Nga: Petrit Haliti*
Në diplomaci dhe në fushën e sigurisë ka një rëndësi të veçantë referimi i herëpashershëm te dokumentet dhe aktet themelore të angazhimeve dhe të detyrimeve ndërkombëtare. Aktualitet më të madh merr ky qëndrim sidomos në situata të caktuara, si kjo e tanishmja që po kalon Europa, kur kriza ukrainase, e shkaktuar nga politika agresive e Rusisë, është në zhvillim e sipër, bashkë me efektet direkte dhe indirekte, që ka në sistemin e sigurisë të të gjitha vendeve dhe të të gjitha rajoneve të kontinentit tonë. Në këtë kuadër, vizita që zhvilloi në Rumani në 2 korrik, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, merr një theks dhe kuptim të veçantë në dritën e zhvillimeve të mësipërme të përplasjes gjeopolitike Rusi-Perëndim.
Vizita lidhet me dy momente të reja. Së pari, me përurimin në Rumani të shtabit të forcave të NATO-s të njësive të integruara, NFIU. Njësia në Rumani është pjesë e grupit të gjashtë njësive të integruara të ngritura nga NATO në Bullgari, Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani. Karakteristikë e përbashkët është se rrjeti i ri i njësive të integruara të forcave të NATO-s është ngritur në vendet aleate, që ndodhen në vijën lindore të hartës së vendeve atlantike. Ky rrjet përbën një nga masat e marra nga NATO në kuadrin e hartimit të një përgjigjeje adekuate dhe të masave të nevojshme të sigurisë përballë krizës ukrainase dhe shfaqjes së kërcënimit rus në formën e aneksimit të dhunshëm të një pjese të territorit të një shteti sovran, anëtar të OKB dhe të OSBE, si Ukraina. Siç deklaroi Jens Stoltenberg në Bukuresht, ky shtab i vogël është pjesë e një plani të madh, përforcimi më i madh i mbrojtjes kolektive të NATO-s, që nga mbarimi i luftës së ftohtë. Përforcimi më i madh kolektiv i NATO-s është një masë mbrojtëse e detyruar përballë kërcënimit më të madh të shfaqur në marrëdhëniet ndërkombëtare europiane, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Është hera e parë në 70 vjet që një shtet në kontinent sulmon dhe anekson me forcën ushtarake pjesë të territorit të një shteti sovran fqinj, siç veproi Rusia në Ukrainë në vitin 2014.
Së dyti, vizita dhe pjesëmarrja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në përurimin e njësisë së integruar të forcave të NATO-s në Rumani ishte forumi ku u formuluan mesazhe shumë të rëndësishme diplomatike dhe politike për zhvillimet dhe konfrontimet gjeopolitike, që po konstatohen në kontinentin tonë. Mesazhi i parë i sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Atlantike ishte se “NATO është këtu”, që do të thotë se NATO identifikohet me çdo shtet anëtar të saj dhe se ajo është në gatishmëri në të gjithë territorin sovran të të gjithë aleatëve të saj dhe e gatshme ndaj çdo të papriture dhe sfide që mund t’i vijë, qoftë nga Lindja, qoftë nga Jugu. Mesazhi i dytë ishte që: “Ne jemi gati të mbrojmë të gjithë aleatët tanë të NATO-s. Të gjithë për një dhe një për të gjithë. Dhe angazhimi ynë në këtë parim, të përfshirë në artikullin 5 të Traktatit themelues të NATO-s është i padiskutueshëm”. Këtu kemi të konsakruar parimin e madh të veçantë të ndërtimit dhe të funksionimit të Aleancës Atlantike të “barazisë në paqe dhe në rrezik”, të barazisë së shteteve anëtare, pavarësisht madhësisë dhe peshës ekonomike, ushtarake, demografike dhe vendndodhjes gjeografike të secilit anëtar. Është konfirmimi i një barazie marrëdhëniesh ndërkombëtare të një kolektivi shtetesh demokratike, të bashkuar në një sistem vlerash dhe idealesh, i cili përbën boshtin e aleancës më të fuqishme në gjithë historinë e njerëzimit. Dhe këtë është mirë ta ketë parasysh çdo shtet dhe çdo kryetar shteti me ambicie ekspansioniste. Mesazhi i tretë i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ishte fokusimi dhe specifikimi edhe më i qartë për vlefshmërinë dhe mandatin e artikullit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, duke nënvizuar se ky artikull mbulon të gjithë territorin e të gjithë aleatëve të NATO-s, përfshirë ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore. E zbërthyer në dimensione më konkrete juridike, sigurie dhe të së drejtës ndërkombëtare, kjo do të thotë se hapësirat territoriale, ujërat territoriale detare dhe hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s gëzojnë mbrojtjen e Aleancës Atlantike, e cila përfaqëson dhe përbën proteksionin nga çdo kërcënim dhe burim kërcënimi, por edhe nga çdo ambicie e huaj ekspansioniste apo tentativë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial, tokësor, detar apo ajror të një shteti anëtar të NATO-s.
Përse janë të rëndësishme këto qëndrime të NATO-s, që vijnë si mesazhe në kohë e duhur. Ato janë mesazhe në kohën e duhur, sepse në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare europiane ka lindur nevoja që shtete si Rusia, të cilat po shfaqen sot si burim kërcënimesh për sovranitetin dhe lirinë e shteteve të tjera, duhet të qartësohen mirë për pasojat që mund të kenë politika apo plane, apo ambicie aventureske ndaj njërit apo tjetrit shtet anëtar të NATO-s. Diplomacia ruse dhe sistemi i saj i fuqishëm i propagandës për jashtë është përpjekur vazhdimisht, qysh nga aneksimi i Krimesë, që të përhapë në Europë opinionin se NATO nuk ka vullnet të zbatojë artikullin 5 të Traktatit të saj themelues, se vendet e vogla të NATO-s dhe sidomos vendet ish-komuniste, që kanë qenë pjesë e ish- Bashkimit Sovjetik apo anëtarë të ish-Traktatit ushtarak të Varshavës, të kontrolluar nga Moska, duhet të rikthehen në gjirin e influencës ruse.
Në të njëjtën kohë, në disa vende europiane anëtare të NATO-s, janë aktivizuar shumë disa rrjete mediatike, shoqata joqeveritare apo forca politike të majta e të djathta, të sponsorizuara intensivisht nga Moska, të cilat kanë organizuar anketa, konferenca dhe veprimtari për të përhapur idenë se shtetet e mëdha të NATO-s nuk do të mbrojnë shtetet e vogla dhe do t’i sakrifikojnë ato për interesat e veta. Kjo ka pasur dhe ka objektivin që të bëjë diversion dhe të krijojë në radhët e NATO-s përçarje dhe dyshime ndaj njëri-tjetrit. Duket qartë se është pjesë e një lufte psikologjike të Rusisë në drejtim të vendeve të NATO-s, për të krisur kohezionin e madh, që ka treguar dhe tregon NATO përballë kërcënimeve dhe burimeve të kërcënimeve ndaj anëtarëve të saj.
Rikonfirmimi i detyrimit dhe i zbatimit të artikullit 5 të Traktatit themelues të NATO-s për mbrojtjen e hapësirës territoriale, detare dhe ajrore të çdo vendi anëtar të NATO-s është një mesazh i rëndësishëm diplomatik, politik dhe sigurie, drejtuar të gjitha atyre shteteve, forcave dhe organizatave antiperëndimore, të cilat përfaqësojnë një kërcënim për vendet e NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi në fjalën e tij në Bukuresht se: “Ne shohim një Rusi më ngulmuese, duke u përpjekur të frikësojë fqinjët dhe të ndryshojë kufijtë me forcë”. Ky përkufizim i burimit të kërcënimit nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodhi me Ukrainën, por edhe me atë që duhet të parashikohet se ç’mund të ndodhë në një të ardhme ndaj vendeve anëtare të NATO-s, që kufizohen apo që janë pranë Rusisë. Deti i Zi, që lag tri shtete anëtare të NATO-s dhe Rusinë është shndërrua që nga viti i kaluar në një nga vatrat më të rrezikshme të tensionit rajonal dhe europian, për shkak të pushtimit rus të Krimesë dhe ndezjes së konfliktit të armatosur separatist në Ukrainën Lindore dhe në brigjet jugore të Ukrainës. Deti i Zi e humbi mjedisin e sigurisë dhe të qetësisë dhe u shndërrua në një det dhe rajon të trazuar për shkak të aneksimit të Krimesë, ekspansionit territorial rus drejt Ukrainës dhe brigjeve të saj detare.
Pushtimi rus i gadishullit strategjik ukrainas të Krimesë dhe ndryshimi me forcë i kufijve të një shteti sovran në pellgun e Detit të Zi është në të njëjtën kohë një sinjal alarmi dhe një burim rreziku për kufijtë e Aleancës Atlantike dhe të shteteve anëtare të saj. Kjo rrethanë e re me burime të reja pasigurie e detyron NATO-n të rrisë gatishmërinë dhe kapacitetet mbrojtëse të anëtarëve të saj dhe për anëtarët e saj. Në këtë kuadër të ligjshëm përgatitjesh për vetëmbrojtjeje, nga data 3 deri 12 korrik po zhvillohen në ujërat territoriale të Bullgarisë manovrat e përbashkëta ushtarako-detare të Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë, Turqisë, Greqisë dhe SHBA, me pjesëmarrjen e 30 luftanijeve të këtyre shteteve. Siç theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s në Bukuresht, “çdo gjë që ne bëjmë është difensive, proporcionale dhe transparente”.
Kur flitet për Detin e Zi do të thotë që flitet për një zonë që është pjesë e Ballkanit, do të thotë që flitet për brigjet lindore të Ballkanit. Gjithçka që ndodh dhe që lidhet me atë rajon të Detit të Zi, siç është rasti i aneksimit me dhunë të Krimesë, prodhon efekte të drejtpërdrejta dhe indirekte edhe në pjesët e tjera të të gjithë gadishullit ballkanik. Është koha të kujtohet se disa shtete ballkanike, përfshirë edhe vendin tonë, janë anëtare të organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BSEC, ku bën pjesë edhe Rusia, edhe Ukraina. Pra, kemi realitetin e ri gjeopolitik dhe strategjik, ku një shtet anëtar i organizatës së Detit të Zi, Rusia, ka sulmuar dhe ndryshuar me forcë kufijtë e një shteti tjetër anëtar të kësaj organizate, Ukrainës. A mund dhe a duhet të sillen shtetet anëtare të kësaj organizate dhe vetë kjo organizatë sikur nuk ka ndodhur gjë?
Shqipëria mbështet dhe duhet të mbështesë me forcë të gjitha hapat dhe masat mbrojtëse të NATO-s në rajonin e Europës Juglindore për të dhënë kontributin e saj në mbrojtjen kolektive të Aleancës Atlantike, që është mbrojtje e interesave jetike dhe të sigurisë së vendit tonë. Roli dhe rëndësia e Shqipërisë si anëtare e NATO-s në rajon po rritet gjithnjë e më tepër edhe për shkak të lëkundjeve dhe lojërave të dyfishta diplomatike, që po karakterizojnë politikat e jashtme dhe orientimet strategjike të disa vendeve të tjera ballkanike. Kontributi aktiv dhe i vazhdueshëm në NATO përbën një garanci përballë çdo kërcënimi dhe burimi kërcënimi, që mund t’i vijë integritetit territorial, tokësor, detar dhe ajror të Shqipërisë nga kërcënimet e formave të ndryshme. Ndaj me të drejtë mund të thuhet se mesazhet solide të mbrojtjes dhe të sigurisë kolektive, që dha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, janë në kohën e duhur dhe në adresën e duhur.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: