Liderët e vendeve të Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim (GCC) dhe përfaqësuesi i Egjiptit mbajtën dje – të mërkurën, në qytetin Al-Ula të Arabisë Saudite – sesionin e 41-të të Samitit të GCC-së. Takimi i nivelit të lartë u quajt “Samiti i Sultan Qaboos dhe Sheikh Sabah”, në përkujtim të dy liderëve të ndjerë të Omanit dhe Kuvajtit.

Në deklaratën e nënshkruar me unanimitet nga të gjithë të pranishmit, u vendos përfundimi i ndasive dhe zgjidhja e krizës përmbi trevjeçare mes vendeve të Gjirit, si dhe rikthimi i aksionit të përbashkët ndërmejt tyre duke afirmuar edhe njëherë objektivat e GCC-së të përcaktuara në statutin e saj për bashkëpunim, ndërlidhje dhe integrim në të gjitha fushat ndërmjet vendeve anëtare, deri në arritjen një unioni mes tyre.

Vendet e GCC-së theksuan vullnetin e përbashkët për forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe vëllazërimit midis popujve të rajonit, si dhe konsolidimin e rolit rajonal dhe ndërkombëtar të Këshillit, duke punuar si një trup i vetëm politik dhe ekonomik për të kontribuar në arritjen e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Deklarata nënvizoi se sfida e Coronavirusit nxorri në pah nevojën për një ndërveprim të përbashkët mes vendeve të GCC-së për luftën ndaj pandemisë. Aktivizimi i rolit të “Qendrës së Gjirit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve” e cila u themelua në këtë samit, erdhi si një reagim i përbashkët për t’u përballur me COVID- 19 dhe pandemitë e tjera në të ardhmen, përfshirë dhënien e ndihmës për vendet më pak të zhvilluara në shëndetësi dhe fushat ekonomike.

Ndër pikat e tjera të deklaratës përfshihen edhe plotësimi i kërkesave për Bashkim Doganor dhe Treg të Përbashkët të Gjirit; integrimi i plotë ekonomik me garantimin e lirisë për të gjithë qytetarët e vendeve të GCC-së për të punuar, udhëtuar dhe investuar në këto shtete; qasja e barabartë në arsim dhe kujdes shëndetësor; krijimi i një rrjeti hekurudhor rajonal; një sistem i përbashkët të sigurisë ushqimore dhe ujore; inkurajimi i projekte të përbashkëta dhe atdhesimi i investimeve në rajonin e Gjirit.

Deklarata vuri në dukje nevojën për të përfituar nga mjetet dhe përvojat për bashkëpunim në të gjitha fushat që u arritën brenda kornizës së G20-ës gjatë presidencës së saj nga ana e Arabisë Saudite. Këtu përfshihen stimulimi i ekonomisë, angazhimi i sektorit të biznesit, institucioneve të shoqërisë civile, grave dhe të rinjve në zhvillimin ekonomik; inkurajimi i iniciativave të ekonomisë dixhitale; mandatimi i Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit për zhvillimin dhe ndjekjen e planeve dhe programeve për zbatimin e objektivave, në bashkëpunim me agjencitë e specializuara në këto fusha; zhvillimi i aftësive teknike të agjencive qeveritare për të siguruar zbatimin e shpejtë dhe efikas të shërbimeve dhe procedurave; zhvillimi i kurrikulave arsimore, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë dixhitale; si dhe forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve të Këshillit dhe Organizatës së Bashkëpunimit Dixhital të krijuar në vitin 2020.

Në deklaratën e Al-Ula u nënvizua rëndësia e përmirësimit të mjeteve të qeverisjes, transparencës, llogaridhënies, integritetit dhe luftimit të korrupsionit përmes veprimit të përbashkët të të gjitha organeve të GCC-së; bashkëpunimi në hetimin e rasteve të korrupsionit ndërkufitar dhe ndjekjen penale të autorëve të tyre duke marrë parasysh se korrupsioni ka një ndikim të madh negativ në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe besimin e ndërsjellë midis qeverive dhe popujve të Gjirit.

Bazuar në Marrëveshjen e Përbashkët të Mbrojtjes dhe Parimin e Sigurisë Kolektive për vendet e GCC-së, u theksua edhe rëndësia e promovimit të integrimit ushtarak midis këtyre vendeve nën mbikëqyrjen e Këshillit të Përbashkët të Mbrojtjes, Komitetit Suprem Ushtarak dhe Komandës së Unifikuar Ushtarake të GCC-së, për t’u përballur me sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Deklarata theksoi nevojën për rritjen e rolit rajonal dhe ndërkombëtar të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, duke unifikuar pozicionet politike dhe zhvilluar partneritetet strategjike midis GCC-së dhe vendeve, grupeve apo organizatave rajonale e ndërkombëtare, për realizimin e interesave të përbashkëta.

Samiti i “Sultan Qaboos dhe Sheikh Sabah” konfirmoi përkushtimin e  përbashkët të liderëve dhe vendeve të GCC-së për konsolidimin e arritjeve të deritanishme të Këshillit, realizimin e aspiratave të popujve të GCC-së, si dhe tejkalimin e të gjitha pengesave në procesin e ndërveprimit të përbashkët.

Nga ana e tij, Shteti i Katarit përshëndeti deklaratën e samitit të Al-Ula, duke theksuar se kjo deklaratë pëmbyll përpjekjet e sinqerta të ndërmarra nga Emiri i ndjerë i Kuvajtit HH Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, dhe të vazhduara nga Emiri aktual i Kuvajtit HH Nauaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah për ti dhënë fund krizës.

Për Katarin, uniteti i Gjirit dhe rivendosja e kohezionit të popujve të rajonit ka qenë gjithmonë një përparësi në listën e përpjekjeve të tij shtetërore. Katari synon realizimin e aspiratave të popujve të GCC-së për solidaritet, stabilitet dhe zhvillim të mëtejshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: