Ndryshe nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë që nuk do të shkojnë në Kinë për të ndjekur Lojërat Olimpike Dimërore për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut, Presidenti rus Vladimir Putin do të jetë i pranishëm, në një kohë të rritjes së tensioneve lidhur me grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Zoti Putin dhe Presidenti kinez Xi Jinping do të takohen ballë për ballë të premten për herë të parë që nga viti 2019 dhe bisedimet e tyre synojnë forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Moskës dhe Kinës dhe koordinimin e politikave të tyre përballë presionit perëndimor. Më pas, ata do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojrave.

Në një opinion të botuar të enjten nga agjencia kineze e lajmeve Xinhua, presidenti Putin shkruante se Moska dhe Pekini luajnë një “rol të rëndësishëm stabilizues” në çështjet globale dhe ndihmojnë që çështjet ndërkombëtare të bëhen “më të drejta dhe gjithëpërfshirëse”.

Presidenti rus kritikoi “përpjekjet e disa vendeve për të politizuar sportin në favor të ambicieve të tyre”, mesa duket një referencë ndaj bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj.

Zëdhënësja e BE-së Nabila Massrali reagoi duke thënë se “natyrisht ne jemi plotësisht të përkushtuar për të kontribuar në mbrojtjen e integritetit sportiv dhe në forcimin e respektimit universal për të drejtat e njeriut.”

“Aktivitetet e mëdha sportive si Lojërat Olimpike shpesh kanë një audiencë globale,” tha zonja Massrali. “Ato mund të jenë instrumentale për përhapjen e vlerave pozitive dhe nxitjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut në nivel global. Megjithatë, platforma të tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike.”

Në një intervistë me median shtetërore kineze “China Media Group” të botuar po të enjten, zoti Putin thekson se “ne kundërshtojmë përpjekjet për të politizuar sportin ose për ta përdorur atë si një mjet shantazhi, konkurrence të pandershme dhe diskriminimi.”

Takimi i dy presidentëve dhe pjesëmarrja në ceremoninë e hapjes është shenjë e “përparimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Kinë-Rusi”, thotë Li Xin, drejtor i Institutit të Studimeve Evropiane dhe Aziatike në Universitetin e Shkencave Politike dhe së Drejtës në Shangai.

Kina dhe Rusia kanë qenë gjithnjë e më tepër në një emërues të përbashkët për atë që ata e shohin si një shpërfillje nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj shqetësimeve të tyre territoriale dhe të sigurisë, tha zoti Li.

“Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, nga njëra anë po ushtrojnë presion kundër Rusisë për çështjen e Ukrainës, dhe nga ana tjetër, po ushtrojnë presion kundër Kinës për çështjen e Tajvanit,” tha zoti Li.

Yuri Ushakov, këshilltar i zotit Putin për çështjet e jashtme, tha se vizita e presidentit rus do të shënonte një fazë të re në partneritetin Rusi-Kinë, të cilin ai e përshkroi si një “faktor kyç që kontribuon në një zhvillim të qëndrueshëm global dhe ndihmon kundër akteve destruktive të disa vendeve”.

Ai tha se Moska dhe Pekini planifikojnë të nxjerrin një deklaratë të përbashkët mbi marrëdhëniet ndërkombëtare që do të pasqyrojë pikëpamjet e tyre të përbashkëta për sigurinë globale dhe çështje të tjera, dhe zyrtarët e të dyja vendeve do të nënshkruajnë disa marrëveshje mbi tregtinë, energjinë dhe çështje të tjera.

Zoti Ushakov nënvizoi se Moska dhe Pekini kanë qëndrime të afërta ose identike për shumicën e çështjeve ndërkombëtare. Ai theksoi në mënyrë të veçantë se Kina mbështet Rusinë në situatën aktuale mbi Ukrainën.

“Pekini mbështet kërkesat e Rusisë për garanci sigurie dhe ndan të njëjtën pikëpamje se siguria e një shteti nuk mund të garantohet duke cenuar sigurinë e një vendi tjetër,” tha zoti Ushakov në një konferencë shtypi telefonike me gazetarët.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i tha Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në një telefonatë javën e kaluar se shqetësimet e sigurisë të Moskës duhet të merren seriozisht dhe të marrin përgjigje.

“Në të kaluarën, Kina ka shmangur shprehjen e mbështetjes për politikat ruse në Evropën Lindore,” thotë Vasily Kashin, një ekspert për Kinën në Fakultetin e Ekonomisë në Moskë. “Tani shohim më shumë unitet.”

Disa vëzhgues sugjerojnë se Pekini po vëzhgon nga afër se si po veprojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në lidhje me Ukrainën, për të planifikuar hapat e mëtejshme në strategjinë për Tajvanin.

Rusia dhe Kina kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të përbashkëta, përfshirë stërvitje detare dhe patrullime me bombardues me rreze të gjatë veprimi mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore. Në gusht, trupat ruse për herë të parë u vendosën në territorin kinez për manovra të përbashkëta.

Edhe pse Moska dhe Pekini në të kaluarën kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një aleance ushtarake, zoti Putin ka thënë se nuk përjashtohet një perspektivë e tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: