I ftuar në programin “Dola te Ola” ishte Milaim Zeka, i cili rrëfeu në program historinë e dhimbshme të prindërve të tij.
Teksa në program u shfaq një fotografi e nënës së tij të zhdukur në luftë, ai tha se ishte realizuar në Oslo të Norvegjisë kur ajo vraponte drejt tij për ta përqafuar pas 8 vitesh.

Ai rrëfeu se herën e fundit që e ka takuar nënën e tij ka qenë në vitin 1991, pastaj në 1999, kur i ishte në luftë, forcat serbe e kishin rrëmbyen nënën dhe babain e tij.

“Nënën e kanë futur në banjë dhe i kanë vënë flakën dhe nuk e dimë ku ndodhet prej atij momenti, ndërkohë babai gjysmë i plagosur vdiq në vitin 2003”, tha ai mes lotëve teksa tregoi se nëna e tij ka qenë një grua shumë e bukur dhe një njeri me shumë humor, të cilin Milaimi e ka trashëguar.

Teksa kishte shumë vite që nuk e kishte takuar babanë, ai tregoi se në momentin që mori vesh lajmin për rrëmbimin e prindërve, shkoi në Prishtinë dhe rrëfimin e të atit për ngjarjen e xhiroi me kamera të fshehtë.

“Ka qenë data 28 mars kur forcat serbe kanë rrethuar dhe zbrazur Prishtinën. Kanë ikur të gjithë, motrat së bashku me fëmijët e tyre, ndërkohë nëna dhe babai kishin qëndruar në një pyll. Nga 28 mars deri më 8 prill janë ushqyer vetëm më ujin e shiut të Zotit dhe vendosën të kthehen në shtëpi se ishin duke vdekur urie. Nëna para se të ktheheshin ka groposur fotografitë e mia në pyll dhe i ka thënë babait ‘Kam parandjenjën se do të vdesim. Nuk dua të më marrin fotografitë e djalit’”, tregoi ai mes emocionesh, teksa zbuloi se për këtë arsye është duke bërë një film me titull, “Mos ma vra fotografinë”.

Ndërkohë Milaimi pas këtij rrëfimi prekës shprehu dashurinë që ndjen për Shqipërinë, “Është nëna jonë e dyfishtë se hapi dyert dhe mirëpriti 800 mijë refugjatë. Jam i lumtur që jam rritur me dashurinë e Shqipërisë”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb