Duket se shifrave të çmendura që kanë ardhur nga kampionati kinez këto kohë, do t’ju vijë fundi. Qeveria e tyre ka urdhëruar sot ndalimin e pagesave të çmendura për afrimin e futbollistëve të huaj, si për t’i blerë, ashtu edhe për rrogat e tyre.

“Do të ndërmerren masa ndaj investimeve joracionale ndërsa qeveria do të rregullojë dhe kufizojë blerjet me çmime të larta dhe të bëjë kufizime të ndjeshme rreth të ardhurave të futbollistëve”, u shpreh sot një zëdhënës i Administratës Shtetërore të Sportit.

Gjithashtu sipas tij, kushdo që nuk do të përshtatet me rregullat e reja do të përjashtohet nga Superliga kineze, e cila në fakt ka shpenzuar më shumë se klubet angleze për t’u përforcuar para fillimit të sezonit të ri. Emra si Oskar dhe Tevez u transferuan përkatësisht te Shangai SIPG dhe Shangai Shenhua, duke u kthyer menjëherë ndër më të paguarit në rruzullin tokësor. Tevez është rekordmeni i ri pasi do të përfitojë 38 milionë euro në sezon, ndërsa Oskar “vetëm” 24 milionë euro, gjithsesi më shumë se sa përfitojnë aktualisht si rrogë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi.
1993809-41871676-640-360-470x264
Pa dhënë shifra të sakta, zyrtari i agjencisë që kontrollonte sportin në këtë vend, tha sot se qeveria do të vendoste “tavan” si për shifrat me të cilat mund të bliheshin futbollistët, ashtu edhe rrogat e tyre.

“Objektivi ynë duhet të jetë ndërtimi i klubeve 100-vjeçare”, tha ai, duke nënkuptuar se qëllimi nuk është ndritja sa më shpejt e futbollit kinez, por jetgjatësia e tij në nivele sa më të larta duke përfshirë lojtarë të dalë nga akademitë vendase.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb