POGRADEC- Reagon edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri, i cili është mes 9 zyrtarëve që po hetohen nga prokuroria në kuadër të dekriminalizmit.

Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Kapri thekson se ky është një lajm i pavërtetë dhe se nuk është bazuar në asnjë fakt. Kreu i Bashkisë theksoi se është i hapur për çdo verifikim, ndërsa shtoi se KQZ ka konfirmuar vërtetësinë e çdo të fakti në formular.

Ai hodhi poshtë çdo akuzë, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë problem në të kaluarën e tij.

DEKLARATA E KAPRIT
Dua të komunikoj me publikun, në lidhje me një lajm të pavërtetë që po shpërndahet në media pa u ndalur, edhe pse nuk ka asnjë fakt, dhe asnjë bazë ku të qëndrojë.
Unë si i zgjedhur në këtë detyrë të lartë, jam i hapur dhe respektoj ëdo ligj të vendit, dhe madje e vlerësoj shumë atë të dekriminalizimit. Kur kam vendosur të kandidoj për kryetar bashkie në Pogradec, ligji ka qenë në fuqi, dhe sigurisht nuk ka qenë pengesë për mua. Jam i hapur për çdo verifikim ndërkohë që KQZ ka konfirmuar vërtetësinë e çdo të fakti në formular. Nuk kam pasur asnjë problem në të kaluarën time, dhe me besim të madh jam se s’do kem as në vazhdim, sepse e kam vendosur të mos bëhem asnjë ditë pjesë e asnjë krimi. Ajo për të cilën nuk jam i hapur, janë mashtrimet, trillimet dhe intrigat politike. Unë kam fituar zgjedhjet si kandidat i Partisë Demokratike dhe politikisht i përkas kësaj force politike. Nuk kam qenë kurrë pjesë e LSI. Redaksia e lajmeve në Top Channel ka reflektuar duke korrigjuar lajmin. Qytetarët e Pogradecit sot kanë nevojë për punë, për zhvillim, për mirëqenie. Përpara kemi protestën e datës 18 Shkurt ndaj është detyra e të gjithëve ne dhe çdo qytetari të protestojmë kundër padrejtësive, kriminelëve të vërtetë në pushtet, varfërisë dhe kaosit që po përjeton sot vendi.#EduartKapri
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb