TIRANE- Reperi Stresi, i cili ndodhet në arrati prej rreth dy muajsh, më në fund do të kthehet në vendlindje. Pas episodit të arratisjes nga rajoni i policisë duke u hedhur nga dritarja, Arkimed Lushaj u largua jashtë vendit dhe u vendos në Zvicër.

E teksa Stresi ndodhej jashtë, familjarët e tij kanë vazhduar procesin e nevojshëm gjyqësor dhe më në fund ai do të kthehet. Duke folur nga Gjeneva në Skype për emisionin ‘Vizioni i Pasdites’, reperi njofton se gjyqi i tij ka përfunduar. “Momentalisht jam në Gjenevë. Gjyqi ka përfunduar dhe mendoj që javën tjetër të kthehem në Tiranë”, – ka thënë ai.

Më tej këngëtari ka rrëfyer se i mungon veçanërisht e ëma, së cilës së shpejti do t’i dedikojë edhe një këngë. “Flas 24 orë me mamin. Atë e ka marrë malli shumë. Më nis foto ku më tregon dollapin tim të rrobave që e ka bërë gati. Ajo mezi më pret”, – është shprehur reperi, i cili, megjithëse në arrati, gjatë kësaj kohe ka vazhduar koncertet për shqiptarët në vendet e Europës.

(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: