TIRANE- Një ditë më parë Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim miratoi platformën politike në lidhje me transparencën dhe përfaqësimin politik të LSI-së.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur të kufizojë përfshirjen e biznesmenëve në përfaqësimin publik me qëllimin e vetëm, minimizimin dhe shmangien e konflikti të interesit të mundshëm.

Nënkryetari i LSI-së e cilësoi rast unikal deklaratën e ambasadorit të SHBA-ve për reformën në drejtësi, gjatë së cilës përmendi emra konkretë personash që i kanë shpëtuar drejtësisë. Për Vasilin Lu dha shembullin e ndarjes së politikës nga demagogjia.

“Gjëja më e rëndësishme që ambasadori ka thënë, është që të mos flasim më për problemet në përgjithësi por të flasim me emrat konkretë dhe dha shembullin e ndarjes së politikës nga demagogjia dhe ka vënë gishtin në plagë. Plagë të tilla kanë nevojë për shërim, plagë të tilla kanë përgjegjës dhe ata duhet të përgjigjen. Amnisti nuk ka për kurrkënd që ka detyruar SHBA të flasë edhe me emra të përveçëm. Koha e fshehjes pas gishtit ka mbaruar. Ka thënë mos mendoni që gjërat nuk dihen edhe kur gjërat nuk thuhen”.

Vasili nënvizoi se me anë të këtij mesazhi, SHBA dhe ambasadori bënë të dituar se reforma në drejtësi duhet të orintohet edhe në pikën e thellësisë së hetimit.

Duke u ndalur tek reforma, Vasili shtoi se “Sigrurisht që ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme, më në fund kjo reformë do kërkojë përgjigjet e saj. Problemi është ta konkludojmë atë, çdo ditë e humbur sjell probleme negative. Reforma në Drejtësi të vendoset në shtylla të forta parimore që të prodhojë efektivitet të lartë, qytetarët të marrin drejtësi, hetimi për vepra penale të ecë shpejt, raportet brenda sistemit janë të tilla që të procedohet shpejt”

Sipas Vasilit, LSI-ja në platformën e miratuar ka vendosur si një pikë kryesore të saj të përkrahë fuqimisht çështjen e dekriminalizimit dhe të jetë e distancuar qartë dhe prerë nga ço individ me rekorde kriminale.

“Vullnetin për dekriminalizimin e kemi shprehur qartë dhe prerë. Kreu i LSI-së me një metaforë politike shumë të gjetur ka thënë që ligji duhet të ishte miratuar dje, domethënë që jemi vonë. Ne japim një shtysë me tej politikës, e cila nuk duhet të humbasë më shumë kohë për ta bërë këtë gjë”- deklaroi Vasili.

Ndër të tjera, Vasili theksoi se tashmë LSI do të paraqesë pa asnjë kompleks mënyrën se si funksionon, duke bërë transparencë për çdo aktivitet dhe shpenzim.

“Buxheti i LSI-së nga sot është online. Aktivitetet që zhvillohen do të kenë detyrimin që dy ditë pas mbajtjes së aktivitetit secili ka mundësinë të shikojë se si është përballuar, sa ka kushtuar aktiviteti. Sigurisht është një gjetje transparente, e re, e drejtpërdrejtë dhe besojmë në këtë mënyrë i kemi dhënë përgjigje këtij shqetësimi, lidhur me atë që na kritikojnë ndërkombëtarët. Është një standard.”- deklaroi Vasili.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: