TIRANË

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të shtyjë afatin për garancinë sovrane deri më 30 qershor të këtij viti, duke iu dhënë mundësi të përfitojnë të gjitha ato biznese, që u goditën nga pandemia e koronavirusit.

Ishte Shoqata Shqiptare e Bankave që kërkoi shtyrje të këtij afati, ndërsa MFE e ka vlerësuar të nevojshme shtyrjen, pasi ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë.

Njoftimi i Ministrisë:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se, ka miratuar shtyrjen e afatit për aplikime në kuadër të skemës së garancisë shtetërore që synon rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar, garanci kjo e miratuar me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 387, datë 13.05.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”.

MFE-ja miratoi kërkesën e Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), e cila ka vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë, ky afat shtyhet deri më datë 30 qershor 2021.

Shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e Covid-19.

Sipas SHSHB-së, deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë Lekë.

Në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%).

Theksojmë se, bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb