Mijëra kosovarë ishin dje në Shkodër për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares së tyre me Kroacinë. Momentet e bukura, përqafimet, këngët, vallet dhe ngjyrat e flamujve pushtuan mediat, duke dhënë një tablo të bukur të ditës. Por jo çdo gjë ishte pozitive dhe e bardhë.

Një prej tifozëve kosovarë, është larguar jo vetëm me humbjen e thellë të Kosovës, por edhe me një ngjarje të rëndë. Disa persona i kanë vjedhur automjetin, duke i thyer xhamat dhe duke i marrë disa sende të rëndësishme, madje edhe një valixhe me rroba, raporton Jeta Osh Qef.

Ky veprim i ulët e ka irrituar shumë shqiptarin me iniciale I.K., i cili është zhgënjyer edhe nga Policia e Shtetit, e cila jo vetëm që nuk i ka dhënë mbështetje dhe shërbimin që i duhej në të tilla raste, por i ka thënë se denoncimi është i kotë, pasi asgjë nuk mund të bëhet.

Ai është larguar nga Shkodra i zhgënjyer jo vetëm me vjedhjen e makinës, por edhe të çmimeve të larta që janë bërë ndaj tij dhe shqiptarëve të tjerë nga Kosova.

DENONCIMI
“Dje isha në Shkodër me shoqërinë dhe s’kisha ku të parkoja veturën, një i moshuar mu afrua dhe më kërkoi 5 euro për ta parku veturën, mbasi përfundoi loja, veturës i kishin thyer xhamin dhe demi ishte mbi 2 mijë euro. Kisha shumë respekt për shkodranët në veçanti, por dje as serbi nuk na kishte plaçkitë në atë mënyrë.
E urrej veten pse ju dua aq shumë dhe ju nderoj, e di që janë individë këta njerëz, por dje e gjithë Shkodra ishte ngritur për të plaqit një shishe ujë 2.5 euro dhe një sanduiç 3 euro a respektohet vllau në këtë mënyrë? Jam shumë i zhgënjyer me policinë e Shtetit Shqiptar, e lajmëroj rastin e thotë mos humb kohë kot se s’fiton gjë. Mua më kanë vjedhur radion elektronike, dy xhamat e dyerve mbrapa, dy parfuma mercedez benz, komplet një valixhe me rroba, kishim plan të shkonim në Tiranë, kishim ftesë nga Noizy, plus një palë syze modeli i veturës “Mercedez”.
Faleminderit nëse e publikoni dhe ju lutem atij hajdutit që do i jap sa të dojë vetëm të më kthejë pjesët e klimës se gjithë ditën sot kam kërkuar në tërë Kosovën dhe nuk ka ku t’i blesh”.
Shumë ndeshje të tjera do luhen në Shkodër, shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten, janë të shëmtuara si dhe të mos abuzohet me çmimet, shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë jemi “një”!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb