Ish-presidenti kroat, i cili njihet edhe si mik i madh i Kosovës, Stipe Mesic, ka folur në lidhje me idenë e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për “Der Standard”, Mesic ka thënë se një ide e tillë nuk mund të konsiderohet si e mirë, pasi siç thotë ai, një gjë e tillë mund të shkaktojë një katastrofë dhe gjithashtu një luftë të re.

“Kjo nuk është një ide e mirë, sepse arkitektura e Evropës është kompletuar me pavarësinë e Kosovës. Gjithçka tjetër mund të dërgojë drejt një katastrofe të re, një lufte të re. Luftërat në Evropë gjithmonë kanë filluar me arsyetimin se shtetet dëshironin t’i mbronin pakicat e tyre në vendet e tjera. Por, kjo ishte vetëm një arsye, pasi qëllimet e tyre ishin territoret”, ka thënë ai.

Sipas tij, një hapje e kufijve do të mund të ishte një ide më e mirë, ngaqe serbët dhe shqiptarët nuk do të shqetesoheshin se në cilin shtet jetojnë.

“Një francez mund të jetojë në të dy anët e kufirit falë ligjeve të njëjta dhe të barabarta. Nëse hapim kufijtë, nuk do të kishte rëndësi për një shqiptar apo serb se në cilën anë do të jetonte”, thotë ai, përcjell lajmi.net.

Mesic po ashtu foli edhe për të ashtuquajturit kufij etnik mes shqiptarëve dhe serbëve, për të cilët tha se një ide e tillë është e vjetër dhe nacionaliste.
Siç thotë ai, nacionalizimi detyrimisht dërgon në fashizëm, ideologji që sipas Mesic duhet të ndalohet në Evropë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb