analizë e thelluar në luftën kundër paligjshmërisë, dekonspirimet e operacioneve policore për dhënien e masave në këtë drejtim. Vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik. Vendosja e inteligjencës në çdo veprimtari policore për hetimet proaktive. Së treti, riorganizim i kapaciteteve monitoruese të kontrollit në komunitet, krijimi i rrethanave të reja gjatë kontrolleve me prezencën e policëve pa uniformë me qëllim rritjen e evidentimit të fenomeneve që cenojnë sigurinë. Ulje e prezencës së policëve në territorin e vendit për kontrollit”, përfundoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb