Sot duket kujtim i largët, por kur u krijua 20 vjet më parë, më 10 qershor 1999 në Koln të Gjermanisë, Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore u bë për disa vite rresht kryefjala e politikës ndërkombëtare, emri i artikuluar më shpesh në diskurset politike, në kancelaritë perëndimore dhe në Ballkan. Ai lindi si nismë e përbashkët e BE/SHBA pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë pas konfliktit të dhunshëm në Kosovë me praninë e 46 shteteve të mëdha e të vogla dhe organizatave kryesore ndërkombëtare. Krahas procesit të stabilizim – asociimit të lançuar po atë vit, objektivi i tij kryesor ishte realizimi i paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan pas katër luftërave gjakatare të Millosheviçit si dhe grindjeve/mërive të shumta rajonale. Koha nuk priste, kërkohej një strategji afat-gjatë që komuniteti ndërkombëtar e në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja të mos ishin më thjesht» zjarrfikës» krizash/ konfliktesh, por t’u dilnin përpara me kohë, t’i shmangin dhe zëvendësonin ato kriza me dialog, fqinjësi dhe bashkëpunim drejt integrimit të tyre në BE.

Diplomacia gjermane e asaj kohe, si kryesuese e radhës së BE-së hartoi me shpejtësi draft – tekstin e Paktit, i cili u bë objekt diskutimesh dhe debatesh të shumta në Bruksel dhe në qendra të tjera të mëdha ndërkombëtare. Si diplomat i lartë ato vite në misionin tonë pranë BE-së në Bruksel dhe në Berlin kam qenë i pranishëm në pothuajse të gjitha mbledhjet plot tensione e debate që zgjatnin deri pas mesnate përpara, gjatë dhe pas krijimit të Paktit. Nuk ishte vështirë të shihej qartë qysh në fillim se meraku ishte më shumë te gjetja dhe kopsitja e fjalëve dhe akomodimi i pozicioneve të çdo vendi pjesëmarrës se sa efektet e tij në praktikë; falë publicitetit të jashtëzakonshëm, suksesi i Paktit ishte marrë si i mirëqenë, aq me tepër se ai u nënshkrua me shumë bujë dhe pompë në Sarajevo më 30 korrik 1999, në prani dhe të Presidentit amerikan Klinton. Në fakt, Pakti ishte një angazhim politik dhe konstruksion i mirëfilltë diplomatik, një kopje në miniaturë e Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975; veçse në vend të tre «shportave» ai kishte tri «tryeza» me të njëjtin titull, «demokracia dhe të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria» që drejtoheshin nga personalitete të njohura në fushat e tyre. Shkurt, «Helsinki i Balkanit»

Mirëpo, me gjithë paralajmërimet diplomatike të përsëritura që të mos rritej artificialisht «steka» e pritshmërive nga ai Pakt, sidomos në aspektin ekonomik, politikanët në vendet tona nuk deshën t’ia dinin. Ata e «përkthyen» shpejt e shpejt atë si «Plani Marshall» apo «Shiu jeshil për Ballkanin». Në kuadrin e tri tryezave dhe të seancave plenare mblidheshin çdo muaj në Bruksel dhe në kryeqytete të rajonit tonë ekspertë, ministra dhe kryetarët e shtetit/qeverive në samitet e tij vjetore. Ndaj, vështirë të kishte politikan shqiptar i çdo rangu që të vinte në Bruksel e të mos takohej me Koordinatorin e tij Special, Bodo Hombach, ish-ministrin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Kancelarit gjerman Gerhard Schroder. Selia modeste e Paktit në Bruksel ngjitur me Parlamentin Evropian ishte bërë një lloj «meke» politike rajonale. Mjaft të dilte emri se u takove me Hombach dhe udhëtimi në Bruksel konsiderohej sukses.

Për pasojë, nga viti 2000 e tutje, prania në Pakt filloi të shihej pothuajse si një garë apo tender rajonal se cili vend do të rrëmbente më shumë «llokma» d.m.th. fonde, projekte dhe para, se të tjerat konsideroheshin vetëm fjalë. Diçka që u bë tejet e bezdisshme dhe për vetë drejtuesin e Paktit të Stabilitetit. Hombach nuk dinte se «kujt t’ia prishte dhe kujt t’ia ndreqte» më parë! Puna arriti deri aty sa pas një takimi të tryezës ekonomike, u përhap si rrufe lajmi se Maqedonia kishte siguruar më shumë projekte të premtuara!!! Pas këtij «skandali» i ngarkuari qeveritar me atë detyrë, i ndjeri Gramoz Pashko u hoq dhe u zëvendësua me zonjën Ermelinda Meksi. Natyrisht pas kësaj, u shtua dhe më tepër zhurma dhe buja, por pothuajse asgjë nuk ndryshoi në rezultatet tona.

Mirëpo koha kalonte dhe projektet e miratuara në letër për të gjitha vendet e rajonit nuk po dukeshin gjëkundi. I ndodhur në këtë trysni të jashtëzakonshme politike, Bodo Hombach po luftonte tashmë për mbijetesën e vet politike. Kërkon tua hedhë qyrkun e përgjegjësisë « dy dinosaurëve » të BE-së, Shefit të Politikës së Jashtme Javier Solana dhe Komisionerit Chris Patten. Këta dy të fundit do thënë se ishin lënë në hije pas daljes në skenë të Paktit të Stabilitetit lidhur me rajonin e më gjerë. Gjithandej shfaqej Hombach si «guvernator» i Ballkanit. Mirëpo shumë shpejt u pa dhe u kuptua se në aspektin ekonomik dhe financiar, veç tryezave të takimeve, Pakti i Stabilitetit kishte vetëm «çelësat e kashtës». Miratimi dhe zbatimi i projekteve që propozoheshin prej tij ngecnin te procedurat e Komisionit/Këshillit Evropian dhe të Bankës Botërore, të cilat ia vunë me mirësjellje «kufirin te thana» Hombachut. Filloi kështu një “luftë e heshtur bërrylash “ ndërmjet të treve, por përballë Solanës dhe Patten Hombach nuk kishte kurrfarë shansi. Veç kësaj, disa incidente dhe konflikte të dhunshme në rajon treguan paaftësinë e Paktit dhe në fushën e sigurisë e demokracisë. Përballë rreziqeve dhe presionit nga të gjitha anët, në vitin 2002, Hombach dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga Dr. Erhard Busek, ish-kancelar i djathtë austriak, ekonomist i shquar, por që me gjithë përpjekjet nuk arriti dot të rikthente besimin e krisur te Pakti. Për pasojë, nga viti 2006, diplomacia ndërhyri me formulat dhe eufemizmat diplomatikë të rastit për t’i shpëtuar fytyrën dhe reputacionin Paktit. Krahas vlerësimeve, u kritikua për mungesën e «pronësisë» së tij nga vendet e rajonit. Ndaj, u vendos që selia e tij në vitin 2008 të afrohej në Sarajevë, por tashmë me emërtimin dhe strukturën e re të quajtur «Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal( RCC) Me një staf ekspertësh me rreth 35 vetë, aktualisht i drebtuar nga ish-politikania Majlinda Bregu, RCC është, në fakt, instrumenti teknik i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) me të 46 pjesëmarrësit e Paktit të Stabiliteti në bordin e tij. Gjithsesi, RCC është shumë larg formatit të Paktit dhe merret kryesisht me kërkime dhe studime të ndryshme.

Megjithatë, veç disa hapave dhe arritjeve fillestare të njohura, «pronësimi» i bashkëpunimit rajonal po rezulton histori suksesi vetëm për nga numri i madh i nismave, forumeve, proceseve dhe samiteve rajonale që «kanë mbirë si kërpudhat pas shiut». Sot në rajonin tonë të vogël janë mbi 20 të tilla, më shumë se kudo dhe vetëm ata që merren çdo ditë me to mund tua mbajnë mend emrin. Kryesoret janë Organizata e Bashkëpunimit të Ekonomike e Detit të Zi, CEFTA, Nisma e Adriatikut ; vijnë me radhë forumet e Bledit, Zagrebit, Brdo-Brijunit, Ohrit, Sunionit dhe ai i Durrësit ; madje dhe ish-presidentët e rajonit kanë forumin e tyre. Pesë vjet më parë nisi dhe Procesi i rëndësishëm i Berlinit me shumë nisma dhe takime të tjera; shtoju këtyre dhe samitet e thirrura nga Mogherini, minisamitet rajonale në kuadrin e OKB, BE, OSBE-së, NATO, Këshillit të Evropës, Forumit Botëror të Davosit, Mynihut etj. dhe lista zgjatet pafund. Për të qenë realistë dhe të sinqertë, ato po kthehen më shumë në formalitete rutinore dhe publiciteti për liderët sidomos kur ata janë «në hall» apo dhe për t’u kthyer «reston» homologëve të tyre me kundërdeklarata, për të treguar se kush është më i gojës dhe më patriot, etj.

Në fakt, krijimi i tyre është bërë «modë» politike dhe diplomatike rajonale; veç jo për të dhënë, por kryesisht për të marrë, jo për të bërë diçka, por më shumë për spektakle mediatike, jo për të tejkaluar ndonjë pengesë por për të kompensuar defektet dhe deficitet e brendshme politike apo dhe për të shfryrë dufin dhe vrerin politik ballkanik. Kjo pasi këto forume e nisma janë bërë aq të shpeshta sa është e pamundur të punohet ndërmjet tyre për realizimin e ideve që jepen. Sepse fill pas një forumi e samiti, ende pa filluar trajtimi i një aspekti, plasin probleme dhe konflikte të tjera zinxhir. Pa u zgjatur, në aspektin politik, mjafton të shohësh gjendjen në të cilin është katandisur dialogu Serbi – Kosovë që shkallë-shkallë po i afrohet nivelit të 20 viteve më parë ; apo gjuhën raciste dhe të urrejtjes nga liderët serbë. Kurse ne aspektin ekonomik, pengesa dhe lufta tregtare Kosovë – Serbi, e cila tanimë rrezikohet të shtrihet dhe mbi vendin tonë. Nga ana e atmosferës, ajo u pa dhe në Samitin e Berlinit me qejfmbetjet ndërmjet kryeministrave të dy vendeve tona, apo dhe të kryeministrit me Presidentin e Kosovës, etj. Madje, debatet dhe grindjet «mes vedi» kanë vijuar dhe në Twitter/Facebook. Shihni dhe samitin më të fundit të Nismës Brdo – Brijun në Tiranë, organizuar në një format vërtet model nga Presidenca jonë e Republikës. Gjithsesi, ajo çka tërhoqi më shumë vëmendjen publike dhe mediatike ishin pse u ftua ky apo ai, mosshtrëngimi i duarve nga Vuçiç me Presidenten kroate, apo largimi i Thaçit nga dreka protokollare, etj., incidente që u rishfaqën pasi ishin tejkaluar me kohë në bashkëpunimin tonë rajonal. Brenda vendeve, treguesi më i qartë i këtij dështimi është paaftësia e klasave tona politike për të parandaluar dhe zgjidhur krizat dhe konfliktet e ndryshme politike dhe institucionale pa ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Nuk po flasim këtu për shpenzimet e mëdha në kohë, energji institucionale, fonde dhe telashe të tjera. Në këto kushte, nuk ka pse të mos shqyrtohet mundësia e reduktimit të numrit të këtyre forumeve e sidomos e rrallimit të takimeve/ samiteve që janë bërë «si simitet». Të paktën të kursejmë fonde dhe kohë si dhe të shmangen «cic mice» të tjera politike rajonale.

Së fundi, mësimet kryesore që dalin nga këto pësime janë se pa rolin dhe ndihmën e çdo vendi me frymën dhe klimën e nevojshme politike, nuk mund të bëhet fjalë për bashkëpunim efektiv rajonal. Kushdo aktor/faktor tjetër, sado i madh dhe i fuqishëm, ka vetëm rol ndihmës dhe mbështetës. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb