VATIKAN- Mesazhi i kreut të Vatikanit për këtë Krishtlindje përveç bekimit Urbi et Orbi iu drejtua botës mbarë. Ati i Shenjtë, Papa Francesku u lut për më shumë paqe e dashuri. Në lutjen e tij ai përfshiu vëllezërit e motrat që vuajnë nga luftërat në Irak, Siri e Ukrainë, u lut për Nigerinë, por edhe për të sëmurët.

“Uroj që pushteti i Jezusit, që është çlirim e shërbim, të ndjehet fort në zemrat e shumta, që vuajnë nga luftërat, persekutimet, skllavëria”.

Në këtë Krishtlindje, tha ai ka shumë lot, prandja u lut që forca e Jezusit t’i shndërrojë armët në parmenda, shkatërrimin në krijimtari, urrejtjen në dashuri e dhimbsuri.

E PLOTË: MESAZHI I KRISHTLINDJES DHE BEKIMI URBI ET ORBI

Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!
Jezusi, Biri i Hyjit, Shëlbues i botës, lindi për ne! Lindi në Betlehem nga një nënë e virgjër, duke përmbushur profecitë e lashta. Virgjëra quhet Mari, fati i saj, Jozef.
Janë njerëz të përvuajtur, plot me shpresë në mirësinë e Hyjit, që e pranojnë Jezusin dhe e njohin. Po kështu Shpirti Shenjt i shndriti barinjtë e Betlehemit, që ngarendën tek Shpella dhe e adhuruan Foshnjën. E pastaj Shpirti Shenjt u priu pleqve, Simeonit e Anës, në tempullin e Jeruzalemit, edhe ata njohën në Jezusin, Mesinë: “Sytë e mi panë shëlbimin tënd”- brohoret Simeoni- “shëlbimin e përgatitur nga [Hyji] përballë mbarë popujve” (Lk 2, 30).
Po, o vëllezër, Jezusi është shpëtim për çdo njeri e për çdo popull.
Atij, Shëlbuesit të botës, i lutem t’i ruajë vëllezërit e motrat e Irakut e të Sirisë, të cilët prej shumë kohe vuajnë pasojat e konfliktit në vijim , së bashku me anëtarët e grupeve të tjera etnike e fetare, pësojnë nga persekutimi brutal. Uroj që Krishtlindja t’u sjellë shpresë, atyre e të shpërngulurve të shumtë, refugjatëve, fëmijëve, të rriturve e pleqve të Rajonit e të mbarë botës; ta shndërrojë indiferencën në afërsi e mospranimin në mikpritje, ata të cilët sot kalojnë çaste prove të mund t’i marrin ndihmat e nevojshme humanitare për të përballuar ashpërsinë e dimrit, të rikthehen në vendet e tyre e të jetojnë me dinjitet. Uroj që Zoti t’i hapë plot besim zemrat e t’i dhurojë paqen e vet mbarë Lindjes së Mesme, duke nisur nga Toka e bekuar e lindjes së Tij e duke i mbështetur përpjekjet e atyre, që angazhohen faktikisht për dialog ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.

Jezus, Shërbyes i botës, silli sytë e tu kah ata që vuajnë në Ukrainë e jepi kësaj toke të dashur, hirin t’i kapërcejë tensionet, ta mundë urrejtjen e dhunën dhe të rifillojë rrugën e vëllazërisë e të pajtimit.

O Krisht Shërbyes, jepi paqe Nigerisë, ku vijon të derdhet përsëri gjak e shumë njerëz shkëputen brutalisht nga të dashurit e mbahen peng, ose masakrohen. Paqe kërkoj edhe për viset e tjera të Kontinentit afrikan. Mendoj posaçërisht për Libinë, Sudanin e Jugut, Republikën Qendroafrikane dhe rajone të ndryshme të Republikës Demokratike të Kongos; e u kërkoj atyre, që kanë përgjegjësi politike, të angazhohen, përmes dialogut, për t’i kapërcyer kundërshtitë e për të ndërtuar bashkëjetsën e qëndrueshme, vëllazërore.

Jezus, shpëtoji fëmijët e panumërt, viktima të dhunës, të shndërruar në sende në duart e matrapazëve e të tregtarëve të njerëzve, ose të detyrar të shërbejnë si ushtarë. Zoti i ngushëlloftë familjet e fëmijëve të mbytur në Pakistan javën e kaluar. Qoftë pranë atyre, që vuajnë nga sëmundjet, posaçërisht pranë viktimave të epidemisë së Ebolës, sidomos, në Liberi, Sierra Leone e Guine. Ndërsa falënderoj nga zemra të gjithë ata, që po përpiqen me guxim t’i ndihmojnë të sëmurët dhe familjarët e tyre, përsëris ftesën e ngutshme për t’u siguruar asistencën dhe mjekimet e nevojshme.

Vërtet shumë lotë ka në këtë Krishtlindje, së bashku me lotët e Jezusit!

Të dashur vëllezër e motra, uroj që Shpirti i Shenjtë t’i shndrisë zemrat tona, për të pranuar, Krishtin Fëmijë, lindur në Betlehem nga e Virgjëra Mari, shpërbimin që Hyjai ia dhuroi secilit prej nesh, çdo njeriu dhe mbarë popujve të tokës. Uroj që pushteti i Jezusit, që është çlirim e shërbim, të ndjehet fort në zemrat e shumta, që vuajnë nga luftërat, persekutimet, skllavëria. Që me butësinë e vet, ky pushtet hyjnor ta shlyejë ashpërsinë nga zemrat e shumë burrave e grave, zhytur në mendësinë e botës e në indiferencë. Që forca e tij t’i shndërrojë armët në parmenda, shkatërrimin në krijimtari, urrejtjen në dashuri e dhimbsuri. Kështu mund të themi me gëzim: “Sytë tanë panë shpëtimin tënd!”. Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Për shumë vjet!

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb