Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Me rëndësi është edhe biseda e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore me zëvendësministrin e tij, Nazar Berberin, i cili i ka dhënë mendim pozitiv Mehmetit për fejesën e djalit të tij që donte vajzën nga familja Turdiu. Nazari shpjegon se: “Mehmeti kishte kohë që ishte i shqetësuar, një shqetësim që i lexohej lehtë në fytyrën e tij. Erdhi nga zyra e kryeministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, ishte koha kur sapo kishte fejuar djalin me Silva Turdiun. ‚Eja, – më thotë Mehmeti, – të ecim në këmbë‘. Dhe ecëm nga mbrapa ish-ndërtesës së Komitetit Qendror, në drejtim të vilës së Mehmetit. Diskutonim për një stërvitje që do të zhvillohej, kur befas Mehmeti qëndroi në vend dhe më tha: ‚More Nazar, do të fejoj djalin me një vajzë nga familja Turdiu, ç‘thua ti‘? Për një moment shtanga nga befasia se si ma dha lajmin, më pas me sinqeritet ia miratova duke i thënë se Turdijtë janë familje me emër, profesorë të nderuar dhe më vinte mirë që të kishte krushqi me një familje të tillë. Mehmetit i erdhi mirë miratimi, por se si e tundi kokën; as në formë miratimi, as mohimi.”

Shpjegimet e Nazar Berberit tregojnë se Mehmet Shehu kishte një brengë të madhe në ndërgjegje, donte të bisedonte hapur me njerëz që e kuptonin drejt dhe të kishte më mirë të qartë situatën para se të merrte vendimin, ashtu siç vepronte zakonisht para se të merrte vendime të rëndësishme. Është interesante dhe kuptimplote që kryeministri merrte mendime nga bashkëpunëtorë dhe miq të tij kur nuk kishte marrë akoma mendimin e Enver Hoxhës. Në mendjen e tij po dominonte analiza e bazuar në bindjen e tij të brendshme për vendimin për fejesën e djalit të tij dhe lidhjen me krushqi me familjen me probleme politike, të cilat ai i njohu, i pranoi dhe nuk u bë pengesë, me gjithë rrezikun e madh që ekzistonte nga ky veprim i dënueshëm në atë kohë.

Në atë situatë Mehmeti e ka pasur të qartë qëndrimin e patolerueshëm dhe hakmarrës të Enver Hoxhës. Pikërisht mosmarrja e mendimit të udhëheqësit, pasi parandihej dhe pritej pa dyshim qëndrimi i tij konservator i bazuar në interesat e pushtetit politik absolut, ka ndikuar në agravimin e situatës, duke shkaktuar distancimin e menjëhershëm dhe vënien në lëvizje të instrumenteve legale dhe të fshehta. Pavarësia e Mehmetit ka revoltuar seriozisht Enverin dhe ka nxitur shpejtimin e masave për eliminimin e të pabindurit që nuk mund t‘i besohej më tej në të ardhmen. Ky përfundim shpjegon edhe mosmarrjen e mendimit të udhëheqësit, para se Mehmeti, me një gjest surprizues, del kundër traditës së vendosur në pushtetin totalitar dhe shoqërinë e ideologjizuar. Ai ka rrezikuar në maksimum interesat e tij politikë dhe të pushtetit që ushtronte, duke arsyetuar dhe vepruar me një mendim të ri e përmbajtje humane.

Ai vendos në mënyrë njerëzore si baba për të miratuar dëshirën e djalit, mbështetur dhe realizuar fejesën, të cilën e mbivlerësoi edhe kundër bindjeve të deriatëhershme. Ai nuk është tërhequr as nga parandjenja se do t‘i kushtonte edhe me jetën e tij.

Partia-shtet do të kundërvepronte dhe do të godiste me rreptësi figurën e kryeministrit. Reagimet kundër Mehmet Shehut u bënë më demonstrative dhe nënvleftësuese edhe në rastet e komunikimeve publike, personale me udhëheqësin dhe gjithë ata që i qëndronin atij pranë. Enveri prej disa ditësh nuk po e takonte dhe nuk kërkonte si zakonisht që të merrte informacione e raportime direkte për problemet kryesore shtetërore dhe ngjarjet më të rëndësishme të përditshme, në radhë të parë nga numri 2, kryeministri, Mehmeti. Pjesëmarrja e Mehmet Shehut në disa veprimtari të rëndësishme të Partisë, si në Konferencën e Partisë në Korçë, nuk u dha e plotë si zakonisht. Kuptohej se censurimi ishte bërë me urdhër nga lart.

Kongresi VIII historik i PPSH-së, si forumi më i rëndësishëm politik i partisë që ishte në pushtet prej afro dyzet vjetësh, do të ishte bilanci më i madh i arritjeve të Enver Hoxhës, por edhe i fillimit të rënies së idhullit të tij. Në kongres do të dëshmohej dhe do të kuptohej publikisht ftohja, ndarja dhe mosmarrëveshjet e fshehta të pjesëtarëve të udhëheqjes, të cilat do të ndryshonin politikën e mëvonshme. Masat për rifreskimin dhe fuqizimin e partisë do të ishin me pasoja fatale për jetën e personaliteteve të njohura të kohës për kontributet dhe përgjegjësinë e përbashkët me Udhëheqësin e Madh. Enver Hoxha, që ishte në atë kohë në vitet e fundit të jetës, u kujdes me përkushtim për të përjetësuar arritjet dhe sukseset nën udhëheqjen e tij. Ai dëshmoi se kishte mësuar nga përvoja sovjetike dhe ajo kineze për rreziqet e ndryshimit të pushtetit pas vdekjes së Udhëheqësit të Madh.

Për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit të tij, zgjodhi dhe bëri të qartë pasardhësin e tij. Ai i njihte mirë anët pozitive dhe negative të Ramiz Alisë. Kishte të qartë pavendosmërinë, tërheqjen nga përgjegjësia, ndikimin nga më të fortët, mundësinë e ndryshimeve politike që mund të pasonin etj. Megjithatë, duke shpresuar se Ramizi do të vazhdonte për të paktën një periudhë pesëvjeçare apo më shumë, do të krijoheshin mundësitë që të konsolidohej vazhdimësia e ruajtjes së figurës së tij. Në ato kushte Ramizi do të ishte kandidatura më e përshtatshme. Në planin e tij personal Enveri gaboi rëndë. Ai nuk tregoi vullnetin e nevojshëm për të analizuar realisht gjendjen politike e shoqërore, rezultatet e vërteta të politikës që kishte imponuar, nuk dëshmoi përgjegjësi si kryetar shteti për të gjykuar pasojat e rënda në të cilat ndodhej shteti dhe populli, nuk mori masa për të ndryshuar, përmirësuar, normalizuar dhe ecur gradualisht me tempin e kohës dhe zhvillimet e përgjithshme në Evropën Lindore, atë Perëndimore dhe në bashkësinë ndërkombëtare në tërësi.

Përgjegjësia e tij e shtuar qëndron në faktin se e përkeqësoi më tej gjendjen, intensifikoi instrumentet për forcimin e mëtejshëm të diktaturës së proletariatit, ruajtjen e pushtetit absolut etj. Me qëndrimet e tij aktive punoi sa pati mundësi deri në fund për të rritur figurën e tij të idealizuar deri edhe të hyjnizuar. Për të ruajtur pushtetin e tij absolut, u shkëput nga interesat e popullit, thelloi dallimet ideologjike dhe politike me shtetet dhe sistemet politike në shkallë ndërkombëtare, vendosi parime politike, ekonomike dhe shoqërore që ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkatërrimin e sistemit të tij të “ndërtimit të socializmit me forcat tona”, në dështimin dhe demaskimin e iluzioneve si udhëheqës i luftës kundër revizionizmit dhe imperializmit modern, në fitoren e lëvizjes marksiste-leniniste që pretendonte se mbështeste dhe drejtonte etj.

Me papërgjegjshmërinë e qëndrimeve të tij Enveri nuk tregoi kurajë për të korrigjuar vetë gabimet e së kaluarës, në radhë të parë ai vetë, kur ishte në pushtet dhe akoma në këtë jetë. Nuk nxori mësimet e nevojshme nga përvoja sovjetike pas vdekjes së Josif Stalinit, si dhe as nga ajo kineze, pas vdekjes së Mao Ce Dunit.

Miqësia dhe distancimi në ditëlindjen e Enverit

Miqësia e gabuar dhe distancimi do të bëhej më i dukshëm më 16 tetor 1981, me rastin e ditëlindjes së Udhëheqësit të Madh, që vlerësohej në fakt me përmasat e një dite festive. Nga shefi i Protokollit Qeveritar, … , ndryshe nga herët e tjera, me anë të sekretarit Dalipi të Mehmet Shehut iu komunikua se Fiqireti nuk kishte përse të vinte për vizitë në të njëjtën kohë bashkë me anëtarët e Byrosë Politike, por me shokët e KQ të PPSH-së. Kjo mund të vlerësohej si normale, por zhgënjimi do të ishte i menjëhershëm. Në kohën që u mblodhën anëtarët e Byrosë Politike dhe kur Mehmeti ishte akoma në shkallët e shtëpisë së Enverit, konstatoi se Vitoja, e veja e Hysni Kapos, ishte e pranishme në grupin e Byrosë Politike, në bazë të ritualit të mëparshëm të pandryshuar.

Goditjen e parë direkte në mënyrë publike të një sjelljeje të ndryshme e ndjeu nga pritja dhe komunikimi i bërë nga Enver Hoxha. Nga kronika televizive e asaj dite është fiksuar pamja e Enver Hoxhës që është treguar tepër dashamirës, e ka përqafuar, e ka ulur në karrigen pranë tij, i ka thënë shpesh “shoku im i betejave”. Kur Mehmeti e ka uruar për ditëlindjen: “T‘i rrosh Partisë!” Enveri i ka kthyer përgjigjen: “Bashkë, Mehmet i dashur. Edhe ti! Dhe kujdes shëndetin. Se nuk jemi më të rinj, i duhesh Partisë për tani dhe më vonë”. Qëndrimi miqësor i Enver Hoxhës ka ndikuar shumë pozitivisht te Mehmet Shehu edhe për faktin se përsëritej dhe deklarohej në praninë e tij. Në këtë rast ai provoi vetë edhe mesazhet për kujdes që Enveri i kishte treguar edhe në takimin me djalin e tij, Vladimirin: “… hëpërhë mos u largo nga Mehmeti, se si ju edhe ne duhet ta ndihmojmë babanë ta kalojë këtë situatë.”

Mesazhi do të ishte i qartë: Mehmet i dashur! T‘i rrosh Partisë! Dhe kujdes shëndetin. Se nuk jemi më të rinj, i duhesh Partisë për tani dhe më vonë. Kuptimi i mesazhit do të ishte: Mehmet! Me ty nuk kam ndonjë qëllim të fshehtë. Ruaj shëndetin. i duhesh Partisë për tani dhe më vonë. Intriga politike do të ishte: Mehmet “i dashur”! Ka ardhur koha “të largohesh” nga kjo botë! Ti nuk do të jesh pasardhësi. Mehmet! Ti është e domosdoshme të flijohesh. Kam vendosur për “të kurorëzuar” si pasardhës Ramizin. dokrra!!!!!!!!!! Pas një periudhe prej afro një muaj e gjysmë ankthi nga reagimet pas fejesës së djalit të tij, Mehmeti duket se është treguar shumë i kënaqur dhe e ka ndier veten mirë në rrethanat e zhvillimit të ceremonisë zyrtare të kësaj dite të shënuar për Enverin dhe gjithë ata që ishin të pranishëm.

Mehmeti nuk ishte i vetmi që pati fatin e përjetimit të dashamirësisë së Udhëheqësit të Madh në grupin e udhëheqjes, të pranishëm në atë vizitë të parapërgatitur me shumë kujdes për efektet politike dhe mediatike publike. Merrnin pjesë dhe përjetonin kënaqësinë e vlerësimeve të Komandantit edhe 12 persona të tjerë që Enveri i ka pritur me buzëqeshje, i ka përqafuar fort, ka biseduar siç e meritonin ata dhe siç e priste edhe opinioni publik, me fjalë të menduara dhe me tone dashurie e nostalgjie, ka dalë për t’i përcjellë tek dera etj. Këto janë fiksuar si çaste të një “takimi të fundit”. Enveri dinte të reagonte me mjeshtëri në ceremonitë dhe momentet e dokumentimit të qëndrimeve me anë të filmimeve dhe incizimeve publike, të organizuara me qëllimin e paramenduar për të dokumentuar dhe lënë gjurmë në histori ashtu siç kërkohej të ishte në të vërtetë, si dhe për të fshehur me të gjitha mjetet realitetin dhe për ta manipuluar sa të ishte e mundur.

Historia duhej të dokumentohej vetëm me skenarë që do të ishin sa më domethënës për interesat e tij të admirueshëm në çdo kohë. Takimi i paharruar dhe gëzimi i atyre çasteve do të ishin edhe momentet e fundit. Me propagandë, dhunë dhe manipulime si përherë do të pasonin ngjarjet dramatike-tragjike të luftës për pushtet në fund të jetës së Enverit dhe ngritjes së menjëhershme të Ramizit si trashëgimtari i vazhdimësisë së dinastisë. Këta udhëheqës të vlerësuar e të njohur si shokë e bashkëluftëtarë të tij, të cilët e kishin mbështetur me të drejtë dhe pa të drejtë në çdo “betejë” që Enveri kishte zhvilluar me sukses, në disa muaj deri në një vit, do të shpalleshin hapur dhe me urrejtjen më të madhe nga vetë Enveri, i cili i cilësoi me akuzat e cituara me tonet më të ashpra si tradhtarë, do të vinte në zbatim makinën e ushtrimit të diktaturës dhe do të realizonte vullnetin e tij të hekurt që edhe këta armiq të ndëshkoheshin me dënimet më të rënda: 4 persona prej tyre do të pushkatoheshin, njëri do të deklarohej se “vrau veten” dhe 7 persona do të dënoheshin me masat më të rënda të dënimit me heqje lirie deri në 25 vjet, që ishte maksimali i parashikuar nga Kodi Penal.

Vizita për ditëlindjen bëhet e njohur shkurtimisht me pamjet e publikuara në revistën televizive të asaj date. Kronika e plotë e Kinostudios nuk u transmetua asnjëherë. Ajo është arkivuar me urdhër nga lart. Censurimi i saj është i kuptueshëm. Situata politike kishte ndryshuar tërësisht. Byroja Politike ishte rikompozuar. Mehmeti ishte deklaruar se “vrau veten”. Shumë nga ish-udhëheqësit ishin shpallur armiq dhe me këtë akuzë po gjykoheshin për t’u dënuar. Udhëheqësi i Madh nuk mund të paraqitej në një kronikë duke u përqafur miqësisht para disa javësh pikërisht me ato personalitete të njohura të deklaruara zyrtarisht dhe publikisht prej tij si tradhtarë, që po gjykoheshin si armiq dhe kur vazhdonte të ishte në kulmin e intensitetit propaganda e dënimit dhe fshirjes me fshesë të hekurt të veprimtarisë armiqësore në radhët e Partisë, në organet shtetërore, në organet e punëve të brendshme, në ushtri etj.

Goditja e autoritetit dhe më pas degradimi i personalitetit dhe figurës së kryeministrit. Tradhtarët e mëparshëm ishin goditur dhe dënuar me rreptësi, duke u manipuluar komunistët dhe përgjithësisht opinioni publik. Idetë e imponuara nga propaganda zyrtare intensive ishin pranuar me vështirësi. Megjithatë nuk ndodhi solidarizimi i gjithanshëm. Në çdo rast të njoftimeve të bujshme të goditjes së armiqve dhe tradhtarëve të rinj në radhët e udhëheqjes dhe të personaliteteve më të larta shtetërore të kohës, ndodhte edhe tërheqja e kujdesshme, heshtja publike, hezitimi për të dhënë mbështetje direkte e pa rezerva, mendime për të vlerësuar masat e partisë dhe të Enver Hoxhës, nuk kishte përkushtime dhe gatishmëri si më parë për dënim dhe demaskim nga populli në takimet dhe mbledhjet e organizuara publikisht. Nuk u përjetua sërish koha e metodës së “decibaove kineze të socializmit të Mao Ce Dunit”.

Eliminimi i kryeministrit shqiptar në detyrë, Mehmet Shehut, nuk do të mund të manipulohej dhe mbështetej pa kushte si eliminimi i numrit 2 të Kinës, Liu Shao Çi-së. Eliminimi i kryeministrit shqiptar ishte më i vështiri. Ai do të dëshmonte për pasojat e makinës së shfarosjes. Njëkohësisht do të shkaktonte edhe fundin e politikës së pushtetit autoritar. Këtë e kuptonte dhe e përjetoi sa ishte gjallë direkt Udhëheqësi i Madh. Megjithatë, udhëheqësi do të realizonte eliminimin e radhës për t‘i dhënë mundësinë pasardhësit të zgjedhur, ndaj të cilit kishte më shumë besim. Ai do të plotësonte sa më shpejt që ishte e mundur dëshirën e Ramizit për trashëgimin e pushtetit më të lartë.

Donte që edhe vetë të shihte e bindej se si do të shkonin punët kur fizikisht të mos ishte më në këtë botë, por të mbetej me idhullin e tij, i përjetësuar dhe i gjithëgjendur në mendjen dhe jetën e përditshme të njerëzve dhe të veprimtarisë së partisë dhe të shtetit të diktaturës së proletariatit. Sundimi i klasës punëtore të krijuar kryesisht në kohën e socializmit nuk ishte sundimi i proletariatit që pretendohej në teorinë marksiste-leniniste. Klasa punëtore e propaganduar dhe e tërhequr në udhëheqje me disa persona me të kaluar punëtore, por pa njohuritë dhe aftësitë e nevojshme dhe të domosdoshme për të realizuar misionin që kërkohej prej tyre, do të ishte baza ku do të mbështetej ideja për përjetësimin e udhëheqësit.

Pasojat e masave për eliminimin e kryeministrit dhe pas tij të personave të tjerë do të ishin njëkohësisht edhe akuza për bashkëfajësi për një krim që ata mendonin se ishte i domosdoshëm për t‘u kryer, me gjithë rreziqet edhe për të ardhmen e Enverit dhe të Ramizit. Enveri dhe pas tij Ramizi ishin të bindur edhe për forcën e pushtetit dhe mbështetjen e simpatinë që Mehmeti kishte në organet e partisë, të shtetit, ushtrisë, punëve të brendshme, drejtësisë, në opinionin e gjerë shoqëror. Kjo i frikësonte dhe u impononte kryerjen e veprimeve të studiuara dhe reagimeve publike të kujdesshme.

Përforcimi i ruajtjes dhe i sigurisë personale ndaj Enver Hoxhës

Që nga takimi prej tri orësh i Enverit me Mehmetin, më 11 shtator 1981, në shtëpinë e tij, ai nuk qëndroi më i lirshëm në rastet e mëvonshme. Ruajtja dhe masat për sigurinë personale të Komandantit u shumëfishuan. Takimet e tjera janë bërë në zyrë. Enveri filloi të rëndohej më tej nga ana shëndetësore në vitin 1981 e në vazhdim. Mjekët sqarojnë duke publikuar të dhëna dhe fakte të treguesve vitalë, të reduktimit të aftësive fizike trupore dhe atyre mendore e psikike të viteve të fundit të jetës së tij, të përkeqësuara deri edhe nga ndryshimet kognitive në tru, nga pasojat e shkaktuara jo vetëm nga përparimi i diagnozës së diabetit, nga e cila vuante që prej vitit 1945-s, por edhe prej stresit, tensionit alterial etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb