Tirana organizon për herë të parë një tryezë të rrumbullakët rajonale për barazinë gjinore, aktivitet i realizuar nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres Mesi si Koordinatore Kombëtare e Barazisë Gjinore, dhe me kontributin e “UN Women” në Shqipëri.

Vendosja e një strukture të fortë kombëtare për barazinë gjinore, si një nga detyrimet kyçe që rrjedh nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e çdo forme diskriminimi ndaj gruas (CEDAW) dhe rekomandimet e ndryshme të raporteve të BE-së, mblodhi në këtë tryezë të rrumbullakët përfaqësues të rëndësishëm të Bankës Botërore (BB), partnerë ndërkombëtarë, si dhe Kryetarët e Mekanizmave Kombëtarë të Barazisë Gjinore të Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Maqedonisë, Moldavisë dhe Serbisë, me qëllim kryesor shkëmbimin rajonal të eksperiencave, të mirë-funksionimit dhe efektivitetit të këtyre mekanizmave.

Në fjalën hapëse të këtij eventi, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, duke e theksuar këtë aktivitet si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin rajonal të eksperiencave, u ndal tek promovimi i barazisë gjinore si një prej shtyllave bazë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Jemi të vetëdijshëm për rekomandimet që burojnë nga raportet vjetore të BE-së në lidhje me sfidat e mekanizmave kombëtarë të barazisë gjinore dhe jam më se e kënaqur të konfirmoj angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare në drejtim të adresimit të boshlleqeve në këtë drejtim. Bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë, ngelen esenciale në avancimin e agjendës së barazisë gjinore”, theksoi Znj. Mesi, duke nënvizuar gjithashtu edhe faktin se Shqipëria shumë shpejt do të ketë një njësi koordinuese për forcimin e mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore, njësi e cila do të mbështesë punën e koordinatorit kombëtar të barazisë gjinore dhe do të sigurojë qëndrueshmëri më afatgjatë e bashkëpunim më të thellë me partnerët e donatorët.

Znj. Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor u shpreh: “Barazia gjinore i shërben ‘ekonomisë së zgjuar’ dhe në Ballkanin Perëndimor ka një hendek të vogël për sa i takon arsimimit mes burrave e grave, por ka një hendek më të madh kur vjen puna tek aksesi në tregun e punës”, teksa nënvizoi faktin se Banka Botërore dhe partnerët e tjerë zhvillimorë po bashkëpunojnë me qeveritë e rajonit për promovimin e barazisë gjinore.

Ndërsa Znj. Petra Burchner, Drejtoreshë e Agjencisë Suedeze për Zhvillim, duke përgëzuar Zëvendëskryeministren Mesi për angazhimin e marrë në drejtim të promovimit të barazisë gjinore, u shpreh se ka arritje të dukshme por që ka ende sfida në vijim për sa i takon dhunës ndaj grave e vajzave. “Ndryshimi shoqëror është i vështirë, por të bashkuar ia dalim”, theksoi ajo.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për të nxjerrë mësime për reformat e qeverisë shqiptare ne kuadër të “Objektivit Strategjik numër 4” të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe “Planin e Veprimit 2016-2020 – Fuqizimi i Mekanizmit Kombëtar për Barazinë Gjinore”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb