Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD, Basha kishte një ftesë edhe për të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, ndërsa bëri të qartë se kontribut nuk do të do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet.

“Hapja dhe konkurenca e lirë në PD janë parime të shenjta që ne i kemi vënë në themel të partisë sonë. Kjo hapje do të thotë që kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribojë ka vendin e vet brenda PD-së.

Por kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet.
Kontribut do të thotë të punosh dhe mbeshtetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë.

Të gjithë demokratët e ndershëm që kanë shërbyer në qeveritë demokrate, mund të kontribuojnë shumë sot në opozitë, duke ofruar dijet dhe përvojën e tyre, duke shpjeguar dukuritë që kalon vendi dhe duke ofruar mendime për zgjidhjen e tyre.
Ata mund të ndihmojnë PD duke u kthyer në misionarë, në ambasadorë të PD-së,duke propaganduar idetë dhe vlerat e PD-së.
Ata mund të ndihmojnë PD-në duke u kthyer në mentorë për demokratët e rinj.
Në të vërtetë ka shumë demokratë që kanë shërbyer në qeveritë tona që po e bëjnë këtë gjë,
çdo ditë. Ata e kanë vënë përvojën, maturinë, dijen që kanë grumbulluar në shërbim pa kushte ndaj PD dhe Shqipërisë.
Pa asnjë dyshim, PD ka vend edhe për të gjithë ata që e kritikojnë atë nisur nga parimet dhe vullneti dashamirës për forcimin e saj. Pa asnjë dyshim, PD ka nevojë për kritika, ka nevojë për mendimin ndryshe, ka nevojë për debat. Pa mendim ndryshe, nuk mund të ketë parti demokratike.
Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD, dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë: ejani bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb