MADRID – Kapiteni i kombëtares turke dhe mesfushori i Atleticos së Madridit, Arda Turan, ka dalë kundër vendimit të FIFA-s për trajnerin më të mirë të vitit. Në një intervistë, Turan ka deklaruar se vota e tij për trajnerin më të mirë është ndryshuar nga delegatët e FIFA-s, pasi ai nuk mund të votonte askënd tjetër përveç trajnerit të tij, Diego Pablo Simeone.

“Delegatët më pyetën se kë preferoja si trajnerin më të mirë të vitit dhe përgjigjja ime ishte sigurisht Simeone, ndërsa sa i përket lojtarit më të mirë votova Cristiano Ronaldon”, – është shprehur Turan.

“Ndërkohë kur pashë listën e publikuar nga FIFA, u befasova pa fund pasi vura re se pikët maksimale të dhëna nga unë për trajnerin më të mirë kishin shkuar për Jose Mourinhon dhe Simeonen e kisha renditur vetëm të tretin pas Joachim Low, ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërt, pasi unë kam votuar në vend të parë Diego Simeone dhe pas tij Low dhe Mourinhon”,- është shprehur kapiteni i kombëtares turke.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: