Nga: ERMAL TELHA*
Është një Qytet model, e këtë nuk e them vetëm unë që kam kaluar pjesën më të madhe të jetës aty, por e thonë të gjithë. Historikisht Korça ka qënë e preferuara e Udhëheqësve të Shqipërisë. E kanë preferuar dhe admiruar shumë njerëz, e shumë të tjerë i janë referuar si busull e orjentimit kulturor, social, historik, infrastrukturor, politik etj.

Korça e Mësonjtores së parë shqipe, e Firmëtarëve të Pavarësisë, e Zonjave të nderuara nikoqire që pastrojnë edhe kalldrëmin njëlloj si dhomën ku jetojnë, e Birrës së parë shqiptare, e Doktor Polenës, e figurave patriotike që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Sigurisht, rrethanat referuese janë të shumta, si ato historike ashtu edhe ato aktuale, disa prej të cilave do mundohem t’i përmend shkutrimisht.

Korça ka prodhuar diskutime të forta, prej të cilave kanë dalë përfundime të shëndetshme për të ardhmen e qytetit, ka ditur të mbajë në gjirin e saj invidivë konformistë e antikonformistë, ka ditur të mbështesë alternativat që i sigurojnë zhvilim të qëndrueshëm, pa u bërë tifozë emocionalë të partive politike.

Kur pjesa me e madhe e qyteteve shqiptare u ndodhën nën ujë për shkak të rreshjeve të shumta të shiut, Korça nuk pati asnjë problem, sepse ky qytet nuk e ka ndërtuar evolucionin urbanistik mbi vepra infrastrukturore që i shërbejnë përditshmërisë së qytetarëve.
Kur në Kryeqytet vlon debati publik mbi ndërtimin e Parkut të lojrave Brenda Parkut të liqenit, me llogore politike të gërshetuara me aksion qytetar, Korça e ka përfunduar Parkun e saj model dhe qytetarët e shijojnë çdo ditë. Madje jo vetëm Parkun, por në përfundim është edhe Pazari i vjetër i rivitalizuar, një atraksion turistik shtesë me vlerë të madhe.

Ndërkohë që Tirana, Durrësi, Vlora apo Saranda, stimulonin “Përbindëshat” prej betoni që tashmë jua kanë marrë frymën qyteteve respective, Korça nuk tregoi babëzi ndërtimi, madje u menaxhua me kujdes për të mos humbur identitetin e vet historik. Ky zhvillim që ndoshta prej shumë individëve u quajt “I vonuar” atëhere, tani është kthyer ne model të suksesshëm të administrimit të një Qyteti. Merita, sigurisht i takon kujtdo që është pjesë e tij.

Mjafton t’i hedhësh një sy fundjavave në Korçë, për të vertëtuar që zgjedhja e parë turistike brenda territorit tonë kombëtar është pikërisht ky qytet, të cilin mbase edhe Zoti e ka trajtuar me “hatër” duke i dhuruar pozicion gjeografik dhe klimë të mrekullueshme.

Korça ka ditur të konservojë të shkuarën e të zhvillojë të ardhmen, me hapa të sigurt, pa vendime emocionale, përkundrazi, me analizë strategjike të matur që po jep frytet e saj gjithnjë e më tepër.
Historia nuk është rastësi, edhe tani në 2016 përsëri Korça në epiqëndër të progresit, përsëri nga Korça duhet marrë shembull, sepse edhe tani, Korça “i ka lënë pas shoqet e veta”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: