Guxuan pak për të fituar, prodhuan pak raste për shënim dhe mes frikës për të mos humbur në fund fitoi vetëm Vllaznia. Partizani dhe Teuta ndahen në paqe, një barazim pa gola që i shërben pak dy ekipeve, aq më tepër Partizanit që humbet një tjetër rast për të marrë kreun, sërish pronë e Vllaznisë. Një pikë në transfertë për Teutën nuk është për tu hedhur poshtë, thjeshtë vazhdojnë bashkëjetesën më të kuqtë ndërsa ngjeshin edhe më shumë ekipet në pjesën e sipërme të klasifikimit. Ky barazim pa gola trazon edhe një herë kartat duke bërë që në këtë valle me shumë të panjohura të përfshihet edhe Tirana.

Të dy ekipet e nisën sfidën me ngacmime të vogla duke krijuar iluzionin se do shihnin një futboll të bukur ofensiv. Goditja e parë në kuadrat erdhi në minutën e 18-të ku Çinari provojë me një të majtën nga distanca por Frashri në pozicion kontrolloi pa shumë probleme. Në të 28-tën ishte Vila që me kokë solli panik në zonën e Alban Hoxhës por goditja e tij përfundoi mbi traversë. Momenti më i bukur i pjesës së parë ishte kjo goditje nga distanca e Jurgen Bardhit me Frashrin që zgjatet në limite duke mbajtur portën e paprekur. Të kuqtë e mbyllën fraksionin e parë në sulm, Çinari nuk arriti të godas në momentin final me Arapin që largoi në goditje këndi. Teuta e nisi më mirë pjesën e dytë ku Emiljano Vila gjeti kuadratin por edhe Alban Hoxhën në pozicion me kapitenin që shmangu një moment të rrezikshëm. Në të 57-tën, bregdetarët zbritën me një aksion të bukur por në momentin final Krasniqi nuk shërbehet si duhet në zonë duke shpërdoruar një mundësi të mirë.

Ekipi i Ilir Dajës arriti të gjejë më në fund golin e shumë pritur por dhe kur e bëjnë diçka të tillë, në minutën e 75-të, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Bitrit. Dy ekipet e mbyllën ndeshjen në sulm, por vetëm kaq, pa mundur të dalin me pikë të plota, askush nuk feston për këtë barazim, përjashto këtu rivalët e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb