Vështirësitë ekonomike i kanë detyruar fermerët në luginën Bekaa të Libanit që t’i drejtohen gjithnjë e më shumë kultivimit të kanabisit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jacob Russell, njofton nga Libani lindor.

Mes terrenit malor të Libanit, lugina e Bekaas është një fushë pjellore ku prodhohet shumica e produkteve bujqësore të vendit.

Rënia ekonomike e Libanit ka bërë që farat dhe plehrat e importuara, të nevojshme për prodhimin e perimeve, të jenë tepër të shtrenjta dhe gjithnjë e më shumë fermerë po kërkojnë të ardhura të qëndrueshme nga një prej prodhimeve kryesore fitimprurëse në Bekaa: kanabisin.

“[Për hashashin] moti dhe gjeografia e mjedisit nuk kanë një efekt aq të dëmshëm. Kështu që bima e hashashit është prodhimi me koston më të ulët dhe rendimentin më të lartë që kemi”, thotë Husein Chreif, Nënkryetar i i Komunës Yammouneh.

Ende e paligjshme në Liban, marijuana është kultivuar në Bekaa për më shumë se një shekull. Është një bimë më e qëndrueshme, por është zgjidhja e fundit për fermerët, pasi pjesa më e madhe e fitimit shkon për tregtarët dhe kontrabandistët.

“Fermeri kultivon hashash pasi asnjë nga bimët e tjera nuk është fitimprurëse. Këta fermerë janë të parët që i kërkojnë qeverisë të ofrojë një alternativë tjetër për të jetuar dhe për të ushqyer fëmijët. Na jepni një alternativë!”, thotë zoti Chreif.

Antoine Habchi – një anëtar i parlamentit libanez për Baalbek – Hermel, një nga zonat më të mëdha elektorale të Bekaas – ka bërë fushatë për legalizimin e industrisë së kanabisit në Liban. Ai beson se problemi ka rrënjë të thella dhe është përkeqësuar vetëm nga kriza.

Situata në Baalbek dhe Hermel është një situatë shumë e keqe nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe e sigurisë. // Është plotësisht e qartë – me dështimin e tregut dhe shtetit ligjor, tregu i paligjshëm po rritet dhe ka një ndikim të qartë negativ në Liban“, thotë zoti Habchi.

Një kultivues hashashi në rajonin Hermel, i cili dëshiroi të flasë në kushte anonimiteti, beson se nuk ka ndonjë alternativë tjetër për të.

Shteti tha se do të bënte diçka dhe nuk bëri asgjë. Nuk dha asnjë mbështetje për njerëzit që jetojnë në këtë zonë. Njerëzit kanë nevojë të jetojnë. Ata kanë fëmijë për të rritur. Ju duhen të paktën qumësht dhe pelena dhe ato kushtojnë shumë tani. Çfarë tjetër mund të bëjë një person në këtë zonë?“, thotë ai.

Tani për tani, fermerët thonë se rritja e kanabisit të paligjshëm po siguron vetëm një lehtësim të përkohshëm, ndërsa lugina e Bekaas kërkon një zgjidhje afatgjatë të problemeve të saj ekonomike.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb