Lionel Mesi është më gati se kurrë për Botërorin “Rusi 2018” dhe këtë e konfirmoi edhe në miqësoren me Haitin, e fituar 4-0, ku ai ishte protagonisti kryesor, me një tripletë dhe një asist për gol. “Pleshtit” argjentinas, i cili ka fituar gjithçka i ofron karriera e tij në rang klubesh, por edhe në aspektin personal, i nevojitet vetëm Kupa e Botës për të qenë një legjendë e gjallë, por ndoshta edhe një i pavdekshëm.

Sigurisht që finalja e edicionit të kaluar, e humbur përballë Gjermanisë, është një plagë e hapur, sepse rastet e pafundme të shpërdoruara, mbi të gjitha nga ai dhe Higuain, e kanë shtyrë Lionel Mesin, i cili duke parë sesi eci edhe sezoni i sivjetshëm me Barcelonën, të fillonte që në mars një stërvitje speciale, për të qenë në formën më të mirë në Rusi. Siç ka zbuluar argjentinasja “Ole”, numri 10, duke qenë i shqetësuar edhe për muaj me radhë nga disa probleme muskulore, ka vendosur që stafit të tij mjekësor dhe atletik te Barcelona, t’i shtojë edhe një trajner “kick boksi”, me të cilin të stërvitej në mënyrë individuale.

Këtë stërvitje ai ka zgjedhur që ta bëjë larg syrit të gazetarëve, por në një ambient jo shumë komod, modest, madje në hotelin e “varfër” ku qëndroi për herë të parë, pasi u bë pjesë e skuadrës së Barcelonës. Në këtë mënyrë, ai do të mund të karikohej edhe më denjësisht, për të pasur me vete gjatë stërvitjes së veçantë për Botërorin rus, edhe kujtimet e fëmijërisë dhe sakrificat që i janë dashur të bëjë për të mbërritur deri këtu.

Me pak fjalë, një stërvitje “all Roki Balboa”, e gjitha individuale, së cilës i është shtuar edhe “egërsia” e “kick boksit” për të rritur më tej edhe shpejtësinë e tij në fushë, jo vetëm nga driblimet dhe shpërthimet e papritura në shpejtësi, por edhe përqendrimin dhe goditjet surprizë, të cilat mund të bëjnë diferencën.
mesi-dibala-argjentina
E gjithë kjo përgatitje speciale për Mesin ka qenë në mirëkuptim edhe me klubin e Barcelonës, pasi në këtë mënyrë shpjegohen edhe pauzat e tij të shumta gjatë kampionatit dhe Kupës së Mbretit. Me pak fjalë, Lionel Mesi është gati që të synojë së bashku me shokët e tij Kupën e Botës, trofeun e vetëm që i mungon, por ndërsa pret që ta nisë zyrtarisht këtë udhëtim në “Rusi 2018”, ai i është lejuar medias braziliane, konkretisht “Globoesportes”, për të nënvizuar disa nga zgjedhjet, hobet dhe kujtimet e tij më të bukura.

Mesi, cili ishte vendimi më i mirë që ke marrë në jetën tënde?
Qëndrimi te Barcelona, kur situata ishte e komplikuar, për shkak të gjithçkaje që unë jetova prej distancës nga familja ime.

Stadiumi më i mirë ku ke luajtur?
Pa dyshim, “Kamp Nou”.

Ushqimi i preferuar i Lionel Mesit?
Mishi argjentinas në zgarë.

Goli më i mirë që ke shënuar ndonjëherë?
Ai në finalen e Ligës së Kampioneve, kundër Mançester Junajtid, me kokë.

Kush janë portierët më të fortë që ke hasur?
Kam luajtur kundër shumë prej tyre, por mund të veçoj mbi të gjitha Bufonin. Sigurisht që nuk mund të harroj Nojerin, realisht i madh dhe fantastik. Ndoshta harroj shumë të tjerë, por këta janë dy nga më të mirët, gjithashtu edhe Kasijas, pa dyshim…

Cili është grupi muzikor që të tërheq?
Më pëlqen shumë “Los Cafres” dhe “Gondwana”.

Destinacioni yt ideal për pushime?
Mjafton një ishull i qetë, ku nuk ka asnjë tjetër. Aty mund të shijoj familjen dhe qetësinë time.

Cila është gjëja më e mirë që të ka dhuruar fakti i të qenit një lojtar futbolli?
Të jem në gjendje të shijoj profesionin tim. Të bëj gjënë që ëndërroja dhe doja më shumë që kur isha fëmijë. Por mbi të gjitha, të isha në gjendje ta bëja aty, në stadiumet më madhështore të botës, ku ka shumë njerëz që të shohin ty.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/mesi-ne-nje-rrefim-ndryshe-nga-portieri-me-i-veshtire-tek-ushqimi-i-preferuar/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: