TIRANË

Kryeministri Edi Rama pranoi se nëse qeveria do kishte ndërhyrë në një kohë normale në marrëdhënien mes privatëve do ishte një skandal, por se jemi në kohë lufte.

Këtë logjikë Rama përdori për çështjen e qirave për të cilën qeveria kërkon pezullimin për biznesin e vogël dhe familjarët për shkak të mbylljes së tyre lidhur me masat nga koronavirusi. Ai tha se beson tek e vërteta historike për shqiptarët ‘bukë e kripë e zemër’.

“Me lejoni që t’ju jap disa nga ato sqarime që besoj janë të nevojshme duke ndjekur komentet, reagimet e pyetjet tuaja.
Qiratë, debati publik që mori formën e një sulmi, në vazhdën e sulmeve të atyre që fatkeqësisht edhe në mes të luftës nuk po ndryshojnë dot pllakën e gramafonit të këngës së shëmtuar të paraluftës, kishte në thelb lemerisjen që si ka mundësi shteti, qeveria të ndërhyjë në një marrëdhënie private mes dypalësh. Nëse qeveria do kishte ndërhyrë në një marrëdhënie mes privatësh në kohë normale do ishte një skandal, por nuk është kohë normale, është kohë lufte. Në këtë kohë lufte ne kemi jo të drejtën por detyrimin për të bërë gjithçka për të mbrojtur ata që janë më në hall.
Meqë u tha edhe sot fatkeqësisht se ky vendim do krijojë konflikt social, unë dua të them se së pari kam shumë besim që historia ka thënë për shqiptarët një fjalë të madhe, dhe unë i besoj asaj të vërtete që shqiptarët janë bukë, kripë e zemër. Kanë qenë kështu gjithë jetën dhe s’ka si të mos jenë sot. Mes shqiptarëve ekziston një specie e veçantë shqipoje që është qamet. Ka ekzistuar gjithmonë por nuk e ka penguar shqiptarin, të nxjerrë më të mirën. Unë nuk e besoj kurrë që qiradhënësit do shkojnë të kapin për fyti qiramarrësin, kur qiramarrësi sot e ka të pamundur të paguajë jo se nuk duan por se e ka mbyllur lufta në shtëpi”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: