Rreth 480 mijë nxënës në të gjithë vendin, nga klasa e parë në të 12-tën, do të rikthehen ditën e sotme në shkolla me turne normale dhe orët e plota, 45 minuta.

Nxënësit i rikthehen normalitetit, pas më shumë se një viti me mësim të alternuar dhe me turne, që prej marsit të vitit 2020, kur në vendin tonë u konfirmuan rastet e para me koronavirus.

Viti i ri shkollor nisi me mësim me turne dhe orë të shkurtuara, por këmbëngulja e prindërve, që firmosën një peticion drejtuar ministres së Arsimit, bëri që Komiteti Teknik i Ekspertëve të tërhiqej dhe të lejonte mësimin me orë normale. Një arsye dhe garanci për vendimin, sipas ministres është edhe fakti që shumica dërrmuese e mësuesve janë vaksinuar.

Por kishte një porosi. “Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne” tha ministrja Kushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb