Nga: Shaban MURATI

Kam dekada që ndjek mediat ruse dhe diplomacinë ruse në raportet e tyre me Shqipërinë dhe Ballkanin, por kurrë nuk kam vërejtur një histeri kaq masive me frymë urrejtjeje dhe raciste kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe kombit shqiptar si kjo me rastin e 10- vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Duket që është një aksion i organizuar shtetëror dhe diplomatik dhe e kryesoi zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zakharova, e cila në 15 shkurt në një deklaratë të posaçme titulluar “10-vjetori i pavarësisë së Kosovës” e quajti shtetësinë e Kosovës “politikë e legjitimimit të agresionit të NATO-s në vitin 1999. Kosova është kthyer në një gropë të zezë”.

Ikonografia antishqiptare plotësohet me deklaratat e përfaqësuesit të Rusisë në OSBE, A. Lukasheviç, në 15 shkurt në Vjenë kundër Kosovës dhe të përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në KS të OKB, Vasilij Nebenzja, në 7 shkurt për “10 vjet rezultate të hidhura”. Dhe pastaj gjyrykët e propagandës antishqiptare në të katër horizontet. Portali “news.rambler.ru” në datën 17 shkurt: “Tani Kosova është shtylla e narkotrafikut, tregut të zi të organeve njerëzore dhe burimi i kërcënimit terrorist për gjithë kontinentin europian”. “Vzglad.ru” në 17 shkurt, me titull “Lufta për Kosovën nuk ka mbaruar” shkruan: “Kosova, një nga qendrat e gjitha llojeve të kriminalitetit ndërkombëtar. Gjithçka që lidhet me Kosovën është bombë me veprim të ngadalshëm. Fantazmat e afrimit të luftës së re nuk i shohin vetëm të verbrit”.

“Eadaily. ru” në datën 15 shkurt: “Ballkani do të bëhet përsëri së shpejti një dhimbje serioze koke për bashkësinë ndërkombëtare. Gjakderdhja dhe viktimat njerëzore nuk do të evitohen”. Dhe po kështu, do të gjesh insinuata antishqiptare pafund tek “Sputnik”, “Tass”, “Rianovosti”, “parlamentskaja gazeta”, “fondsk.ru”, etj. etj.

Është kaq disproporcionale kjo histeri, saqë habitesh se si diplomacia dhe propaganda e një fuqie të madhe si Rusia të ketë kaq emocion kundër një shteti të vogël të pavarur, kundër një populli, kundër një kombi, të cilët nuk i kanë bërë kurrë ndonjë të keqe Rusisë. Logjikisht një emocion kaq të madh shtetëror, diplomatik dhe propagandistik e shpjegon vetëm dështimi. Pavarësia e shtetit të dytë të pavarur shqiptar, Kosova, që mbushi 10 vjet të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, është ekspozita e një dështimi të politikës, të diplomacisë dhe të strategjisë ruse në rajonin e Ballkanit. Janë disa arsye të këtij emocioni negativ dhe disproporcional të Rusisë ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar.

Së pari, sepse Kosova u konsolidua si shtet dhe është e njohur nga 115 shtete të botës, pra nga shumica e shteteve anëtare të OKB dhe ajo, që është më e rëndësishme, është fakti se ajo shumicë e anëtarëve të OKB që njohu Kosovën përbën shumicën e shteteve demokratike të sistemit ndërkombëtar të shteteve. Demokracia botërore e shteteve e ka pranuar Kosovën si shtet në gjirin e saj. Ky konfirmim ndërkombëtar i Kosovës është realizuar në një ballafaqim të vazhdueshëm diplomatik me veprimtarinë e Rusisë dhe të Serbisë në arenën ndërkombëtare për ta penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Pra, kemi një betejë diplomatike ndërkombëtare të humbur nga Rusia.

Së dyti, shtetësia 10-vjeçare e Kosovës dhe konsolidimi i pavarësisë së saj kanë hapur rrugën për integrimin europian dhe atlantik të Kosovës. Strategjia e BE për Ballkanin Perëndimor, e publikuar në 6 shkurt 2018, e vërtetoi se rruga e Kosovës për në BE është piketuar së bashku me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë Kosova ka shprehur vullnetin e saj shtetëror dhe popullor për integrimin atlantik të saj. Kjo perspektivë e afrimit të kohës kur Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE e ka acaruar në maksimum Kremlinin.

Së treti, konflikti midis Serbisë dhe Kosovës po shkon drejt gjetjes së një zgjidhjeje, fundi logjik i së cilës pritet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Ka ardhur një pikë afër fundit, ku Serbia nuk mund të luajë më me afatin e njohjes së Kosovës si shtet fqinj. Në datën 14 shkurt, ministri i Jashtëm i shtetit më të fuqishëm dhe kryesor të BE-së, Gjermanisë, Sigmar Gabriel, u deklaroi qartë dhe publikisht udhëheqësve serbë gjatë vizitës në Beograd se “nëse Serbia don të lëvizë drejt BE, kusht primar është pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ky është një kusht qendror për të marrë rrugën drejt Europës”. Koha ka ardhur që ky kusht të plotësohet dhe Serbia nuk mund të dredhojë me tezat idiote se duhet diskutuar statusi i Kosovës, se ne duam edhe BE, edhe Kosovën, etj. Serbia duhet të zgjedhë midis anëtarësimit në BE duke njohur Kosovën, ose mosanëtarësimit në BE duke mos njohur Kosovën. Rusisë i intereson që Serbia as të mos hyjë në BE dhe as të mos njohë Kosovën, sepse kështu mbahet gjallë zjarri i një konflikti dhe një trazirë në Ballkan, të cilat Rusia i shfrytëzon kundër BE dhe NATO-s. Moskës i duhet konflikti i ngrirë i përhershëm në Ballkan dhe rusët janë bërë aktualisht më serbë se serbët.

Së katërti, caktimi i një date në strategjinë e BE të 6 shkurtit për anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Serbisë në BE në vitin 2025, e ka shqetësuar Rusinë, sepse kjo do të thotë që Serbia duhet të vendosë përfundimisht se ku e do vendin e saj: në BE apo në Rusi. Nëse deri vitin e kaluar BE është treguar indulgjent më tepër se sa duhet me Serbinë, duke i lejuar flirtin strategjik me Rusinë, armatosjen me armë të sofistikuara ruse, refuzimin e sanksioneve europiane ndaj Rusisë etj., tani Brukseli i ka vendosur Serbisë afatin e fundit që të vendosë se me cilin është. Udhëheqja serbe, që e ka të qartë se që nga viti 1991 e deri tani nuk fitoi asgjë duke u bërë me Rusinë, ndodhet para një udhëkryqi për të zgjedhur përfundimisht se në cilën karrige do të rrijë. Viti 2018 duket si afati i fundit kur ajo duhet të vendosë. Ndaj dhe MPJ e Rusisë në 15 shkurt e sulmoi ashpër strategjinë e BE për perspektivën e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe zëdhënësja Zakharova e cilësoi si “detyrë gjeopolitike e zgjerimit të mëtejshëm të BE dhe e forcimit të rolit të saj në këtë rajon të rëndësishëm europian”. Të njëjtën frymë të kundërshtimit rus për integrimin europian të rajonit tonë shprehte Petr Iskanderov në “fondsk.ru” në 16 shkurt, kur shkruante se “në Komisionin Europian kanë një përfytyrim të hidhur me synimin për ta përdorur Serbinë në lojërat gjeopolitike antiruse”.

Nuk është e qartë se çfarë llogarie diplomatike, politike dhe strategjike bëjnë në Moskë, duke organizuar fushata kaq agresive kundër popullit shqiptar të Kosovës, kundër kombit shqiptar. Nuk është e qartë se si mund të planifikosh të rritet ndikimi rus në rajon, duke bërë armik zyrtar kombin shqiptar dhe të drejtat e tij kombëtare. Natyrisht, kombi shqiptar ka një përvojë të hidhur historike me Rusinë në të gjitha kohërat, në kohërat cariste, komuniste dhe postkomuniste. Është mungesë realizmi që diplomacia ruse dhe lobi rus në Shqipëri pompojnë periudhën e “vëllazërimit sovjetik” midis dy shteteve në vitet 1948-1961, kur Shqipëri ishte një nga satelitët më të nënshtruar të Moskës. Është mungesë realizmi që Moska mbështetet aq shumë tek ish- nomeklatura komuniste dhe bijtë e saj në Shqipëri. Shqipëria e shekullit 21 është tjetër. Lobi rus në Tiranë i transmeton Moskës tablo të deformuar të realitetit të shoqërisë shqiptare dhe ky lob interesohet për paratë ruse dhe jo për dashurinë ndaj Rusisë, gjë që e dëshmoi duke iu bashkuar fushatës antishqiptare me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Si diplomacia ruse, ashtu dhe lobi rus në Shqipëri, bëjnë gabimin e madh diplomatik dhe strategjik, duke i konceptuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë të ndara nga qëndrimet dhe politika e Rusisë kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar në Kosovë. Edhe diplomacia ruse, edhe lobi rus në Shqipëri, po punojnë fort për të futur në institucionet shtetërore të Shqipërisë konceptin e ndarjes e midis Kosovës nga një anë dhe marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shqipërisë nga ana tjetër. Është një qëndrim infantil, i cili ndonëse mbulohet me frazat e bukura të “urtësisë” apo të “marrëdhënieve me të gjithë” etj., duhet konsideruar po aq armiqësor ndaj kombit shqiptar, si dhe politika zyrtare armiqësore e Moskës ndaj Kosovës. Kosova është pjesë e pandarë e çështjes kombëtare shqiptare, siç është vetë Shqipëria, dhe çdo qëndrim diplomatik ndaj njërit shtet shqiptar në Ballkan, duhet konsideruar si qëndrim kundër të dyja shteteve shqiptare dhe kundër kombit shqiptar.

Parimisht të gjithë jemi dakord që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë duhet të jenë normale dhe të përparojnë, por kurrsesi nuk mund të përparojnë në kurriz apo duke injoruar interesat e pavarësisë së Kosovës. Lobi rus në Shqipëri, i cili nëpërmjet sponsorizimeve financiare ruse ka shtrirë metastazat në forcat politike, në mediat dhe rrjetet sociale, në shoqërinë civile dhe në të ashtuquajturat qendra studimore, etj. po këmbëngul që Shqipëria në marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe me Serbinë të ndjekë vetëm korsinë dypalëshe dhe të harrojë Kosovën. Ky ndikim i lobit rus në Shqipëri ka pasur efektet e veta negative edhe më parë në diplomacinë shqiptare. Janë këto efekte të ndikimit rus që Shqipëria dha në vitin 2005 votën për pranimin e Rusisë si shtet vëzhgues në OIC, pa i kërkuar asgjë për Kosovën. Nuk i kërkoi asgjë për Kosovën as kur lëshimet ndaj Moskës arritën kulmin me siglimin nga dy ministrat e Jashtëm në Tiranë në dhjetor 2004 të Traktatit të Miqësisë me Rusinë, traktat me frymë antiatlantike, të cilin diplomacia ruse po bën presion që të nënshkruhet përfundimisht.

Diplomacia ruse dhe lobi rus në Shqipëri kanë kohën të kuptojnë se nuk mund të ketë devijime artificiale të institucioneve shtetërore shqiptare nga interesi strategjik mbarëkombëtar, i cili përfaqësohet nga të dy shtetet shqiptare. Çështja kombëtare nuk mund të sakrifikohet në altarin e miqësisë me Rusinë. Nëse Moska kërkon vërtet marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi reciprok me Shqipërinë dhe nuk e ka për diversion antiatlantik, do të duhet që të rivlerësojë qëndrimin e saj ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Nuk mund të ketë as marrëdhënie miqësore me Shqipërinë dhe madje as avancim të marrëdhënieve të Rusisë me rajonin në përgjithësi, nëse vazhdohet me kursin e armiqësisë ndaj faktorit shqiptar në Ballkan. Ndaj, as diplomacia ruse dhe as lobi filorus në Tiranë nuk duhet të harrojnë se në mes të Rusisë me Shqipërinë është Kosova.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/02/19/mes-rusise-dhe-shqiperise-eshte-kosova/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: